Reali e Girona me të njëjtin hap. Karlo Ançeloti arrin Zinedin Zidanin, 124 fitore në kampionatin spanjoll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 19:22

Reali e Girona me të njëjtin hap. Karlo Ançeloti arrin Zinedin Zidanin, 124 fitore në kampionatin spanjoll

Mëdyshjet në La Liga kanë nisur të sheshohen tashmë. Gara për titullin kampion në Spanjë në këtë sezon do të jetë mes Gironës aktualisht kryesuese dhe Realit të Madridit ndjekës. Katalanasit dhe rekordmenët e titujve në Spanjë vazhdojnë të vetëm garën në distancë, ndërsa Barcelona pas humbjes 3-5 të shtunën kundër Vijarrealit me shumë gjasa ka ngritur flamurin e bardhë.

anceloti zidane

Barça e Ksavit e sheh veten 11 pikë larg Gironës kryesuese dhe 10 pikë larg Realit të vendit të dytë, që bashkë me Barcelonën kanë nga një ndeshje më shumë për të luajtur. Nëse Barcelona gabon, Girona dhe Reali nuk njohin pengesa në rrugën e tyre.

REALI NË ISHULL –

Reali kishte marrë përkohësisht vendin e parë në La Liga të shtunën teksa fitonte një ndeshje delikate në Las Palmas. për të gjashtën herë në këtë seozn në La Liga, Realit i është dashur të përmbysë shifrat. Madrilenët kanë vuajtur për një pjesë të mirë të kohës ku janë gjendur në disavantazh, por në pjesën e dytë Vinicius dhe Tçuameni 6 minuta nga fundi i kanë dhënë tri pikët. Reali tregon forcë, por që di të fitojë edhe pa Bellingamin, i pezulluar në këtë takim.

GIRONA NGA VIGO –

Suksesi i Realit e vinte nën presion Gironën, e cila udhëtonte drejt Vigos në një ndeshje delikate kundër Seltës. Për më shumë që kjo vinte pas eliminimit në mesjavë nga Majorka në Kupën e Mbretit. Por Girona e Miçel është sjellë si një skuadër e madhe. Harroni fitoret me shumë gola! Për tri pikët mjafton dhe vetëm një gol sikurse ndodhi në “Balaidos”, ku goli i Portu 20 minuta nga nisja ka mjaftuar për tri pikët dhe vendin e parë në La Liga.

ANÇELOTI –

Reali i Madridit vazhdon të fitojë në La Liga dhe trajneri i tij, Karlo Ançeloti, vazhdon të koleksionojë rekorde. me suksesin në Las Palmas, ai ka arritur fitoren numër 124 në karrierën e tij në La Liga me Madridin. Italiani ka barazuar rekordin Zinedin Zidanit. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Realit të Madridit ka vlerësuar rëndësinë e lojtarëve të stolit që dhe njëherë kanë rezultuar vendimtarë. “Ne kemi një sekret kur vjen puna për të përmbysur ndeshjet.

Unë kam një stol të motivuar dhe çdo lojtar kontribuon shumë kur futet në fushë”, deklaroi ai në konferencën për shtyp. Trajneri italian komentoi se “goli i pësuar ndryshoi dinamikën e ndeshjes dhe na dha një shtysë për të ushtruar më shumë presion pa top dhe për të qenë më efektiv. Nuk ishte një ndeshje spektakolare nga ana jonë, por me një disavantazh ishim të detyruar të ndërmerrnim ndonjë rrezik më shumë. Aktivizova lojtarë më të freskët dhe kjo ishte vendimtare në arritjen e objektivit”, deklaroi italiani i stolit të Madridit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"