Prova pa fund për golin, kapiteni Ribaj “shkund” Flamurtarin: Koha për fitore! Nuk ka vend për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 10:20

Prova pa fund për golin, kapiteni Ribaj “shkund” Flamurtarin: Koha për fitore! Nuk ka vend për…

Flamurtari ka ndryshuar orarin dhe vendin e stërvitjes. Seanca e fundit para Turbinës e mblodhi skuadrën paradite në stadium. Edhe në këtë seancë, trajneri u kushtoi vëmendje goditjeve në portë. Për trajnerin brazilian të kuqezinjve, sot do të jetë një ndeshje e veçantë.

ANDI RIBAJ

Marcelo Troisi kthehet në Cërrik, por këtë herë me statusin e ishit. Kuqezinjtë janë dënuar për të bërë kthesën. Për t’i dhënë zemër, mendon kapiteni Andi Ribaj.

Ndonëse nuk do të luajë, ai mundohet që të “shkundë” ekipin.

“Nuk e kemi nisur mirë sezonin. Për objektivat që janë vënë nga klubi, 1 pikë është shumë pak. E megjithatë, nuk ka vend për demoralizim. Do të ringrihemi.

Kam bindjen se situata do të ndryshojë dhe se skuadra do të bëjë më të mirën për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Duhet pak durim, pasi kanë ardhur shumë lojtarë të rinj në fundin e merkatos.

Dhe jo pak, por 4. Ata janë futbollistë të formacionit dhe duhet që të pritet të harmonizohen me pjesën tjetër”, u shpreh fillimisht sulmuesi, gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”.

Më tej ai u ndal te Turbina dhe dëmtimi që po e mban jashtë fushës, teksa tha: “Kundërshtari nuk është i panjohur për Flamurtarin. Ne kemi luajtur dy miqësore dhe kemi dalë barazim, ndonëse kemi prodhuar shumë. Unë kam ardhur gjatë gjithë javës dhe e kam ndjekur skuadrën në stërvitje. Djemtë janë shumë të mobilizuar dhe të karikuar për të marrë tri pikët.

Mungesa ime? Unë kam një dëmtim që po më mban larg fushës dhe seancave stërvitore. Shpresoj që me ndihmën e Zotit të kalojë sa më shpejt kjo situatë. Do të kryej një kontroll të specializuar në Tiranë”.

I pyetur për deklaratën e Sinan Idrizit, që sheh një ekip “të dehur” në fushë, kapiteni u përgjigj: “Normalisht që situata do të ndryshojë.

Presidenti është treguar shumë korrekt me ne, por ashtu edhe stafi ka bërë një punë shumë të mirë. Ata të gjithë presin më shumë nga ne. Ne jemi aktorët në fushë dhe jemi ne ata që duhet të japim maksimumin”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"