Duro kundër Osmanit: Qesharake të na gjykojnë lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2014 | 19:35

Duro kundër Osmanit: Qesharake të na gjykojnë lojtarët

PARTIZANIIIIIITrajneri Shpëtim Duro, në prezantimin e djeshëm për mediat, përveç prezantimit të dy përforcimeve të fundit, Astrit Fazlliu dhe Liridon Osmanaj, ka folur edhe për ndeshjen me Laçin, ku kërkon një start pozitiv të kampionatit. Duro pohon se ka krijuar një ekip me vlera dhe ndihet përgjegjësi kryesor për zgjedhjet që ka bërë. Para disa ditësh, ish-lojtari i të kuqve, Tefik Osmani, që luan për Skënderbeun pohoi se Partizani nuk është pretendent, madje e shikonte në mesin e tabelës. Dje trajneri Duro, ndonëse nuk ka përmendur emra, i ka dhënë një përgjigje Tefik Osmanit, ku, sipas tij, një lojtar nuk mund të gjykojë kundërshtarin dhe nuk mund të bëjë punën e trajnerit.
Fazlliu ka qenë një emër i lakuar edhe në merkaton e janarit, por ju ia “rrëmbyet” Partizanit. Tashmë ia rikthyet sërish të kuqve…
Nuk kam qenë unë shkaktari që Fazlliu nuk ka ardhur te Partizani në janar. Normalisht, m’u krijua mundësia që ta afrojmë në këtë moment. Unë kam pasur dëshirë ta kisha që në momentin parë në ekip. Për arsye që ishte në kontratë me Shkëndijën, kam bërë kërkesa të herëpashershme te klubi tetovar për ta afruar në ekip. Ata nuk ishin dakord në fillim, por me sa duket këtë javë kanë ndryshuar mendim dhe arritëm që ta afronim.
Mund të themi tashmë se merkoja është e përfunduar dhe a është ky Partizani i Duros?
Normalisht, ka shumë ndryshime në ekip, ku kanë qëndruar vetëm tre-katër futbollistë nga sezoni i kaluar. Për të gjitha afrimet, jam unë iniciator dhe them që unë jam përgjegjësi kryesor për këtë Partizan. Pa dyshim që merkatoja konsiderohet e mbyllur.
Personalisht, jeni i kënaqur me organikën që keni në dispozicion?
Kemi lojtarë që edhe ju i njihni, të cilët kanë luajtur në Shqipëri, por edhe me lojtarët që kanë ardhur nga jashtë kam pasur kontakte të mëhershme. Janë tre futbollistët e afruar nga Shkëndija, Fazlliu, Cuculli dhe Shabani, të cilët janë lojtarë me vlera, gjithmonë flasim për kampionatin tonë. Nuk i vë në dyshim as lojtarët që kam afruar në vend, lojtarë të Besës, si Batha, Fejzullahu dhe Mustafa. Plus këtyre, edhe të tjerët janë lojtarë shumë cilësorë dhe them se premtojnë për të ardhmen e këtij ekipi. Të gjithë këta elementë besoj se do të kontribuojnë për Partizanin.
A ishte Fazlliu elementi që i mungonte skuadrës, apo është një vlerë e shtuar në radhët e të kuqve?
Fillimisht, dua të them se Fazlliu është një djalë i mirë, pasi parimi im është që dua t’i njoh mirë një herë nga ana e karakterit. Fazlliu është një djalë i mirë dhe njëkohësisht një futbollist që e bën punën e tij dhe që përshtatet me të gjitha skemat e trajnerit. Është një lojtar që punon shumë gjatë gjithë lojës dhe normalisht në Kosovë ka qenë një nga futbollistët më të mirë. Kjo është arsyeja pse është afruar në ekip dhe besoj se do të japë shumë te Partizani. Fazlliu është një lojtar që bën punën e ngarkuar nga trajneri.
Reparti i sulmit mund të quhet i kompletuar tashmë me prezantimin e Fazlliut dhe Osmanajt?
Normalisht, për mua ka shumë konkurrencë në ekip. Sulmues të parë janë tre. Fazlliu, Raçiç dhe pa dyshim edhe Vatnikaj, që për mua është një forcë dhe një rival shumë i fortë në majën e sulmit. Nga ana tjetër, në krah luajnë Shabani, Mazrekaj, Osmanaj dhe Vila, të cilët e kanë rritur konkurrencën në grup dhe them se ekipi është i kompletuar.
Sipas Duros, cili ekip ka kryer merkaton më cilësore në kampionatin shqiptar?
Nuk dëshiroj të gjykoj të tjerët, por shikoj që të gjithë janë për titull kampion. Të gjithë janë forcuar sipas mënyrës së tyre. Unë jam i kënaqur për merkaton që kam bërë dhe në qoftë se skuadra do të jetë e përqendruar gjatë kampionatit, besoj se do bëjmë mirë. Mendoj se nuk është normale të flasësh për ekipe e tjera. Nuk është etike kur shikon që flasin futbollistë për ekipet e tjera. Është qesharake për mua që futbollistët të japin gjykime. Ata duhet të shikojnë punën e tyre dhe të mos merren me gjykimin e ekipeve të tjera, sepse janë lojtarë mbi të gjitha dhe jo trajnerë. Unë them se kampionati do të jetë shumë i fortë dhe i konsideroj të dhjetë ekipet konkurrente.
Sa e njihni kundërshtarin e së dielës dhe çfarë prisni nga kjo sfidë?
Mendoj se është ndeshja më e rëndësishme e javës, kjo duke pasur parasysh edhe përballjet direkte të skuadrave të tjera. Patjetër që është një takim i vështirë dhe shumë i fortë. Laçin e respektoj shumë dhe mendoj se ka qenë një nga ekipet më të mira të kampionatit dhe që ka bërë mirë në Kupat e Europës, duke ruajtur gjithnjë grupin e lojtarëve. Patjetër që ne jemi Partizani, një ekip me emër në kampionatin shqiptar dhe pa dyshim shkojmë për të arritur maksimumin. Normalisht, kemi shanset tona në këtë ndeshje. Rezultati mbetet i hapur për të dy ekipet dhe gjithçka do të vendoset në fushën e lojës.
Laçi është një test për të parë forcën e Partizanit, apo një ndeshje për objektivat sezonalë?
Ndaj Laçit është ndeshja e javës së parë. Kampionati është shumë i gjatë dhe është shumë pozitive që të fillohet mirë. Të gjithë kanë dëshirë që ta nisin mirë kampionatin, por në fund të fundit është thjesht një ndeshje e javës. Janë katër faza dhe do të ketë një luftë të ashpër gjatë gjithë sezonit. Si takim i parë, patjetër do të ketë kuriozitet, pasi te Partizani ka ndryshime të shumta.
Pas miqësores me Elbasanin, keni thënë se keni dilema për formacionin. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga Laçi, keni vendosur për formacionin?
Kemi pasur disa probleme, siç është dëmtimi i Shabanit apo ngacmime të vogla që morën lojtarët ndaj Kamzës. Mendoj se duhet edhe pak kohë që të vendoset përfundimisht mbi formacionin bazë. Kemi pesë të huaj dhe shpresoj që këtë javë të pajisen me pasaportë tre prej lojtarëve. Nëse nuk realizohet kjo gjë për këtë javë, gjithçka do të finalizohet për ndeshjet në vazhdim. Pra, duke pasur këta faktorë, nuk e kam përcaktuar 100% formacionin bazë. Pastaj duhet të marrim edhe një formacion më të plotë si do të jetë kundërshtari i radhës. Gjithsesi unë e njoh shumë mirë ekipin e Laçit. Laçi bazohet te grupi, të cilin e ka të konsoliduar prej disa sezonesh.
Po Partizani ndihet i harmonizuar për këtë sfidë?
Laçi ka grupin, por ka edhe elementë. Grupin e bën të fortë edhe elementi që ke në ekip. Lojtarët e Partizanit janë ambientuar shumë me njëri-tjetrin, pasi disa kanë luajtur edhe më parë bashkë. Rasti më i freskët është Fazlliu, që u ingranua menjëherë me ekipin, sepse me Mazrekajn kanë luajtur te Prishtina. Por ka luajtur me Cuculin dhe Shabanin te Shkëndija së bashku me Nexhipin. Patjetër që Laçi është më i konsoliduar, pasi lojtarët kanë më shumë kohë që luajnë bashkë.
A do të ishte Partizani i kënaqur me një barazim në Laç?
Ne jemi ekipi i Partizanit dhe shkojmë me autoritet në Laç. Do të mundohemi të arrijmë maksimumin dhe nuk kam dëshirë të humb.

FazliuFazliu dhe Osmanaj: Partizani, zgjedhja e duhur!
Astrit Fazliu dhe Liridon Osmanaj, ndonëse kanë luajtur për Partizanin në miqësoret e fundit, duke nisur nga dje konsiderohen zyrtarisht pjesë e të kuqve. Të dy sulmuesit, pasi kanë firmosur kontratat, janë prezantuar në ambientet e klubit nga trajneri Shpëtim Duro, i cili ka shumë besim te kjo dyshe. Fazliu, si një goleador i konfirmuar, është gati të tregojë vlerat e tij që këtë javë, ndërsa Osmanajt i duhet pak kohë sa të kapë formën. Të dy lojtarët ndihen të privilegjuar që do të veshin fanellën e Partizanit, duke qenë se për të dy është një klub me histori dhe tifozëri të zjarrtë. Kështu ata premtojnë se do të japin më të mirën, që klubi t’i realizojë objektivat. 22- vjeçari Osmanaj më herët ka luajtur për kombëtaret e moshave në Slloveni, ndonëse, në rast se do të ketë ofertë, do të ishte i gatshëm të luante për Shqipërinë.
Astrit Fazliu – “Edhe pse kam luajtur në Kosovë dhe në Maqedoni, unë e kam ndjekur kampionatin e Shqipërisë. Me trajnerin Duro kemi kaluar një periudhë shumë të mirë te Shkëndija dhe dua të theksoj se ai ka qenë edhe shkaku kryesor që unë jam këtu. Shpresoj të jap më të mirën time, që të arrijmë objektivat e klubit në kampionat. E kam parë tifozërinë e mrekullueshme të Partizanit, të cilët japin maksimumin për ekipin e zemrës. Disa nga lojtarët i njoh, pasi kam luajtur te Prishtina dhe te Shkëndija. Fanella e Partizanit është shumë e rëndë, por mbetet për të parë se çfarë do të tregojmë në fushën e lojës me këtë uniformë. Fanellën me numrin 9 e kam mbajtur rregullisht kudo që kam luajtur. Si për koincidencë edhe te Partizani do të luaj me këtë numër, me që e gjeta bosh kur erdha. Partizanit i mungon njeriu-gol prej 8 viteve? E gjithë loja luhet për gol. Prandaj do të mundohem të jap maksimumin dhe më të mirën time për ta ndihmuar ekipin për të shënuar sa më shumë gola, por edhe për të shërbyer për shokët e skuadrës”, u shpreh dje Fazliu gjatë prezantimit.
Liridon Osmanaj – 22- vjeçari, i cili vjen nga Sllovenia, shikohet si një lojtar që trajneri Duro mund ta përdorë në disa pozicione. Sipas tij, Osmanaj është një futbollist me vlera që i duhet Partizanit.
Liridon, si një shqiptar nga Sllovenia, si ndiheni për këtë zgjedhje që keni bërë duke u veshur i kuq?
Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e skuadrës së Partizanit dhe kam informacione të mira për këtë klub.
Partizani ishte rastësi apo një zgjedhje me dëshirë?
Ka qenë një zgjedhje me dëshirë, pasi rashë dakord me trajnerin që do të jem pjesë e skuadrës së kuqe, ku do të jap maksimumin.
Te Partizani ka shumë lojtarë cilësorë. A është i gatshëm Osmanaj ta bindë trajnerin për një vend në formacion?
(Përgjigjet Duro) Lojtari që di të luajë futboll, i jep menjëherë shenjat në fushë. Osmanaj ka cilësi, prandaj dhe e kam afruar në skuadër. Ai e di shumë mirë që nuk është 100% i gatshëm, por i rëndësishëm është fakti se do të jetë pjesë e skuadrës.
Më herët keni luajtur me moshat e Sllovenisë. Nëse do t’u jepej mundësia, do të luanit për Kombëtaren e Shqipërisë?
Me gjithë qejf do ta pranoja të isha pjesë e skuadrës kombëtare të Shqipërisë.

Adenkule konsiderohet pjesë e “demave të kuq”
Mesfushori Sulajmon Bolaji Adenkule konsiderohet pjesë e Partizanit të trajnerit Shpëtim Duro, ndonëse ai ende nuk ka mbërritur në Shqipëri. Nigeriani, në sezonin e shkuar, ka qenë pjesë e Apolonisë dhe ashtu si të kuqtë, edhe ata e presin mesfushorin. Megjithatë, trajneri Duro disa herë ka deklaruar se Adenkule do të jetë pjesë e Partizanit dhe do të vihet nën urdhrat e tij para mbylljes së merkatos verore. 23- vjeçari ende nuk ka mbërritur në Shqipëri, pasi ka pasur probleme me vizën hyrëse. Mësohet se drejtuesit e Partizanit ia kanë kompletuar të gjithë dokumentacionin e duhur mesfushorit nigerian, kështu që ai pritet të vijë në Shqipëri brenda kësaj jave. Duke ditur se shumë shpejt pritet që të pajisen me pasaporta shqiptare tre ish-futbollistët e Shkëndijës së Tetovës, Nderim Nexhipi, Ardian Cuculi dhe Bunjamin Shabani, prania e nigerianit nuk do të shikohet pengesë për sa i përket numrit të të huajve në radhët e Partizanit. 

JeratIsh-trajneri i Këlnit e Prishtinës synon Akademinë e Partizanit
Volfgang Jerat, ish-trajneri i Këlnit, por edhe i Prishtinës, që aktualisht merret me futbollistët e rinj në Kosovë, ishte i pranishëm në miqësoren Partizani-Kamza. Mësohet se trajneri gjerman ka qenë i ftuar nga presidenti Gaz Demi dhe pritet të përfshihet në projektin e zhvillimit dhe modernizimit të Akademisë së futbollit Partizani. Këtë gjë e pranon edhe vetë trajneri Jerat.
Zoti Jerat, ju pamë përkrah presidentit Demi në ndeshjen miqësore Partizani- Kamza, si ju duk ky takim?
Normal që bëhej fjalë për një ndeshje miqësore, që për Partizanin është pak para fillimit të kampionatit. Takimi më pëlqeu, ndonëse është hera e parë që e shikoj Partizanin. Më vjen mirë që dy ish-lojtarë të mi shënuan në këtë ndeshje dhe për këtë jam i gëzuar. Mazrekaj te Prishtina ka qenë një lojtar i rëndësishëm, një lider. Këtë gjë e pashë te Mazrekaj edhe në radhët e Partizanit.
Thatë që është ndeshja e parë, por sa i informuar jeni për Partizanin?
Për Partizanin kam dëgjuar edhe më parë dhe sipas bisedave me miqtë e mi, skuadra synon titullin kampion. Është një rrugë e gjatë që do punë për ta konkretizuar në fund. Partizani ka një projekt për ndërtimin e një akademie futbolli dhe me sa kemi mësuar jeni njohur me këtë plan.
Si ju është dukur?
Me presidentin e Partizanit kemi folur shumë për futbollin, ku më shfaqi edhe projektin që ka për akademinë e re të futbollit. Një ide e shkëlqyer dhe kam bindje se me realizimin e këtij projekti, klubi do të bëjë një progres të madh dhe pa dyshim e ka të garantuar suksesin.
Flitet se ju do të jeni pjesë e kësaj Akademie?
Siç e thashë, prej ditësh jam në kontakte me presidentin e Partizanit, pasi këtu më ka rekomanduar një mik i përbashkët i të dyve, presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi. Pa dyshim do të më pëlqente të isha pjesë e zhvillimit të këtij projekti. Jam i interesuar, pasi gjithnjë më ka pëlqyer që të punoj me futbollistët e rinj dhe aktualisht kam dhjetë lojtarë të rinj në Prishtinë nën 18 vjeç që premtojnë shumë, madje 7 prej tyre janë të gatshëm të luajnë që tani në elitë.
Pra, pritet që ju të keni një rrugë të gjatë te Partizani?
Sa gjatë do të jem, varet nga puna që mund të zhvillohet, por është herët për të folur, gjersa nuk ka nisur zbatimi i projektit.
Meqë keni drejtuar edhe në Kosovë, sipas jush, ka diferenca mes futbollit shqiptar dhe atij kosovar?
Niveli i futbollit të luajtur është i kënaqshëm në të dy vendet, por për sa i përket organizimit të klubeve, Shqipëria është shumë më lart se Kosova.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"