Portugalia barazon, tani i duhet mrekullia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2014 | 8:42

Portugalia barazon, tani i duhet mrekullia

SHBA-PortugalSHBA barazoi dje Portugalinë 2-2 duke hehdur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërkohë që luzitanëve u duhet një mrekulli tashmë kundër Ganës. Gjermanisë dhe SHBA-së do t’ju mjaftonte vetëm një barazim për të kaluar grupin.
Ndeshja – Portugalia zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 5-të me Nanin. Krosim i topit nga e djathta, mbrojtësit vendës gabojnë në largimin e tij që edhe me pak fat mbërriti tek Nani. Ky i fundit me portën thuajse bosh (portieri Hauard u rrëzua para kohe), shënoi pa problem. Në minutat në vijim u duk se Portugalia do të dominonte kundrejt skuadrës së Klinsmanit, por kjo zgjati fare pak. Ishin amerikanët ata që krijuan më shumë raste dhe u treguan më agresivë në fushë. Përfaqësuesja e SHBAsë provoi disa herë nga distanca me anë të Bredleit dhe Xhonsonit, por nuk aririt të gjejë kuadratin, megjithëse e detyruan disa herë portierin portugez të kryente akrobaci në fushë. Në minutën e 40-të u aplikua për herë të parë edhe pushimi ekstra (time out) në këtë Botëror, kur gjyqtari kryesor vendosi që lojtarët të ndalnin lojën për disa çaste dhe të freskoheshin për shkak të temperaturës 32 gradë celcius dhe lagështisë së madhe të ajrit. Në minutën e 42-të, pas një kundërsulmi të Portugalisë, Nani gjuajti nga distanca dhe topi u përplas në shtyllë duke mbërritur sërish te këmbët e portugezit tjetër, Eder. Sulmuesi i ri, që hyri në minutën e 16-të në vend të Postigës së dëmtuar, gjuajti me nxitim dhe Hauard bëri mrekullinë duke e devijuar topin në goditje këndi. Ish-portieri i Mançesterit evitoi golin që mund të mbyllte ndeshjen. Portugalia e mbylli pjesën e parë në avantazh, me 1 gol dhe dy gjuajtje të vetme në kuadratin kundërshtar si dhe me një Ronaldo krejtësisht në hije.
Pjesa e dytë – Takimi rifllon me spektakël: Eder shpërdoron sërish në minutën e 47-të, kur një top i vjen në mënyrë rokamboleske në këmbë, por gjuajti jashtë. Vetëm pak sekonda më vonë SHBA del në kundërsulm dhe Xhonson detyroi portierin Beto të bënte një tjetër akrobaci, duke devijuar topin në goditje këndi. Në minutën e 55-të Bredli humb një rast të artë, ku me portën thuajse bosh, por topi i gjuajtur prej tij përplaset në gjurin e Kostës. Në minutën e 64-ët Xhons realizon një gol spektakolar me një gjuajtje diagonale nga jashtë zonës, duke shtangur portierin dhe duke barazuar rezultatin. Është pikërisht ky momenti kur zgjohet Portugalia, e cila deri në atë moment ishte përpjekur të ruante avantazhin. Pas disa përpjekjeve portugeze, skuadra e Klinsmanit arrin të rezistojë dhe pas kundërsulmi të amerikanëve, Dempsej shënon golin e përmbysjes, ku mjaftoi një shtyrje me trup e topit. Atëherë kur dukej se SHBA do të festonte kualifikimin, ishte Varela ai që shënoi me kokë në minutën e 95-të golin e barazimit.

SHBA-PORTUGALI   2-2
Golat: Xhons 64’, Dempsei 81’/ Nani 5’, Varela 90+5
SHBA (4-2-3-1): Hauard, Bislei, Xhonson, Kameron, Bisler, Xhons, Bredlei, Bekerman, Zusi (Gonzalez 91’), Bedoja (Jedlin 72’), Dempsei (Vondolovski 87’) Trajner: Jurgen Klinsman
Portugalia (4-3-3): Beto, R.Kosta, B.Alves, Pereira, Meireles (Varela 69’), Nani, Migel Velozo, Moutinjo, A.Almeida (Uilliam 46’), Ronaldo, Postiga (Eder 16’) Trajner: Paulo Bento
Kartonë të verdhë: Xhons 75’
Gjyqtar: Nestor Pitana (Argjentinë)

Trajneri Bento: Arbitri gaboi
Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento ka qenë shumë i zhgënjyer pas ndeshjes. Ai ka thënë se skuadra e tij nuk e meritonte këtë rezultat dhe kritikoi gjyqtarin për vendime jo të drejta, që sipas tij dëmtuan luzitanët. “Ishte një lojë shumë e fortë që u luajt në atmosferë të ndezur dhe në një fushë që nuk ishte optimale. Mendoj se skuadra bëri gjithçka mundi, por jam i pakënaqur nga gjyqtari. Pati disa ndërhyrje shumë të rënda dhe aspak fair-play nga amerikanët. Bekerman meritonte të kuqin për bërrylin kundër Meirelesit në pjesën e parë, ndërsa Nani u ndalua në mënyrë të parregullt në pjesën e dytë brenda zonës dhe mendoj se ishte penallti. Këto janë detaje që bëjnë diferencën…”, deklaroi Bento pas ndeshjes. Fund i pamerituar për amerikanët, që u treguan superiorë kundrejt Ronaldos me shokë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"