Portieri Taleski kërkon Europën: Bylisi më bindi direkt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2019 | 20:33

Portieri Taleski kërkon Europën: Bylisi më bindi direkt

Bylisi ka bërë të vetin një portier shtatlartë. Bëhet fjalë për Davor Taleski, me një karrierë të pasur që ka qenë deri para pak vitesh një nga portierët me më shumë perspektivë në shtetin e tij (Maqedonia e Veriut), e madje duke luajtur me kombëtaret e moshave e deri te Shpresat U21.

davor taleski

Davor Taleski ka nisur që të stërvitet me Bylisin dhe nga sa bëhet e ditur, ai ka gjetur akord për dy sezonet e ardhshme me ballshiotët. Pritet që prezantimin e Taleskit ta bëjë së shpejti edhe presidenti Besnik Kapllanaj. Bylisi vërtet nuk po nxitohet dhe synimi i mallakastriotëve është që të bëjnë zgjedhjet e duhura, duke mos u nxituar.

Davor Taleski vjen në Ballsh pas eksperiencave si titullar në elitën e Maqedonisë së Veriut me skuadrat e njohura të Metalurg, Pobeda, Breganlica, ndërsa ka luajtur edhe në Superligën finlandeze me Honkën apo dhe me AEL-in në Greqi. Ka qenë pjesë nga Kombëtarja U-18 deri tek U-21 i Maqedonisë. Në një prononcim, portieri shtatlartë që ka një javë në Ballsh, tregon synimet që ka me ballshiotët dhe pse zgjodhi Superioren shqiptare për të vijuar karrierën…

Ju keni provuar më parë të luani në Superligën e Maqedonisë, Finlandës dhe Greqisë. Si kanë qenë eksperiencat tuaja?

Po, kam luajtur 3-4 vjet në Superligë në Maqedoni dhe ishte shumë mirë për përvojën time. Në 2018-ën isha në Ligën e Parë në Finlandë dhe kisha një sezon të suksesshëm me Honkan. Pas Finlandës, në janar të këtij viti kam pasur rastin të bëhem pjesë e një lige shumë të fortë, pra në Superligën e Greqisë në Ael Larisa, por për shkak se jam në kulmin e moshës dhe dua që të luaj sa më shumë, unë vendosa që të largohem nga atje.

A e njihni kampionatin shqiptar dhe Bylisin?

Unë e njoh shumë mirë Superioren shqiptare dhe mendoj se elita e futbollit shqiptar është shumë më mirë në vitet e fundit. Nga Bylis di diçka sepse njoh disa lojtarë dhe trajnerë që kanë qenë në këtë klub në vitet e fundit. Ismet Hasani më tregoi për interesin nga Bylisi dhe pasi u takova me presidentin e klubit, ky takim ishte çelësi i vendimit tim. Përshtypjet e para ishin se unë do të isha mirëpritur në klub. Ne flasim për ambiciet e klubit dhe gjithashtu për ambiciet e mia dhe pas takimit isha i sigurt se kalimi te Bylisi është i drejtë për karrierën time.

Bylisi është një klub që ka luajtur dy herë në Europë, është kjo një nga arsyet pse zgjodhët Ballshin dhe Superioren shqiptare?

Në vështrim të parë dhe në trajnimin në skuadër këto ditë, pashë se Bylis ka një ekip të mirë, madje ka edhe shumë perspektivë. Mbi të gjitha ka një trajner të mirë dhe me përvojë si Dovedan. Unë jam i sigurt se me punë të mirë në grup, ne mund të bëjmë diçka të veçantë këtë sezon.

Cilat janë synimet tuaja në këtë eksperiencë të parë në Shqipëri?

Unë do të përpiqem ta ndihmoj klubin sa më shumë që mundem dhe mund t’i premtoj klubit dhe tifozëve se unë do të jap maksimumin tim në çdo stërvitje dhe ndeshje.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"