Plori: E kisha peng rikthimin te Kastrioti, ja plani i merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2018 | 19:56

Plori: E kisha peng rikthimin te Kastrioti, ja plani i merkatos

Elvis Plori do të jetë “timonieri” i skuadrës krutane për sezonin në vazhdim në Kategorinë Superiore. Krutanët i besuan teknikut shkodran postin e trajnerit dhe tashmë hapet drita jeshile edhe për merkaton, e cila pritet të fillojë së shpejti. Në intervistën e tij të parë pas rikthimit si trajner i krutanëve, Plori tregon se e ka pasur peng rikthimin te Kastrioti, teksa deklaron se synon që të ndërtojë një skuadër cilësore.

elvis plori

Profesor, çfarë ju bëri të riktheheshit në drejtimin e Kastriotit?

Rikthimi te Kastrioti ishte një peng që më kishte mbetur dhe u realizua tani. Mendoj që edhe para dy sezonesh ishim ne që e meritonim të ishim pjesë e Superiores, megjithatë me mundësitë që do më jepen do të bëjmë gjëra të mira edhe këtë sezon.

Përse krutanët dhe jo një skuadër tjetër?

Zgjodha Kastriotin, pasi edhe në momentet që u largova i ruajta marrëdhëniet e mira me drejtuesit. Ambienti që më ka rrethuar këtu ka qenë mjaft i mirë që para dy vitesh dhe më pëlqen që Kruja ka një popull mjaft sportdashës.

Cilat janë objektivat për sezonin e ardhshëm?

Pas takimit që pata me drejtuesit, kemi diskutuar shumë për skuadrën dhe ecurinë, dhe synimet kryesore për këtë vit janë sigurimi i mbijetesës mes ekipeve më të mira.

Mund ta na zbuloni kërkesat që keni pasur për merkaton?

Mendoj se me ndryshimin e Kategorisë nga e Para në Superiore, duhet të ndërhyjmë në merkato dhe mund të afrojmë nga një futbollist për çdo repart. Nuk synojmë shumë afrime, pasi nuk dua që të prish skuadrën dhe boshtin e saj. Por, ato ndërhyrje që do bëjmë do të jenë të kujdesshme dhe lojtarë cilësorë që të japin kontribut te skuadra e Kastriotit.

Një pjesë të grupit aktual që ka aktualisht skuadra ju i njihni, i keni përcaktuar kush do të qëndrojë e kush jo?

Mendoj se pjesa kryesore e skuadrës që ka kontribuar për ngjitjen e skuadrës në Superiore do të qëndrojë, gjithmonë nëse ato do bien dakord me presidentin për sa u përket kontratave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"