Plaku: Problem personal te Skënderbeu, nuk e harroj kurrë atë që më luftoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2017 | 9:46

Plaku: Problem personal te Skënderbeu, nuk e harroj kurrë atë që më luftoi

Për herë të parë gjatë kë tyre dy muajve që kur ka nisur ndërtimi i skuadrës së re dhe afrimet e bujshme gjatë merkatos, trajneri Ramadan Ndreu nuk e ka pasur më mirë se dje grupin e lojtarëve. 25 futbollistë kanë qenë nën urdhrat e teknikut. Dy firmat e fundit të Stevan Raçiç dhe Sebino Plakut e kanë bërë të papërmbajtshëm teknikun Ndreu, i cili me këtë listë lojtarësh duket shumë i kënaqur.

Sebino Plaku Kamza

“Me lojtarë të tillë dhe me financa të garantuara, skuadra nuk do të rrezikojë të bjerë”, tha tekniku. Ditën e djeshme i është bashkuar Kamzës edhe sulmuesi Sebino Plaku. Të martën në mbrëmje, së bashku me presidentin Naim Qarrin ka firmosur kontratën. Në takim ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili ka dhënë OK-in.

SULMUESI

“Më bindi projekti dhe grupi. Kam parë një seriozitet dhe vijueshmëri aktive gjatë merkatos së këtij klubi. Gjithashtu, edhe kërkesat e tyre deri në fund të merkatos ndaj meje, më bindën. Do të jap kontributin maksimal dhe shpresoj se, duke qenë një skuadër e ndërtuar rishtas, të mund të ecim të gjithë së bashku për të realizuar atë objektiv që ka klubi. Nuk do ta kemi të lehtë, por do të përpiqemi në maksimum”, – deklaroi Plaku për “Panorama Sport”.

Ndërsa dje në mbrëmje sulmuesi postoi në faqen e tij në “Facebook” një mesazh lamtumirë, duke falënderuar Skënderbeun.

“Kohët e fundit kam hasur një problem personal te Skënderbeu. Nuk jam tip që krijoj probleme dhe nuk i kërkoj ato, madje jam shumë i matur në veprime. Por ndonjëherë situatat të imponojnë të shprehesh haptazi për atë çfarë ndodhi. Por unë kurrë nuk do të flas asnjë fjalë kundër Skënderbeut, skuadër që e kam dashur me gjithë zemër dhe e dua ende.

Kam qenë pjesë i atij projekti prej kohësh dhe jam krenar për çfarë kemi arritur me atë fanellë. Problemin e kam pasur dhe do ta kem personal. Dua të falënderoj drejtuesit e Skënderbeut, shokët e skuadrës, njëkohësisht dhe atë person që më luftoi në çdo moment… Kurrë s’do të harroj! Por siç e thashë, tani është momenti mos ta bëj më të hidhur lamtumirën, pasi lamtumirat janë gjithnjë të hidhura”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"