Përfitimet nga Rrahmani, ja sa para humbet Partizani nga RNK Split

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 21:40

Përfitimet nga Rrahmani, ja sa para humbet Partizani nga RNK Split

Transferimi i ish-mbrojtësit të Partizanit, Amir Rrahmani, nga Verona te Napoli është një nga lajmet e ditëve të fundit të merkatos në Seria A. Bëhet fjalë për një transferim që mund të kapë shumën e 12 milionë eurove dhe menjëherë u hodhën hipoteza se edhe Partizani mund të përfitojë nga mekanizmi i solidaritetit të FIFA-s, që ka të bëjë me formimin e lojtarit. 

rrahmani

Por, Partizani nuk mund të përfitojë asgjë nëse ndodh ky transferim, pasi bëhet fjalë për një ndryshim klubesh brenda të njëjtit kampionat. Arsyet pse Partizani s’përfiton nga ky rast dhe çfarë të drejtash ruajnë të kuqtë ndaj ish-mbrojtësit, i ka sqaruar për “Panorama Sport” sekretari i përgjithshëm i klubit kryeqytetas, Gerald Burba.

“Partizani nuk fiton asgjë nga Rrahmani nëse shitet te Napoli. Duhet të jetë transfertë ndërkombëtare, në mënyrë që të përfitojë Partizani nga mekanizmi i solidaritetit të FIFA-s. Pra, duhet të shitet jashtë Italisë. Neve si klub na takon të përfitojmë 1% të vlerës nga çdo shitje e Rrahmanit. Për të qenë më saktë, sipas rregullores së FIFAs, na takon 0.5% për çdo vit regjistrimi. Rrahmani ka luajtur dy sezone me Partizanin. Përfitimi do të ishte 5% e shumës nëse klubi e ka trajnuar lojtarin nga mosha 12 vjeç deri në 23 vjeç. Pas moshës15 vjeç i bie të përfitosh 0.5% të shumës për çdo vit regjistrimi nga lojtari. Pra, kjo është e gjithë formula dhe të drejtat që ka Partizani nga shitja e Amir Rrahmanit në vijim, nga një shtet në tjetër”, u shpreh për “Panorama Sport” Gerald Burba.

Rrahmani Napoli

Sipas kësaj formule, Partizani e ka përfituar pjesën e tij nga transferimi i Rrahmanit nga Dinamo Zagreb te Verona, që i bie një shumë afro 20 mijë euro. Por, Partizani nuk ka arritur të fitojë asgjë nga RNK Split, klubi i parë që kaloi Rrahmani, ndonëse të kuqtë e fituan betejën me kroatët edhe në FIFA. Arsyeja e mosarkëtimit të 60 mijë eurove nga RNK Split është se klubi kroat ka hapur procedurën e falimentimit, kështu që Partizani nuk ka çfarë t’u marrë atyre.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"