“Për histori, luajmë për titullin edhe kur jemi keq”, Torasa: T’i afrohemi kreut, por jo duke… fluturuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 22:29

“Për histori, luajmë për titullin edhe kur jemi keq”, Torasa: T’i afrohemi kreut, por jo duke… fluturuar

Agustin Torasa është një nga lojtarët kampion të sezonit të shkuar te Tirana. Në një intervistë për “Panorama Sport” pas takimit në “Air Albania” ndaj Apolonisë, argjentinasi sqaroi se nuk do të flasë për titullin kampion, por sigurisht që bardheblutë do të luftojnë deri në fund për të, ndërsa takimet duhet t’i marrin një më një. Për ndeshjen me Apoloninë, Torasa thotë se skuadra fierake i vuri në vështirësi.

torasa

“Është shumë e rëndësishme që kemi fituar këtë ndeshje me Apoloninë. Jo vetëm nga rezultati, por edhe nga mënyra se si erdhi ndeshja. Në pjesën e parë kundërshtari bëri një punë të mirë, na vuri shumë në vështirësi. Nuk na lejonin në asnjë moment të bënim lojën tonë. Në pjesën e dytë u përmirësuam në lojë”, është shprehur në fillim argjentinasi. Asgustini pranoi se çelësi i suksesit në këtë sfidë të fituar 5-2 ishte goli i shpejtë i barazimit në pjesën e dytë. Për golin që ai shënoi thotë se është i kënaqur në maksimum. “Çelësi i ndeshjes ishte goli që shënuam. E kam fjalën për golin e barazimit. Sapo e çuam takimin në baraspeshë, arritëm ta drejtonim ndeshjen atje ku donim ne. Sigurisht që jam i lumtur dhe i kënaqur me golin që shënova”, vazhdoi më tej sulmuesi i dytë i skuadrës. Torasa thotë se në sfidën me fierakët luante më larg portës, por në pjesën e dytë gjërat ndryshuan dhe ai i shkoi shumë pranë katërkëndorit mik.

torasa

“Në pjesën e dytë iu afrova më shumë portës për të sulmuar më tepër. Duhet të ushtronim presion. Na eci shumë mirë. Më pas u detyrova që të tërhiqesha, për të kontrolluar rezultatin dhe fuqitë e mira në fushën e lojës”, deklaroi argjentinasi. Tirana tani është pesë pikë larg titullit. A beson Torasa në një përmbysje të madhe dhe a e beson te titulli? Të gjithë besojnë te Tirana, por për të qenë me këmbë në tokë, mendojnë takimin e radhës në kampionat. “Sigurisht që po, besojmë te titulli, sepse e kemi këtë të drejtë. Duhet të besojmë te titulli, sepse mundësitë i kemi. Për më tepër veshim fanellën e Tiranës dhe ne besojmë te titulli kampion edhe kur jemi keq. Kemi shumë skuadra përpara, por mendoj se edhe mund të arrihet diçka. Jo duke fluturuar, por duke menduar ndeshje pas ndeshjeje për t’iu afruar sa më shumë kreut. Nuk dua të flas për titullin, por shumë afër tij. Ne kemi detyrimin që të luftojmë deri në fund për titullin”, mbylli Agustin Torasa. Argjentinasi është aktivizuar në 19 takime, duke shënuar një gol në 1320 minuta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"