Paulin Ndoja dhe “persekutimi” i futbollistëve të rinj në Shqipëri

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 5, 2014 | 11:52

Paulin Ndoja dhe “persekutimi” i futbollistëve të rinj në Shqipëri

NdojaNga BESNIK DIZDARI
Vështroni njërën prej këtyre dy fotove. Këtu janë dy kampionë të rinj të futbollit në Shqipëri. Më shtatlarti quhet Alen Sherri (majtas), tjetri quhet Zamir Vjerdha (djathtas). Nuk di a janë 17-18- vjeçarë, ndoshta pak a shumë. E rëndësishme është se të dy janë kampionë të Shqipërisë për vitin 2014, sepse u përkasin dy ekipeve kampione kombëtare të 19- vjeçarëve dhe të 17-vjeçarëve, Vllaznisë së Shkodrës, të drejtuar prej trajnerëve të meritueshëm Alban Hasani dhe Alban Noga. Kanë qenë dy kampionate kombëtare me nga 16 dhe 15 skuadra (e kjo është vërtet meritë e Federatës Shqiptare të Futbollit), një maratonë e pasur futbolli që kalit, formon dhe zhvillon talentet e reja në Shqipëri. Dhe ishte një triumf i futbollit të Shkodrës, Vllaznisë, ajo e cila ndërkaq, tkurret, shqetësohet, i merret fryma, djersin, udhëton, shkon poshtë e përpjetë për të blerë futbollistë jashtë Shkodrës, duke harruar talentet e skuadrave të saj të të rinjve – Kampione absolute e Shqipërisë!…
Por i kthehemi fotos sonë me ngjyra. Njeriu midis dy portierëve të rinj kampionë është një emër i madh i futbollit shqiptar, një kampion i vjetër i Shqipërisë, Vllaznisë 1972, me emrin Paulin Ndoja. Ky është përgatitësi i dy portierëve – kampionë të rinj. Paulini, ai i cili çuditërisht ka një pamje tejet serioze në këtë foto, ndonëse është një burrë i qeshur, optimist, zemërgjerë dhe me një gjallëri rinore të plotë. E shihni se dy portierëve në fytyrë iu ndrit buzëqeshja, jo vetëm e suksesit të arritur, por si një ndjenjë ëndrrash optimiste që i bart sa mosha e tyre e re, po aq dhe ambicia e synimet për të mbërritur lart. Ndërkaq, të duket se ata i bën krenarë vetë episodi që po fotografohen me Paulin Ndojën “e tyre”. E Paulini, i cili po i afrohet 70 vjetëve të tij, sivjet ka plot 50 vjet të dukjes së tij sensacionale me Vllazninë e Shkodrës, kur asokohe 18-19 vjeç djalë, bëhet fitues i Kupës (1965), duke qenë pjesëtar i Vllaznisë së Shkodrës – pa dyshim fitueses më të re të një Kupe të Shqipërisë deri më sot. Ka qenë Vllaznia që mbërrinte prej “kombinatit” të Xhelal Jukës të pashlyeshëm e përfundonte në duart e trajnerit me emrin legjendar për ne, Skënder Jareci. Po jua kujtoj emrat e 11-shes shkodrane të fundores fitimtare të Kupës në 1-0 me Skënderbeun: Paulin Ndoja, 19 vjeç; Frederik Çapaliku, 24 vjeç; Mehdi Milla, 20 vjeç; Nikoll Gjergji, 24 vjeç; Kol Gjoni, 24 vjeç; Esat Rakiqi, 22 vjeç, Mendu Dedja, 21 vjeç, Hajro Lekaj, 24 vjeç, Selami Dani, 23 vjeç, Sabah Bizi, 17 vjeç. Vetëm kapiteni ishte “i vjetër”, i paharrueshmi Sededin Zmijani, 27-28 vjeçar. Përsëris: deri më sot Shqipëria nuk ka pasë një fituese të Kupës Kombëtare më të re se këtë. Dhe midis këtyre djemve të mrekullueshëm (sepse përveç të tjerave, edhe si djem ishin njeri më i mirë se tjetri, të një shoqërie që ku ta gjesh!) është pra edhe Paulin Ndoja. Dhe më shumë sesa thjesht fitimi i një Kupe, atë ditë vere 1965 kjo Vllazni i kishte dhuruar futbollit shqiptar dy margaritarë: portierin 19 apo 20- vjeçar Paulin Ndoja dhe “të panjohurin” 17-vjeçar Sabah Bizi. Ky i dyti – fatmadhi i vërtetë, ylli i Kombëtares së Shqipërisë i të gjitha kohërave. Tjetri, Paulini pra, i pafati i madh, i persekutuari “par excellence”, ndoshta i vetmi Kampion i Shqipërisë (mbas dramës apo tragjedisë së legjendarit të futbollit shqiptar Skënder Halili), të cilit në kulmin e karrierës futbollistike iu ndalua të luante futboll për shkaqe biografike. Ishte pak t’i thoshe Mesjetë. Nuk ngjason ndoshta me asnjë rast kësisoji në gjithë vendet e Lindjes komuniste. Bie fjala, edhe pse doli nga burgu, fenomenalin e futbollit sovjetik, Eduard Strelcov, Leonid Brezhnjevi e lejoi të luante përsëri jo vetëm me Torpedon e tij, por edhe të rikthehej te Kombëtarja e BRSS. Paulinin e flakën tej pa bërë asgjë, madje duke bërë vetëm gjëra të bukura! E kujtojmë fort mirë se si kur papritmas u shfaq në fushën e blertë, Ndoja u bë menjëherë simboli i një portieri që në Shqipëri me Qemal Voglin, thuajse qe zhdukur. Paulin Ndoja qe një stilist i madh, qe një elegant i papërsëritshëm, qe një intuitiv si pakkush, qe i një qetësie për t’u studiuar. Dhe qe i një hijeshie mbresëlënëse, teksa qëndrimi i tij e shndërronte portën e futbollit si në një pikturë klasike, ndonëse për çudi në te përzihej “romantizmi” me “realizmin”, e ku ashtu siç është thënë për Fausto Coppi-n “përherë një njeri i vetëm në komandë”.
Kështu qe dhe Paulin Ndoja për një portë shqiptare të futbollit. Ndodhte që për një çast ai shtangej në palëvizje në mes të portës, e ti bëheshe gati ta sulmoje nga tribuna, por befas topi përfundonte në shtyllë! Sytë e tij mesa dukej edhe këtë e parashikonin.
Në atë vit 1965 të Kupës, në 120- minutëshin e barabartë 1-1 me Luftëtarin e Gjirokastrës (ku është goli i parë i 17-vjeçarit Sabah Bizi), Paulin Ndoja ka pritur katër 11- metërsha! Them se mund të jetë një rekord botëror në një ndeshje të Kupës Kombëtare të një shteti. Shtatë vjet më vonë, më 1972, në ndeshjen e dytë fundore, Paulin Ndoja me “hipnozën” e tij i mënjanon dy 11-metërsha Besës së Kavajës dhe Vllaznia fiton për herë të dytë Kupën e Shqipërisë, ndeshje që i vë vulën Ramazan Rragami, duke realizuar të pesë 11-metërshat e jashtë 120 minutave, përveç dy të tjerëve brenda lojës. Tjetër “rekord botëror” ky i Rragamit!… Kam përshtypjen se Paulini pak grushtonte. Ai vetëm priste, rrokte topa duke i tërhequr si me magji, teksa mblidhej në akrobaci si një lëmsh i pazgjidhshëm me të, një lëmsh çuditërisht krejt i zi, siç ishte asokohe kostumi i portierit. Po teksa spikaste kësisoj aty para portën mbi të blertën disi të prishur megjithatë, ai vetvetiu të dukej si shumëngjyrësh. Ishin ngjyrat e ylberit të koreografisë së lartë të universales që duhej të bartte portreti i një portieri të madh. Mos po e rris shumë? Them se jo. Kam pasë biseduar me një aktor të madh të futbollit me emrin Loro Boriçi, e tek ai i kam verifikuar shumë prej këtyre cilësive, madje me Boriçin “fanatik” të shtatlartëve, kur Paulini ishte një shtatmesatar.
E tash, këta çka thashë, po i shoqëroj me një foto tjetër, kësaj radhe disi nostalgjike, pa ngjyra, këtë bardhezi, përsëri me tre djem të rinj datuar vitet e para ’70, edhe këtu me Paulinin në mes. Është Paulin Ndoja i ri – Kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë në mes dy figurave të shquara të futbollit shqiptar: në të djathtë shoku im i gjimnazit të Shkodrës, Selami Dani (djathtas) – pa dyshim një ndër sulmuesit më të spikatun golashënues të Shqipërisë dhe në të majtë mbrojtësi Frederik Çapaliku – pa dyshim një ndër mbrojtësit më stoikë të futbollit shqiptar. Në këtë 50-vjetor të dukjes së Paulin Ndojës në futbollin e të rriturve shqiptarë, për ta portretizuar disi me njëfarë sentimentalizmi e pengu që ndonëse në shkëlqimin e tij, isha një gazetar, madje i një të përditshmeje politike siç qe “Bashkimi” i Tiranës, nuk kisha fuqi të bëja diçka për të, ndonëse ndonjëherë diçka të vogël ndoshta kam bërë, çka Paulini vazhdon të ma citojë me kavalerizimin e tij unik. Të shkuara, por kurrë të harruara të gjitha këto…
E la me kaq historinë për t’u kthyer te dy portierët e fotos sonë datuar më 2014-n: tek Alen Sherri dhe Zamir Vjerdha. Dhe më pëlqen të them se ndoshta protagonisti ynë e kolegët e tij, trajnerë të Vllaznisë – Kampione NEN 17 dhe NEN 19, i kanë dhënë futbollit shqiptar dy portierë të mirë. Foto duket sikur flet e na thotë: “Qê pra, tek i keni, e tash ata janë në duart tuaja!” Po vërtet këta portierë të talentuar janë në duart e dikujt?
Kur ra Regjimi, Paulin Ndoja iu rikthye fushës së blertë. Iu rikthye si trajner, si trajner i portierëve. Kam frikë se gaboj për të rreshtuar ushtrinë e emrave të portierëve, të cilët kanë kaluar ndër duart e Paulin Ndojës në Shkodër këta 20 e mâ vjet. Interesant është se në duart e tij kanë kaluar jo vetëm portierët e rinj, si Sherri e Vjerdha apo paraardhës të tyre, të cilët Ndoja ynë i merr si nxënësit mësuesi i klasës së parë, për t’i çuar te skuadra e parë, por edhe portierë të përvojës, të cilët mbasi vinin te Vllaznia e të rriturve, Paulini ua latonte stilin e u mësonte disa sekrete që ndoshta askush tjetër nuk ua kishte mësuar më parë. E pra, ku shkon “prodhimi” i një Paulin Ndoje dhe jo vetëm i tij?… Me këtë pyetje retorike do ta mbyll këtë shkrim, ndonëse do ta prish paksa retorikën me këto pak fjalë:
A nuk e shihni se në prag të Kampionatit të ri të Shqipërisë, nuk flitet për asgjë tjetër veçse për të ashtuquajturin tregun e futbollit? A nuk e shihni se Sportklub Tirana synon të shkojë te titulli vetëm duke “blerë” futbollistë majtas e djathtas? A nuk e vëreni që Vllaznia e Shkodrës, përveç ecejakeve për statusin e saj të kalamendun, nuk di tjetër, veçse të kërkojë për të blerë futbollistë? A vërtet nuk e shihni se deri dhe skuadra të Kategorisë së tretë të Shqipërisë kanë vetëm një qëllim: të bëjnë treg futbolli me djem që nuk i përgatisin vetë?
Kujt pra kërkon t’i përngjajë futbolli modest shqiptar? Atij gjerman, italian, francez, spanjoll, anglez? Po a nuk e kuptojnë se ky futboll, shpesh disi i mjerë, nuk ka bazë e logjikë për t’iu përngja këtyre kolosëve? Ai vetëm që mund të mësojë prej tyre. Vërtet, kush na e futi, kësisoj deri në superlativ, në futbollin shqiptar maninë e tregut, merkatos, siç i thonë mosnjohësit e gjuhës shqipe?…
Them se na e futën “armiqtë” e futbollit shqiptar. Ata që mpakin dhe persekutojnë talentet e futbollit kombëtar, që i flakin tej, që duan veç “t’i shesin”, madje veç t’i largojnë për hir edhe të futbollistëve të huaj krejt mesatarë apo dhe më pak. Ky është shkatërrimi i vlerave të futbollit kombëtar, i cili edhe pse ka qenë gjithmonë një futboll modest, ka mëkuar, ka edukuar, ka formuar vlera jo të vogla. Si ka mundësi vërtet, që ekipet kombëtare të Shqipërisë përditë e më fort po shterojnë prej lojtarëve që dalin nga farishtet e klubeve të Shqipërisë dhe po kërkojnë të mbajnë vendin e katërt apo të parafundit në grupet e garave euro-botërore kualifikuese, kryesisht me lojtarë shqiptarë të Kosovës të shteteve të tjera?… Këto ditë, duke lexuar një shkrim të mbasBotërorit të gazetarit të mirënjohur Matteo Marani, nënvizova këtë fjalë të tij si kritikë për Italinë:
“Në Serinë A, – thotë ai, – thuajse 60 për qind e futbollistëve janë të huaj. Ka deri dhe skuadra që janë në majë, të cilat aktualisht luajnë me elementë të huaj dhe gati po aq kanë edhe në pankinë. Ky është fundi i lëvizjes sonë futbollistike”.
Kur Italia e madhe, e cila kërkon të fitojë Kupa Europiane e Botërore, po Shqipëria e vogël, e cila nuk mund të ketë assesi synime të tilla, çka ka që është çbaraspeshuar kësisoj dhe çon parátë dëm duke blerë futbollistë, në vend që këto pará të shkojnë te të rinjtë e klubit? “Cili është sekreti i Gjermanisë, Kampione e Botës? Parátë që investohen te të rinjtë dhe nuk treten te blerjet”! Ky ishte morali i fabulës së suksesit gjerman në “Brazil 2014”, siç u tha njëzëri mbas përfundimit të Kupës së Botës. Vetëm këtë moral do t’ia vlente të përvetësonte Shqipëria e vogël. Natyrisht me në krye FSHF-në, e cila do të bënte mirë që qysh në këtë stinë, madje për disa kohë, të mos lejonte më shumë se tre lojtarë të huaj në klubet shqiptare. Tre, vetëm tre! Madje edhe këta të tre detyrimisht të jenë futbollistë, të cilët të vijnë nga kampionatet e ligave të para të shteteve të huaja. Vetëm kështu do mund të nisim t’ia rimarrim vlerën punës së palodhshme të Paulin Ndojës dhe shokëve të tij në të gjithë klubet e Shqipërisë.
Këtu merr fund retorika ime, që na doli se nuk qe fort retorikë. Dhe po e mbyll duke iu kujtuar edhe një herë Vllazninë e 50 vjetëve më parë, atë e cila në mënyrë të bujshme nxirrte për herë të parë në fushën e madhe të futbollit 19 apo 17-vjeçarët Paulin Ndoja e Sabah Bizi. Vllaznia, e cila fitoi Kupën e Shqipërisë duke pasë një ekip NEN 23-vjeçar, i gjithi i tokës pjellore të futbollit të Shkodrës…






www.minuta90.com