Partizani fantastik, thyen Erzenin në finalen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2021 | 18:29

Partizani fantastik, thyen Erzenin në finalen e Kupës

Partizani e fillon aty ku e kishte lënë një vit më parë, para se gjithçka të ndalte prej pandemisë. “Demat” fitojnë Kupën e Shqipërisë për herë të 13-të në historinë e klubit, duke mundur Erzenin në finale me rezultatin 3-2, pas një ndeshjeje spektakolare që zgjati 2 orë e 14 minuta të zhvilluar dje në sallën “Feti Borova”. Një takim emocionues mes dy skuadrave më të mira të vendit, që ishin reklama më e mirë e volejbollit shqiptar.

161168843_3064482273798670_8211661910631948692_n

Në fund ishin të besuarit e trajnerit Ylli Tomorri, ata që festuan një sukses të merituar. Një Partizan, i shkëlqyer me lojtarë të rinj të talentuar, të cilët janë sinkronizuar më së miri me njëri-tjetrin. Njeriu i ndeshjes ishte Osman Qepa, i cili u tregua i jashtëzakonshëm që nga fillimi e deri në fund me goditjet e fantastike, si dhe me lojën në bllok. Ndërkohë në krahun tjetër shijakasit e Arben Sakos, shpërdoruan disa momente të arta avantazhi, të cilat rezultuan fatale për fatet e takimit.

NDESHJA- Loja është në ekuilibër në pikët e para, ku fillimisht është Erzeni që ka një epërsi të lehtë. Megjithatë, Partizani e rrit ndjeshëm nivelin në gjysmën e dytë të setit, teksa spikasin Qepa, Deliu në organizmin dhe Çela. Është pikërisht ky i fundit që me një bllok i jep fitoren e setit të parë Partizanit në shifrat 25-23. Erzeni reagon në fraksionin e dytë, teksa është Kula ai që i udhëheq shijakasit, ndërsa tek kryeqytetasit ka shumë gabime, me setin e dytë që mbyllet 25-18 për skuadrën e Sakos. Seti i tretë është shumë i luftuar, fillimisht kryeson Partizani, por më pas Erezeni merr një epërsi të lehtë dhe e fiton këtë fraksion 25-23.

ERZENI

Shijakasit e fillojnë me entuziazëm edhe setin e katërt, ku fillimisht kryesojnë 6-2. Por, në momentin më të vështirë, Partizani tregon karakter dhe Rama vulos setin në shifrat 25-19, duke e dërguar sfidën me set final. Përsëri Erzeni e nis më mirë me disa pikë të njëpasnjëshme të Çullhajit, por Qepa është në një mbrëmje fantastike dhe “demat” shpërthejnë duke e fituar setin 15-10. Më pas ka vend për festën e të kuqve, me presidentin e FSHV-së, Erlind Pëllumbi, që i dorëzon trofeun kapitenit Kasa.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"