Oslo kuqezi, De Biazi: Ja si i “mashtruam” norvegjezët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 24, 2013 | 12:03


Oslo kuqezi, De Biazi: Ja si i “mashtruam” norvegjezët…

kuqezi 2Nga Oslo, FATION SHEHU
Autoporlantët e stadiumit “Uleval” të Oslos nuk nxirrnin më muzikë festive si në fillim të takimit. Thirrjet “O sa mirë me qen shqiptar!” u shndërruan në kolonën zanore të asaj shfaqjeje heroike që dhuroi Shqipëria e De Biazit. Me mijëra tifozë kuqezinj nuk iu trembën të ftohtit therës, por e ndezën atmosferën me brohoritje dhe duartrokitje, që dukeshin se nuk do përfundonin… Etrit Berisha u ul në gjunjë dhe lotoi, lot gëzimi, krenarie për një fanellë që mbart sakrificë dhe nder. Disa minuta feste me tifozët dhe më pas një gëzim i përbashkët në dhomat e zhveshjes për futbollistët. Brohoritjet, të qeshurat dhe ndonjë strofë kënge dëgjoheshin edhe jashtë mureve. Ndërkohë, jashtë stadiumit u mblodhën menjëherë fansat. Ishin aty për t’i përshëndetur, për t’i falënderuar, për t’i prekur, për t’i puthur, për t’u treguar sesa krenarë ndiheshin. Kuqezinjtë dolën një e nga një, por këtë herë dukeshin më “të mëdhenj” sesa më parë. Disa foto e takime të shpejta dhe autobusi i Kombëtares u nis për në hotel. Atje ku pritej që festa të vazhdonte privatisht. Në holl, të gjithë u shpërndanë. Lëviznin nga një cep në tjetrin sikur kishin kohë pa u takuar. Merrnin përgëzime, flisnin me njeri-tjetrin për episode të ndryshme, por mbi të gjitha ishin të gjithë të lumtur… Diku ishte Lorik Cana, që takonte “zyrtarët” e futbollit shqiptar me radhë, në një cep tjetër ishin Berisha, Ujkani, Curri dhe Dallku. Ngacmonin portierin-hero të ndeshjes me batuta, ndërsa ai u kundërpërgjigjej thuajse gjithnjë me të qeshura naive. Lila ishte pranë Bogdanit: “Ky na jep zemër. Është motivuesi ynë më i madh”, – përsëriste sa herë që shikonte dikë që nuk e kishte dëgjuar këtë gjë më parë. Pak minuta “hardallisje” në holl, për të shkuar në katin e dytë të hotelit, për darkën festive. Mbase këtë herë ushqimi dukej më i shijshëm, por siç nuk ndodh shpesh në ndeshjet në transfertë, dollitë ishin për fitoren. Një darkë lojtarësh triumfues… Ndërkohë, rrugët e Oslos flisnin shqip. Tifozët ishin shpërndarë në kërkim të lokaleve për të festuar. Kudo gjeje shqiptarë, të cilët dallonin nga flamujt mbi shpinë, e folura me zë të lartë në rrugë, këngët, mungesa e kompleksitetit… Në hotel “Radison Blue Nydallen” futbollistët kuqezi ishin të paqartë për vendin ku do festonin. Donin të shkonin në qytet, por askush nuk kishte një plan. De Biazi ishte disi më “i ndrydhur” dhe preferoi të mos largohej. I mjaftonte një bashkëbisedim i ngrohtë me miqtë shqiptarë. Lorik Cana nuk krijoi “grup festimi” me Kombëtaren, por zgjodhi miqtë e afërt që e kishin shoqëruar deri në Norvegji për të shkuar në një lokal në qendër. Ju rezervua një vend në arenën “Vip” dhe shampanja nuk kursehej. Në fakt, ishte pikërisht Cana që paguante, por festa e tij private prishej herë pas here nga tifozë shqiptarë, të cilët nuk kishin se si të mos mungonin as atje. Rreth 15 kilometra larg qendrës, një lokal komplet shqiptar kishte nisur ahengun. Këngëtarja Albërie Hadërgjonaj kishte krijuar një atmosferë me këngë krahinore shqiptare dhe një varg prej të paktën 200 personazh kërcenin valle popullore. Në ambientin dykatësh kishte flamuj kuqezi kudo. Hera-herës këngët ndërpriteshin nga thirrjet nacionaliste. Por, të gjithë dukeshin sikur njiheshin me njeri-tjetrin. Ishin shqiptarë… Oslo për një mbrëmje u pushtua nga ngjyra e kuqe, por nuk ishin flamujt e vendit të tyre, por ai me shkabën e zezë. Shqiptarët u treguan vendësve se mund të thyejnë këdo, sado i madh të jetë, sado i pasur, sado i fortë. Shqiptarët luajnë me zemër…

Kombetarja ne hollin e hotelit ne OsloKombëtarja, tre orë pritje në aeroport
Ishte ora 07:15, kur autobusi i Kombëtares u nis nga hoteli për në aeroport. Të gjithë ishin pa gjumë, por rruga për në Shqipëri do të rezultonte më e lodhshme. Në orën 08:00 ishin në aeroport dhe për disa minuta u morën me procedurat për dokumentacionet. Por, kur ishin në fazën finale dhe prisnin të shkonin për në Charter, dera ishte e mbyllur. U lajmërua se nisja e programuar për në 09:30 do të bëhej pak më vonë. Askush nuk e dinte se kur, por të gjithë prisnin. “Eh, organizimi këtu lë pak për të dëshiruar”, – tha De Biazi me të drejtë, i cili u mbështet në një cep dhe thjesht priste dhe përcillte bashkëbiseduesit e ndryshëm. Lorik Cana nuk e fshehu nervozizmin: “Pse duhet të vinim kaq shpejt? Ku do presim”, – thoshte ai duke iu drejtuar të gjithëve dhe askujt njëkohësisht. Ndërkohë, i vetmi vend në atë hapësirë që mund të blije diçka ofronte çokollata, kafe, lëngje frutash dhe libra. Sigurisht që këta të fundit nuk i frekuentoi asnjë, por lojtarët nisën t’u vërshonin çokollatave. Në fakt, pritja e gjatë i bëri që të blinin më shumë se një herë. Bogdani, Lila, Sadiku, Berisha dhe Curri u ulën dhe nisën të bashkëbisedojnë, si duket një bisedë të lënë përgjysmë në autobus. Ishte sulmuesi i Sienës ai që ligjëronte dhe të tjerët dëgjonin me vëmendje. Bulku mbante gjallë atmosferën me batuta, ndërsa qëndronte me Vilën dhe Hykën. Ndërkohë, Cana u ul pak më larg me De Biazin. Një pritje që zgjati mbi një orë, aq sa nisja u bë në orën 11:00. Akoma më të lodhur, të mërzitur, të gjithë u akomoduan në Charter me synimin e vetëm për të fjetur. Ndërkohë, sa i përket vonesës, u mjaftua një mesazh nga stafi i avionit: “Na falni për vonesën, por u bë për arsye personale…”. Të mendosh që priti Kombëtarja e Shqipërisë, e njëjta që gjunjëzoi Norvegjinë disa orë më parë…

Kombetarja_De_Biasi_01De Biazi: Ja si i ‘mashtruam’ norvegjezët
I sjellshëm me këdo që e ndal apo i flet, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë që nënkuptonte kënaqësinë për fitoren e arritur në Norvegji, por qartazi i lodhur nga një natë e gjatë dhe një zgjim i herët në mëngjes, Xhani de Biazi ka komentuar situatën aktuale të Kombëtares para nisjes për në Shqipëri. Në aeroportin e Oslos, në pritje (më gjatë seç ishte parashikuar) që të kryhej nisja drejt Shqipërisë, për tekniku italian tregon për “Panorama Sport” arsyet që sollën triumfin në acarin norvegjez. Por, një “hall” jo i pakonsiderueshëm janë mungesat për duelin e kthimit, të cilin ai e shikon akoma më të vështirë.
Mister, dukeni i lodhur…
Eh, normale. Natë e gjatë, zgjim i shpejtë. Por, nuk jam i vetmi që dukem i lodhur.
Të paktën fituam. Ia vlejti mundimi…
Sigurisht, ajo çka është më e rëndësishmja. Fundja nuk mund të merrnim dot më shumë se tri pikë.
Tani e ka radhën miqësorja me Lituaninë. Sa rëndësi ka?
Pa diskutim që ka vlerat e saj si ndeshje, porse mos harroni që është thjesht një miqësore. Rezultati është i parëndësishëm, por duhet të shërbejë për të kryer disa teste me skuadrën.
Do ta provoni ekipin pa lojtarët që do mungojnë në ndeshjen e kthimit kundër Norvegjisë?
Nuk e kam vendosur ende. Jemi akoma në Oslo…
Gjithsesi, fitorja na kushtoi disi, duke qenë se do të mungojnë tre futbollistë…
Po, do të mungojë Roshi dhe Lila. Kush është i treti?
Lorik Cana…
(Hutohet) Ah, po. Nuk do jetë as ai.
Sa mund të ndikojnë mungesat e tyre?
Ne do mundohemi që të mos i ndiejmë. Kemi futbollistë të tjerë, të cilët mund të luajnë në vendin e tyre, gjithsesi jam i shqetësuar. Bëhet fjalë për lojtarë shumë të rëndësishëm, të jemi realistë…
Kush mund ta zërë vendin e Lorikut?
Boh, është pak si herët. Gjithsesi, Debatik Curri është një alternativë kryesore.
Të flasim pak për fitoren e Oslos. Si iu duk Norvegjia?
Unë e thashë edhe pas ndeshjes që ata nuk ishin në maksimumin e tyre. Nuk arritën të bënin atë që donin.
E prisnit përgatitjen taktike që i kishte bërë Olsen skuadrës së tij? U dukën sikur po prisnin që ju të avanconit në fushë dhe të shënonit me kundërsulm?
Olsen u mundua që të na ndëshkonte nëpërmjet goditjeve standarde. Sigurisht që e prisja këtë, pasi është normale që do mundohej të shfrytëzonte shtatlartësinë e disa futbollistëve. Por, nuk ia doli. Ne i kishim marrë masat mirë, ndaj edhe ia dolëm.
Në fakt, ne i ndëshkuam pikërisht me “armën” që norvegjezët pretendojnë se kanë më të fortë, goditjet standarde…
Po, ishte një skemë që e kishim praktikuar shumë shpesh në stërvitje. Në fakt, jo në të gjitha rastet kemi arritur ta realizojmë në perfeksion, siç ndodhi gjatë ndeshjes. Gjithsesi, Norvegjia mendonte se nuk do të ndëshkohej në goditje standarde…
Çfarë prisni për ndeshjen e kthimit kundër tyre?
Eh, do jetë akoma më e vështirë, për shumë arsye. Në radhë të parë, lojtarët e tyre nuk ishin në formë të mirë fizike në këtë sfidë, pasi kanë pak ndeshje që luajnë në kampionatet ku aktivizohen. Në qershor, kur është dueli tjetër, ata do jenë në top-formë. Së dyti, do luajnë me shumë agresivitet dhe këmbëngulje. Do sulmojnë më tepër dhe, kur e bëjnë një gjë të tillë, janë me të vërtetë shumë të rrezikshëm. Ata kanë lojtarë të shkëlqyer në sulm, të cilët dinë të bëjnë diferencën. Por, sërish do mundohemi t’i marrim masat si duhet…
Do jetë vendimtare për shanset tona për në Kupën e Botës ndeshja kundër Norvegjisë?
Kemi edhe shumë ndeshje dhe të gjitha janë të rëndësishme.
Sa larg mund të shkojë Shqipëria juaj?
Nëse qëndrojmë me këmbë në tokë, mund të shkojmë larg…

BashaBasha: Debutim perfekt nëse do shënoja
Migjen Basha ka debutuar me fanellën kuqezi, duke shijuar një fitore historike për Shqipërinë. Ishte hera e parë që mundnim një rival elitar, i cili cilësohej “kokë grupi” gjatë shortit. Mesfushori i Torinos pranon se është i lumtur për triumfin, edhe pse mendon se paraqitjet e tij do të jenë gjithnjë në përmirësim. “Jam shumë i kënaqur. Fituam një ndeshje të rëndësishme, ndërsa unë luaja për herë të parë. Norvegjia ka një skuadër të fortë, por ne i mundëm në fushën e tyre, çka është një arritje e madhe”, – tha për “Panorama Sport” 26-vjeçari. Sa i përket paraqitjes së tij, ai ka deklaruar se dëshiron që të jetë gjithnjë në përmirësim. “Ky është vetëm fillimi im me Kombëtaren. Mendoj se me kalimin e kohës do luaj akoma më mirë. Do të jap maksimumin tim sa herë që të më jepet mundësia. Në fillim të ndeshjes ishte pak e vështirë se temperatura të ulëta, kundërshtari po ushtronte presing, por që ne i administruam me sukses. Në pjesën e dytë mendoj se luajtëm akoma më mirë dhe shënuam gol”, – vijoi Basha. Në fakt, ai shpërdoroi një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, kur gjuajti nga brenda zonës dhe topi kaloi afër me shtyllën e djathtë të portierit. “Nuk kisha kohë për të menduar. Ndalova topin dhe e gjuajta menjëherë. Për fat të keq nuk shkoi në portë. Do të ishte perfekte po të shënoja. Gjithsesi, fakti që nuk e dërgova topin në rrjetë nuk ndikoi në rezultat, pasi ne i morëm tri pikët. Kjo është më e rëndësishmja pa diskutim”, – shtoi futbollisti i Torinos. Ndërkohë, i pyetur për faktin se si ka mundësi që nuk po aktivizohet më si titullar te skuadra e Serisë A, ndërkohë që ishte i qëndrueshëm në formacion në fillim të sezonit, ai përfundoi: “Nuk e di, pasi nuk është në dorën time. E vendos trajneri. Në fakt, nuk kam ndonjë arsye, pasi unë jam stërvitur normalisht dhe jam në formë të mirë fizike…”.

BulkuBulku: Skema e golit, e provuar edhe me Agollin
Skema e golit të Salihit ishte përdorur disa herë në stërvitje dy ditët para se të luhej ndeshja. Këtë e pohon edhe mesfushori Ervin Bulku, i cili ishte protagonist në atë gol “të gatuar” me shumë mjeshtëri. Mesfushori kuqezi rrëfen ndërkohë edhe një “prapaskenë” interesante sa u përket provave të bëra. “Ishte një skemë e provuar disa herë në stërvitje, sidomos gjatë dy ditëve të fundit para ndeshjes, – ka thënë Bulku për ‘Supersport’. – Mirëpo nuk ishte një skemë e përdorur vetëm me mua dhe Salihin. Ishte një skemë që trajneri De Biazi e kishte provuar edhe me golin e Salihit. Pra e kishim provuar nga të dy anët e fushës, si nga e majta dhe nga e djathta. Për të qenë i sinqertë, pak herë kishim arritur ta realizonim si duhet në stërvitje”. Më tej, mesfushori ka përsëritur se ishte një nga ndeshjet më të mira dhe më të rëndësishme që ka zhvilluar përfaqësuesja jonë. “Mendoj se meritë pati e gjithë skuadra dhe gjithë stafi, sepse ne shumicën e këtyre ndeshjeve të rëndësishme nuk jemi treguar në lartësinë e duhur. Për shkak eksperience, apo për motive të tjera, kemi hasur gjithnjë vështirësi. Të mundësh Norvegjinë në fushën e saj nuk është pak, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi kemi hedhur vetëm një hap të rëndësishëm. Misioni ynë është ende në gjysmën e rrugës dhe kemi shumë punë për të bërë nëse duam të vazhdojmë të ëndërrojmë”, – ka deklaruar Bulku.

Miqësorja, me Lituaninë do provohet Mavraj-Curri
Xhani de Biazi do e shfrytëzojë miqësoren kundër Lituanisë për të bërë prova para sfidës së radhës me norvegjezët. Trajneri i Shqipërisë do përballet me tri mungesa të rëndësishme si Roshi, Lila dhe Cana. Në fakt, ai do fokusohet më tepër te qendra e mbrojtjes, duke provuar dyshen Curri-Mavraj. Sa i përket kapitenit kuqezi, mund të aktivizohet një pjesë loje, ose në pozicion tjetër. Ndërkohë do të ketë eksperimente edhe për krahët e lojës, duke qenë se edhe Roshi e Lila janë përdorur si mesfushorë në ndeshjen e fundit. Gjithsesi ndaj Lituanisë De Biazi pritet të aktivizojë thuajse të gjithë lojtarët që nuk gjetën hapësira në ndeshjen e së premtes kundër Norvegjisë.

Mungon Salihi, u nis direkt për në Kinë
Hamdi Salihi e kreu me sukses misionin e tij në Kombëtare, duke vulosur fitoren në një ndeshje historike. Mirëpo, ai nuk do jetë në dispozicion të De Biazit për miqësoren e ardhshme, pasi është nisur menjëherë drejt Kinës. Sulmuesi shkodran nuk udhëtoi me ekipin përfaqësues nga Oslo për në Shqipëri, por vendosi të rikthehet te klubi ku aktivizohet. Në fakt, për hir të rrugës së gjatë dhe kalendarit, ai e kishte të pamundur që të ishte në dispozicion për këtë sfidë, çka trajneri De Biazi e cilëson si më se të justifikueshme.

Cana“Fitore e De Biazit, na nderoi edhe mbrojtja”
“Një fitore për meritë të Xhani De Biazit”. Katër ish-trajnerë të Kombëtares shqiptare ndër vite vlerësojnë maksimalisht kreun aktual të pankinës kuqezi për triumfin historik që Shqipëria arriti të premten në Norvegji. Astrit Hafizi, Sulejman Demollari, Neptun Bajko dhe Bejkush Birçe kanë analizuar dje për “Panorama Sport” ndeshjen ndaj nordikëve, si dhe kanë folur për të ardhmen e Kombëtares. Të gjithë janë në unison për sa i përket përgatitjes që i bëri këtij takimi trajneri De Biazi. Madje ka edhe nga ata, të cilët e quajnë guximin e italianit gati aventuresk për të marrë tri pikë ndaj një ekipi si Norvegjia në transfertë. Nga emra si Hafizi dhe Bajko, elozhe bëhen veçanërisht për mënyrën se si kuqezinjtë u mbrojtën në këtë transfertë. “Në aspektin mbrojtës skuadra është më mirë se në sulm”, – ka thënë Hafizi, i cili vuri në dukje edhe mungesën e një organizatori të mirëfilltë në Kombëtare, që mund t’u jepte një impuls më shumë kuqezinjve. Për Demollarin, heroi i ndeshjes ishte portieri Etrit Berisha, që me pritjet e tij u bë vendimtar. Këtë mendim ka edhe Hafizi, por gjithashtu dy ish-trajnerëve u ka pëlqyer loja në debutim e mesfushorit kosovar, Migjen Basha. “Edhe pse ndeshja e parë për të, ai në pjesën e dytë tregoi se ishte vërtet një lojtar cilësor, që do të na bëjë shumë punë”, – thonë ata. Ndërsa për Birçen më i vlerësuari është sulmuesi Hamdi Salihi që, sipas ish-trajnerit, bën diferencën në rolin e vet. Në lidhje me vazhdimësinë dhe ëndrrën për një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2014, të katërt ish-krerët e pankinës kuqezi janë të përmbajtur. Megjithatë, ata besojnë se këtë herë, më shumë se çdo edicion tjetër, Shqipëria ka shanse reale për ta mbyllur në një vend nderi. “Ky është një grup që ka diferenca të vogla dhe çdo rezultat është i mundshëm. Kemi shanse reale, duhet të guxojmë”, – shprehen njëzëri njerëzit që njohin shumë mirë ekipin kuqezi.

astrit-hafizi“Më pëlqeu loja e Bashës, në mbrojtje jemi më mirë”
Astrit Hafizi, trajneri që ka drejtuar Kombëtaren kuqezi në vitet 1996-1999, e cilësoi fitoren në Norvegji si super të merituar. “U realizua një ndeshje e llogaritur shumë mirë nga Kombëtarja jonë. Shfrytëzuam disa dobësi të kundërshtarit, që nuk e kishte organizuar mirë lojën. Në përgjithësi u zhvillua një lojë që na erdhi përshtat. Aplikimi i topave të gjatë nga norvegjezët bëri që mbrojtja jonë ta kishte shumë më të lehtë për t’i përballuar sulmet e tyre. Dyluftimet në ajër thuajse i fituam të gjitha, por diferencën e bëri momenti i Salihit, që u shfrytëzua në maksimum. Goli ishte perfekt për nga mënyra e realizimit. Ka qenë një skemë e llogaritur dhe në total mund t’ju them se merituam tri pikët në një ndeshje ku luajtëm më mirë se Norvegjia. Do të luajmë sërish ndaj tyre dhe unë jam i bindur se ata këtë herë do të jenë të rrezikshëm. Është nga ato ndeshje që duhet pasur shumë kujdes, pasi atë që bëmë ne në Norvegji, mund ta bëjë këtë herë në Shqipëri kundërshtari”, – ka thënë fillimisht Hafizi.
Repartet – “Në aspektin mbrojtës skuadra më është dukur më mirë se sa në atë sulmues. Pra, mendoj se jemi më të disiplinuar dhe më luftarak në mbrojtje si ekip. E vetmja rezervë që kam, është se ne duhet të fitojmë më tepër dyluftime ndaj kundërshtarëve. Po ta bëjmë këtë, sigurisht që do të jemi edhe më mirë. Gjithsesi, unë mendoj se pikën më të fortë e kemi në mbrojtje. Mungesa e një lojtari organizator, që merr përsipër lojën tonë, bën që të mos jemi në nivelin e duhur në sulm”.
Befasia – “Në pjesën e dytë më bëri shumë përshtypje loja e Bashës. Edhe pse ne si skuadër nuk ishim në nivelin e 45 minutave të para, më pëlqeu loja e tij. M’u duk një futbollist shumë i sigurt sa herë që prekte topin, por të mos harrojmë se ishte vetëm ndeshja e parë e tij. Mendoj se është një lojtar interesant, që do t’i shërbejë ekipit kombëtar. Nuk dua të lë jashtë portierin Berisha, i cili ishte vendimtar në Norvegji”.
Kualifikimi – “Duke parë kundërshtarët që kemi në grup, përjashto deri-diku Zvicrën, diferencat janë minimale, për të mos thënë që nuk ka mes skuadrave. Është momenti që Kombëtarja jonë tashmë të guxojë dhe të pretendojë për të ruajtur vendin e dytë. Shanset janë reale dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum dobësitë e kundërshtarëve. Duhet të pranojmë se nuk kemi një Norvegji të jashtëzakonshme apo Slloveni të viteve të shkuara, ndërkohë që Islanda është ekipi që po tregon rritje. Gjithsesi, edhe vendi i tretë në grup mendoj se është një arritje e madhe e ekipit tonë”.

Demollari“Berisha heroi i ndeshjes, një bravo për trajnerin”
Për Sulejman Demollarin, trajnerin që ka drejtuar për një periudhë të shkurtër kuqezinjtë, në Norvegji u duk më shumë se kurrë dora e italianit De Biazi. “Përgatitja e ndeshjes ishte në maksimum nga trajneri De Biazi. Këtu dua të fus edhe ekzekutimin super të shënimit të golit, që sigurisht është provuar disa herë në stërvitje. Këtë herë, ndryshe nga ndeshjet e kaluara, Kombëtarja u paraqit me një kompaktësi dhe organizim shumë të mirë, duke e merituar plotësisht fitoren. Ishte nga ato ndeshje ku u duk veçanërisht dora e trajnerit. Gjithçka ishte përgatitur deri në detaje nga stafi teknik, ndërkohë që lojtarët i zbatuan në fushë idetë e De Biazit. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi Kombëtarja këtë herë tregoi edhe agresivitet në lojën e saj, por gjithashtu edhe ritëm. Nga ana tjetër ne rrezikuam jo pak herë edhe portën. Për mua arkitekt i kësaj loje ishte pa dyshim De Biazi me udhëzimet e tij”, – është shprehur Demollari, i cili ka qenë një futbollist i shquar i Kombëtares në vitet 1983-1995.
Lojtarët – “Më bëri përshtypje Basha, për të cilin ishte hera e parë që luante me fanellën e Kombëtares. Ishte një lojtar që rikuperonte mjaft mirë topat nga kundërshtari. Ai u tregua i saktë edhe në pasime, veçanërisht në pjesën e dytë, ku gaboi shumë pak. Kuptohet, në një ndeshje do të ketë edhe gabime. Gjithashtu dua të vlerësoj portierin Berisha, si heroin e ndeshjes në Norvegji. Dy raste ishin flagrante për të barazuar rezultatin kundërshtari, por ai tregoi cilësi”.
Shanset – “Tashmë shanset janë të mëdha. Që të pretendosh kualifikimin në Botëror, sigurisht që duhet të fitosh ndeshje në transfertë, jo vetëm brenda fushës tënde. Ne tashmë ia arritëm të bënim një hap të tillë dhe për hir të së vërtetës duhet të pretendojmë për të ruajtur vendin e dytë. Gjithsesi, nuk duhet të kalojmë në vetëkënaqësi, pasi ashtu si fituam, mund të humbim”.
Vazhdimësia – “Duhet vlerësim maksimal. Ashtu si u përgatit ndeshja në Norvegji, të përgatitet edhe ajo e kthimit. Mendoj se do të jetë më e vështirë, por ne duhet të provojmë shanset tona. Lojtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm duke dhënë maksimumin ne mund të ëndërrojmë. Ka ardhur një moment që ne të shfrytëzojmë këtë shans të madh që po na paraqitet. Jemi në një grup ku nuk ka skuadra që bëjnë diferencë dhe çdo rezultat është i mundshëm ndaj kujtdo kundërshtari. Kjo u konfirmua edhe të premten, kur Norvegjia tregoi se nuk kishte asgjë më shumë nga ne. Është momenti të tregohemi pragmatistë”.

Bajko_Neptun“Fituam se u mbrojtëm mirë, por tani nis më e vështira”
Taktika e ndjekur nga trajneri De Biazi bëri që Shqipëria të dilte me tri pikë nga Oslo. I këtij mendimi është edhe ishtekniku i kuqezinjve, Neptun Bajko, i cili e vlerëson skuadrën veçanërisht në aspektin mbrojtës. “U luajt një futboll i drejtë dhe mendoj se e merituam fitoren, duke llogaritur këtu pluset dhe minuset e çdo lojtari. Ishte një ndeshje që tregoi se kur luhet me disiplinë, zbaton detyrat e trajnerit dhe je i përqendruar gjatë gjithë 90 minutave, në fund rezultati nuk mungon. Këtë bëmë në Norvegji dhe prandaj çdo gjë foli mirë për skuadrën tonë. Një nga vlerat e kësaj ndeshjeje ishte se ekipi kombëtar iu përshtat shumë mirë terrenit dhe luajti thjesht. Mbi të gjitha dhe më e rëndësishme ishte fakti që skuadra luajti shumë mirë në aspektin mbrojtës”, – ka thënë trajneri 64-vjeçar, i cili u vendos në krye të pankinës kuqezi në vitin 1994.
Vlerësimi – Më tej, Bajko vlerëson trajnerin italian. “Ashtu siç morën vlera lojtarët për paraqitjen që bënë, edhe trajneri De Biazi ka pa diskutim meritën e tij të madhe në këtë fitore. Personalisht mendoj se një nga meritat e trajnerit italian është se ka filluar ta njohë futbollin shqiptar dhe lojtarët që ka në dispozicion, të cilët mund të ndihmojnë shumë në këtë Kombëtare. Pra, De Biazi po u merr maksimumin”, – ka shtuar ai. I pyetur se kush nga lojtarët i bëri më shumë përshtypje gjatë ndeshjes, Bajko u përgjigj: “Nuk dua të bëj dallime. Kur luhet në mënyrë kolektive dhe atëherë kur zbatohen detyrat e luhet një futboll i ndershëm me të gjitha vlerat që ke si ekip, atëherë çdo gjë është e mundshme për të marrë rezultatin maksimal”.
E ardhmja – Në lidhje me të ardhmen e skuadrës, ish-trajneri ndër të tjera deklaroi se shanset janë reale, por Shqipëria duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. “Tashmë fillon më e vështira për ne si ekip, por duhet studiuar çdo ndeshje që vjen, pasi nuk do të jetë e lehtë. Që në fillim të edicionit, kur ne kishim njohur kundërshtarët në grup, mendimi im ka qenë se Shqipëria duhet të tentonte për të arritur diçka më pozitive se çdo edicion tjetër. Ne tashmë do të luajmë ndeshjen e radhës në grup, sërish ndaj Norvegjisë. Do të jetë sigurisht më e vështirë, por nuk mund të them tashmë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të arritur një tjetër fitore. E thashë më lart, është një moment delikat dhe tani nis e vështira për ne”, – ka përfunduar ish-trajneri i Partizanit.

Birce“Shqipëri e etur, De Biazi më befasoi me… aventurën”
Bejkush Birçe e shikon Shqipërinë të etur për suksese, ndërkohë që vlerëson së tepërmi trajneri Xhani De Biazi. “Sigurisht që nuk ishte një fitore e zakonshme. Kishim përballë një skuadër, e cila ka një histori deri diku të lavdishme në futbollin europian. Për ne është natyrisht një sukses i madh, por mendoj se e merituam fitoren me atë rezultat. Mund të luash shkëlqyeshëm, por nuk arrin dot te fitorja. Ky ishte ndryshimi këtë herë, pasi bëmë atë që na mungonte në ndeshje të tilla delikate. Ishte një triumf që në opinionin sportiv ndërkombëtar e zvogëlon distancën që ne kemi pasur me ekipet e tjera në Europë. Kjo është shumë e rëndësishme për një Kombëtare si e jona”, – u shpreh fillimisht ish-trajneri.
Surpriza – “Ajo që më befasoi ishte aventura e De Biazit, i cili e ushqeu skuadrën me moral dhe psikologji të lartë përpara ndeshjes. Ai deklaroi hapur se kërkonte tri pikë dhe jo një. Kjo në njëfarë mënyre e karikoi shumë ekipin, duke ndikuar direkt në moralin e lojtarëve. Ishte një aventurë që vlejti dhe personalisht më befasoi, pasi De Biazi foli i bindur në prag të ndeshjes dhe kjo për trajnerët nuk ndodh shpesh. Ana taktike dhe vendosja që ai i bëri skuadrës ishte shumë e mirë. Ekipi m’u duk kompakt dhe kishte stabilitet në lojë. Gjithçka u duk që në minutat e para ndaj Norvegjisë, sepse Kombëtarja u fut me shumë besim në fushë. Ishte mjaft e rëndësishme që ne nuk patëm frikë nga humbja”, – ka vazhduar Birçe. Ish-trajneri kuqezi në fillim të viteve `90-të, i pyetur për lojtarin që i bëri më shumë përshtypje, deklaroi: “Salihi është nga ata që bën diferencën. Nuk e them këtë ngaqë ai shënoi, por realisht ky sulmues mund të qëndrojë gjatë pa e prekur topin, mirëpo në momentet decizive të ndeshjes të nderon”.
Vazhdimësia – “Unë shikoj një Shqipëri të etur për fitore. Megjithatë, është një moment që ne duhet të kemi sa më shumë lojtarë në dispozicion, në mënyrë që edhe trajnerit t’i thjeshtohen zgjedhjet. Mund të gjendemi përballë një problemi, nëse ndodh fenomeni i Kosovës dhe na largohen disa futbollistë. Megjithatë, është momenti që skuadra të qëndrojë larg euforisë, sepse me një humbje të zbehet gjithçka. Realisht i kemi mundësitë për ta mbyllur në një vend nderi. Për të folur rreth kualifikimit, mendoj se na duhet shumë për të shkuar deri atje. Aktualisht jemi në valle, por duhet të dredhim shaminë”, – përfundoi 69-vjeçari, i cili aktualisht është anëtar i Komisionit të Etikës në FSHF.

“Fitorja më e bukur në transfertë”
Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, ka bërë një koment në rrjetin social “Facebook” në lidhje me fitoren e Kombëtares, duke u shprehur i emocionuar. Ai vlerëson skemën dhe guximin e trajnerit De Biazi, i cili luajti për ta fituar sfidën dhe ia doli mbanë: “Për mua kjo është fitorja më e bukur që ka bërë kombëtarja jonë jashtë Shqipërisë. Përgëzime trajnerit për rinovimin dhe taktiken që hodhi, guximi dhe kuraja u duk që në fillim, kur trajneri tha se ne do sulmojmë dhe kemi ardhur për fitore. Me këtë ekip neve na ndëshkon vetëm euforia dhe mendjemadhësia jonë. Duhet të besojmë se suksesi është shumë afër tani”, – shkruan Kushta.
JORGIS MEMO

kuqezinjteKuqezinjtë, 5 mijë euro premio për kokë
Futbollistët e Kombëtares shqiptare pritet të marrin një shpërblim të majmë pas triumfit shumë të rëndësishëm në Oslo kundër Norvegjisë. FSHF po mendon që të japë një premio të madhe për kuqezinjtë, duke i motivuar ata edhe më shumë për ndeshjet e ardhshme. Shuma që pritet të akordohet si shpërblim për ekipin kuqezi është afro 5 mijë euro për secilin.
Vendimi Menjëherë pas ndeshjes kuqezinjtë, stafi dhe zyrtarë të FSHF-së kanë festuar së bashku për minuta të tëra. Më pas është diskutuar ndërmjet krerëve të federatës edhe shpërblimi për suksesin e arritur ndaj vikingëve. Sipas një vendimi të miratuar vite më parë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, lojtarët shqiptarë shpërblehen me nga 3 mijë euro secili për fitoret e arritura në ndeshjet kualifikuese. Ka pasur raste kur shpërblimi në të kaluarën ka qenë edhe 5 mijë euro. E sigurt është që futbollistët do të marrin premion prej tre mijë eurosh nga federata, por drejtuesit e institucionit të futbollit pritet të akordojnë një shpërblim special , për ta mbajtur skuadrën të karikuar.
De Biazi Trajneri italian ka dhënë sinjale të qarta se ka dëshirë të rinovojë me Shqipërinë, por nëse skuadra ecën me këto ritme, atëherë duhet riparë edhe kontrata financiare. Gjithsesi, mbetet për t’u parë pjesa e dytë e edicionit të Kombëtares sonë, sepse shpesh kuqezinjtë kanë pasur një start mbresëlënës, por më pas kanë zhgënjyer duke mos arritur të mbajnë ritmin.

QiproQipro ndal Zvicrën, “luftë” për dy vende në Grupin E
Zvicra e trajnerit Otmar Hicfeld është ndalur në një barazim pa gola në Qipro. Kryesuesit e Grupit E, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk kanë mundur dot të bëjnë një hap të madh për t’u shkëputur me 4 pikë nga vendi i dytë. Ishullorët kanë luajtur mirë, madje kanë pasur mundësi edhe për ta fituar takimin. Rastet për qipriotët nuk kanë munguar, por Hristofi, Theofilu dhe Efraim në fund nuk janë treguar të saktë përballë portierit Somer. Një mundësitë artë ka pasur edhe kosovari i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, por pa mundur ta konkretizojë në gol. Fantazisti që luan për Bajernin e Mynihut ka luajtur për 90 minuta, ndërsa kosovari tjetër Valon Behrami, edhe pse ishte titullar, u zëvendësua në minutën e 76-të. Nga ana tjetër, mesfushori Granit Xhaka e nisi nga stoli, për t’u aktivizuar më pas në fillimin e pjesës së dytë. Lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi, nuk u aktivizuan nga Hicfeld. Pas këtij barazimi, gjithçka në Grupin E është e hapur për vendin e parë. Zvicra kryeson e vetme me 11 pikë, ndërsa e ndjekin Shqipëria dhe Islanda me nga 9 pikë. Ndeshjet e radhës që do të luhen më 7 dhe 8 qershor të këtij viti janë: Islandë-Slloveni, Shqipëri-Norvegji dhe Zvicër-Qipro. Pas 5 takimeve të para “lufta” është bërë e madhe dhe thuajse të gjitha skuadrat kanë shanse për të qenë në fund mes dy vende të para në renditje.


agolliDITA E NDESHJES
Salihi eurogol, k
ryevepër kuqezi në Oslo
Nga i dërguari ynë në Oslo, FATION SHEHU
Kryevepër kuqezi në Oslo. Në një mbrëmje kur temperaturat shkonin deri në -10 gradë celsius, ata që “ngrinë” në fakt ishin vendësit. Kjo falë një skuadre që, si rrallëherë ndonjëherë në një ndeshje në transfertë, hyri në fushë jo thjesht për t’u mbrojtur. Një perlë e mirëmenduar dhe e provuar më parë nga De Biazi në seancat stërvitore, e konkretizuar nga bomberi Salihi; një skuadër e vendosur gati me milimetra në fushë dhe teknikisht thuajse perfekte, si dhe një super Etrit Berisha, bënë që vikingët të dilnin kokulur nga “Uleval Stadium”. Ishte fitorja e “murit” defensiv: Mavraj “të çmendte” me qetësinë e tij, Agolli luftarak e Dallku pozicional në mjaft momente të vështira. Ishte fitorja e mesfushorëve: me një Bulku të palodhur dhe me Bashën, i cili tregoi se vinte nga Seria A, sidomos në pjesën e dytë duke administruar mesfushën. Ishte fitorja e Salihit dhe Çanit, një gjigand ky i fundit që fitoi thuajse çdo dyluftim me kundërshtarin. Por, mbi të gjitha, ishte fitorja e Xhani De Biazit. Moduli 4-4-2, i zgjedhur nga italiani, ndryshonte si me buton në varësi të aksionit: kur ishim ne në sulm shihje edhe Lilën brenda zonës norvegjeze dhe kur sulmonin vendësit, nuk përbënte lajm, teksa topi largohej prej Edgar Çanit.

Stadiumi “Ulevall”, Oslo
Kualifikuese për “Botërorin 2014”, grupi E
N
ORVEGJI-SHQIPERI 0-1
Golat: Salihi 67′
NORVEGJIA: R.Jarstein, Høgli, Forren, Hangeland, J.Riise, Søderlund (V.Berisha 74′), M.Henriksen, Nordtveit, R.Jenssen, Elyounoussi (King 62′), Moa. Trajner: E.Olsen
SHQIPERIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80′), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi, Cani (Bogdani 75′). Trajner: De Biazi
Gjyqtarë: Kevin Blom, Rob Van De Ven, Dave Goossens (Hollandë)
Kartonë të verdhë: Forren 53′ / Roshi 43′, Cana 77′, Lila 85′, Agolli 90+3′
Karton i kuq: Lila 88

Ndeshja – Takimi nis mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët provojnë që në minutën e dytë me anë të Salihit, por gjuajtja e këtij të fundit u prit pa vështirësi nga portieri vendës. Sakaq Norvegjia shtyn disi përpara duke marrë iniciativën, ndërsa duhet thënë se me pak më shumë fat edhe mund të na kishte ndëshkuar kur një top tokazi në zonën tonë nuk u devijua si duhet nga mesfushori Soderlund. Megjithatë kuqezinjtë nuk shpërqendrohen, por në mjaft raste tentojnë të vënë në lëvizje shpejtësinë e Roshit nga krahu, si dhe kokën e Çanit, i jashtëzakonshëm thuajse në çdo dyluftim me mbrojtësit norvegjezë. Gjithsesi kemi momente kur kthehemi në origjinë duke gabuar në mesfushë, si në minutën e 36-të, kur Basha e teproi me mbajtjen e topit. Kundërsulm i norvegjezëve, Abdelaoue pason për Eljounousi në zonë, i cili gjuan plot siguri drejt portës, por fatmirësisht sfera ndalet nga Dallku dhe përfundon në korne. Momente paniku te porta jonë, por që nuk shfrytëzohet si duhet fatmirësisht nga vendësit.
Goli – Edhe fillimi i pjesës së dytë “flet” shqip. Përveç një goditjeje dënimi të dhuruar nga arbitri në hyrje të zonës, Norvegjia nuk pati ndonjë rast të pastër shënimi. Madje as rivëniet me dorë, të cilat thuajse në të gjitha rastet ktheheshin si një goditje dënimi për vendësit, nuk prodhuan asgjë. Kjo edhe për një mbrojtje tejet të kujdesshme të kuqezinjve e dirigjuar nga portieri Berisha. Sakaq tenton edhe Bulku të marrë një penallti, për një rrëzim në zonë, por arbitri vazhdon lojën. Mirëpo jo për shumë kohë. Minuta e 66-të, Lila tenton të futet në zonë nga krahu i djathtë dhe rrëzohet nga një mbrojtës. Arbitri akordon goditje dënimi për kuqezinjtë. Te topi shkon Bulku dhe aty kur pritej një kros në zonë, vjen skema: top tokazi në qendër të zonës, aty ku shkëputet bukur Salihi, i cili pa u menduar dy herë gjuan menjëherë duke shtangur portierin. Vendësit nuk u besojnë syve dhe nisin ofensivën ndaj portës së Berishës, por ky i fundit është në një natë perfekte dhe kthehet në një digë të pakalueshme për çdo top që u hodh në zonën e tij. Në fund ka edhe pak ngjyrim arbitral pasi, ashtu sikundër në Bosnjë, edhe në Oslo gjyqtari holandez na lë me një lojtar më pak. Si për koeçidencë është sërish Lila. Rasti i fundit u përket vendësve, por një super, super, super Berisha neutralizoi një gol të sigurt, duke i dhënë kështu Shqipërisë një fitore historike në transfertë.

De Biazi ne OsloDe Biazi: Ëndërrojmë kualifikimin
Kjo ishte një fitore e projektuar kryekëput nga ai. Meritë e lojtarëve pa dyshim që ishin të jashtëzakonshëm në fushë, por ama suksesi i Oslos ka pa diskutim aromë “Italie”. De Biazi ka pohuar se suksesi i djeshëm nuk ishte diçka që nuk e priste, por ndoshta jo me kaq shumë vuajtje. Sa për golin, ai është shprehur: “Ishte një skemë e provuar dhjetëra herë në stërvitje”.
Mister, ju ka ikur zëri…
Jo, jo, vazhdoj të kem aq sa për të folur gjatë për këtë fitore. Mendoj se e merituam, edhe pse na u desh të sakrifikonim shumë.
U patë shumë i nervozuar te kartoni i kuq që mori Lila. Mendoni se gjyqtari gaboi sonte (dje)?
Jo, në fakt mendoj se arbitrimi ishte korrekt. Sigurisht që e gjykova të nxituar të kuqin që dha për Lilën, sepse edhe mund ta kishte kursyer, por në tërësi mendoj se ishte një gjykim korrekt.
Si do ta përshkruanit gjendjen e tanishme?
I lumtur, i gëzuar, por mendoj se kështu jemi të gjithë. Kur fiton, jemi të gjithë të gëzuar. Ky ishte një sukses i merituar, sepse kishim punuar gjatë dhe me seriozitet për këtë arritje.
Sa e rëndësishme ishte kjo fitore?
Tej mase e rëndësishme. Ishte e rëndësishme sepse na lejon që të vazhdojmë të besojmë tek ëndrra jonë dhe të besojmë deri në fund se mund të bëjmë diçka të madhe. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk mund të themi se këtu mbaroi gjithçka.
Si ju duk Norvegjia?
Një skuadër e organizuar mirë dhe realisht e rrezikshme, por ne ditëm që ta përballonim si duhet.
Kujt ia dedikoni këtë fitore?
Tifozëve shqiptarë kudo që ndodhen, por sidomos atyre që ishin në stadium sonte (dje). Ishin të jashtëzakonshëm dhe na dhanë një ndihmë të madhe. Fitoren ia dedikoj gjithashtu edhe familjes sime, sepse jam i bindur që edhe ata festojnë, sakrifikojnë dhe vuajnë ashtu si unë në çdo ndeshje të Shqipërisë.
Goli i Salihit ishte skemë, apo u improvizua aty?
Jo, jo, ishte skemë. E kishim provuar disa herë në stërvitje. Salihi ka meritën që ishte në sinkron total me Bulkun dhe finalizoi mjeshtërisht.
Cili lojtar ju bëri më tepër përshtypje në këtë ndeshje?
Të gjithë. Ishin vërtet të shkëlqyer.
Po Berisha?
Po, Berisha u tregua vendimtar në dy raste dhe mendoj se sot tregoi edhe njëherë se çfarë potencialesh të mëdha ka.

egilolsenOlsen: Shqipëria kishte fat, por nuk na vodhi asgjë
Nuk e kishte menduar se skuadra e tij do të mundej në Oslo nga Shqipëria. Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, është parë mjaft i mërzitur pas disfatës së djeshme 1-0. Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, tekniku i përfaqësueses norvegjeze është shprehur: “Mund të them se Shqipëria luajti shumë mirë në mbrojtje dhe në sulm. Megjithatë, përfaqësuesja kundërshtare pati shumë fat”. Me këto fjalë e nisi prononcimin e tij përpara mediave trajneri Olsen. Më pas, tekniku norvegjez vazhdoi të analizonte më në detaje sfidën, si dhe bëri konstatimet e tij se ku gaboi skuadra që drejton. “Problemi ynë ishte se humbëm luftën në ajër. Shqipëria pati fat, por mendoj se kishte edhe një portier të jashtëzakonshëm. Megjithatë, ata nuk vodhën asgjë nga ky takim. Pavarësisht se u mundëm, mendoj se kualifikimi mbetet i hapur. Janë shumë takime deri në fund dhe kam besim se do të rikthehemi tek fitorja në ndeshjen e radhës. Duhet ta kalojmë këtë disfatë dhe të mendojmë për vazhdimësinë. Ishte një humbje që duhet ta harrojmë sa më shpejt”, përfundoi trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen. Me humbjen e djeshme, përfaqësuesja norvegjeze zbriti në vendin e katërt në Grupin E. Nordikët renditeshin në vendin e dytë me 7 pikë përpara ndeshjes së djeshme, por nga humbja që pësuan, përfitoi Shqipëria dhe Islanda që u ngjitën të dyja në kuotën e 9 pikëve. Në takimin e ardhshëm eliminator, Norvegjia do të përballet sërish me Shqipërinë, por kësaj radhe në Tiranë, takim që do të zhvillohet më datë 7 qershor.

Salihi goool“Goli më i rëndësishëm, ia dedikoj Shkodrës”
Ka qenë pa dyshim njeriu i ndeshjes së djeshme, ku Shqipëria arriti një fitore mbresëlënëse në Oslo të Norvegjisë. Hamdi Salihi ka realizuar një perlë të vërtetë, duke ngritur peshë të gjithë tifozët kuqezi të pranishëm në shkallët e stadiumit. Në intervistën e dhënë për “Supersport” pas ndeshjes, sulmuesi shkodran, i cili është pjesë e kampionatit kinez, e vlerëson golin e djeshëm si një nga më të bukurit dhe më të rëndësishmit në jetën e tij, pasi i ndezi shpresat e Kombëtares sonë për një kualifikim të mundshëm për më tej.
Shënuat një gol të bukur dhe me mjaft vlerë. Si ndihesh?
Po, është e vërtetë. Mendoj se është një nga golat më të bukur në karrierën time, ndërsa do të shtoja se është edhe një nga më të rëndësishmit.
Kujt ia dedikon Salihi këtë gol?
Në këto momente mund t’ua dedikoj gjithkujt, miqve, tifozëve, familjes, por në veçanti dua t’ia dedikoj Shkodrës, qytetit tim dhe të gjithë njerëzve në atë qytet, të cilët gëzohen për këtë gol sikur të jenë pjesëtarë të familjes sime. E di që të gjithë njerëzit në atë qytet gëzohen shumë edhe sikur të jem duke luajtur unë, por edhe sikur të jetë duke luajtur çdo qytetar në atë qytet. Për këtë arsye kam vendosur që golin më të rëndësishëm në jetën time t’ua dedikoj pikërisht atyre. I falënderoj shumë për të gjithë mbështetjen që më kanë dhënë gjithmonë. Në momentin që shënova golin festova si një baba, por doja edhe të puthja flamurin shqiptar, ndaj dhe u drejtova nga tifozët.
Të kthehemi te ndeshja. Kjo skuadër tregoi më në fund se mund t’ia dalë të fitojë përballë çdo kundërshtari…
Unë e kam ditur dhe kam besuar gjithmonë se mund t’ia dalim, thjesht duhet të rregullojmë disa gjëra të vogla. Sot (dje) nuk bëmë shumë gabime, vetëm disa të vogla, por me pak fat dhe me një ditë të mrekullueshme të portierit Berisha arritëm ta mbanim këtë rezultat. Megjithatë në të ardhmen duhet të përmirësohemi dhe të rikuperojmë diçka në lojën tonë, në mënyrë që në ndeshjen e ardhshme të bëjmë sa më pak gabime.
Në momentin e shënimit kemi vënë re që festuat veçanërisht me Bogdanin. Mos ndoshta çelësi i suksesit të De Biazit është edhe fryma miqësore brenda grupit?
Ne jemi munduar gjithmonë që ta mbajmë këtë frymë në Kombëtare, edhe pse me largimin e një brezi lojtarësh dhe ardhjen e futbollistëve të rinj u duk sikur kjo frymë u zbeh pak, por nuk ndodhi kështu. Te Kombëtarja atmosfera është shumë miqësore dhe rezultatet janë duke ardhur. Tani, në ndeshjet e tjera, duhet të marrim rezultate të tjera të tilla.

Norvegji-Shqiperi 0-1, Cana dyluftim nga ndeshjaCana: Triumf historik, gjyqtari e teproi
Lorik Cana e cilëson si një fitore historike atë ndaj Norvegjisë. Kapiteni i Kombëtares shqiptare foli dje pas ndeshjes për “Panorama Sport”, teksa theksoi se triumfi u dedikohet tifozëve kuqezi. “Këtë që arritëm këtu në Norvegji dua ta cilësoj si një fitore të madhe. Ishte një triumf për tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur fuqimisht deri në Oslo. Vërtet kemi bërë një punë të shkëlqyer gjatë gjithë 90 minutave. U organizuam në mënyrën më të mirë dhe në fund e merituam fitoren. Mbi të gjitha më duhet të them se trajneri De Biazi e kishte përgatitur ndeshjen mjaft mirë nga ana taktike. Ekipi ishte i mirëvendosur në fushë dhe i lamë pak hapësira kundërshtarit”, – ka thënë fillimisht kapiteni.
Arbitrimi – Cana ka qenë jo pak i nervozuar me gjyqtarin holandez Kevin Blom. Për gazetën, lideri i Kombëtares tregoi edhe momentin kur shkoi tek arbitri i katërt për të kërkuar llogari për kartonin e kuq të Lilës. “Mendoj se gjyqtari e teproi me kartonët. Personalisht nuk e meritoja kartonin e verdhë, i cili në këtë rast më penalizon për ndeshjen e ardhshme. Në momentin e nervozizmit, mund t’ju them se shkova te gjyqtari i katërt, pasi isha i bindur se faullin nuk e kishte bërë Lila. Megjithatë, tashmë kjo i përket së kaluarës”, – shtoi Cana.
E ardhmja – I pyetur nëse kjo Shqipëri mund të ëndërrojë tashmë kualifikimin, qendërmbrojtësi kuqezi u tregua realist. “Është ende herët për të menduar kualifikimin. Sot (dje) e rëndësishme është që arritëm të fitonim dhe bëmë diçka historike. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe ky ishte vërtet një hap i madh për ne. Megjithatë, jam i bindur se ndeshja e radhës me Norvegjinë do të jetë më e vështirë për ne. Favori që kemi, është se luajmë në shtëpi dhe tifozët do të na shtyjnë drejt një tjetër fitoreje”.
Mungesa – Cana nuk do të jetë në ndeshjen e kthimit kundër Norvegjisë, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. “Më vjen shumë keq, por jam i bindur se nuk do të ndikojë mungesa e ime për çështje taktike. Ndoshta më shumë do të ndikojë motivimi që u jap shokëve të skuadrës”, – deklaroi 29-vjeçari. Në fund, i pyetur se cili nga lojtarët mund ta zëvendësojë atë në mbrojtje, Cana u shpreh: “Mendoj se është Curri, i cili mund të formojë një dyshe të mirë me Mavrajn. Besoj shumë te cilësia që ka Debatiku”.

Berisha ne ajer“Përjetova minuta ankthi, i lumtur për këtë fitore”
Etrit Berisha me pritjet e tij ruajti të paprekur portën e Shqipërisë. Shtatlarti kosovar bëri një prezantim të shkëlqyer në ndeshjen e djeshme, teksa në fund u vlerësua jo pak edhe nga trajneri Xhani De Biazi. I emocionuar pas kësaj fitoreje, Berisha tregoi për “Panorama Sport” minutat e ankthit. “Kur ishim me 10 lojtarë, sigurisht që duhej të ishim shumë të përqendruar. Personalisht u mundova të isha i qetë, pasi ishin minuta shumë të rëndësishme. Besoj se e kam bërë detyrën time në maksimum. Jam i lumtur që kontribuova në këtë fitore. Kemi kënaqur tifozët, të cilët na kanë përkrahur jo pak. Mendoj se e merituam plotësisht me lojën që bëmë. Tashmë duhet të vazhdojmë kështu. Sigurisht nuk duhet të bëhemi euforikë, sepse na presin takime më të vështira. Kualifikimi? Të gjithë e ëndërrojmë, por mendoj se është herët për të folur. Ndeshja e kthimit me Norvegjinë do të jetë vendimtare, por deri atëherë ka kohë. Duhet ta përgatisim në mënyrën më të mirë atë sfidë, ashtu siç bëmë sot. Tashmë jemi të qetë dhe mendojmë vetëm për festën e fitores, të cilën e ndajmë me mijëra tifozët kuqezi që ishin në Norvegji dhe gjithë shqiptarët anembanë botës”, – është shprehur portieri Berisha.

BulkuBulku luan me injeksion: Në Norvegji bëmë hapin e madh
Luan i dëmtuar, lufton shumë gjatë gjithë ndeshjes dhe për më tepër bëhet protagonist te goli i fitores së Shqipërisë. Ervin Bulku ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë ndaj Norvegjisë. Falë eksperiencës së tij, 32-vjeçari arriti që bashkë me Bashën në qendër të mesfushës t’i bllokonte norvegjezët. Pas ndeshjes, i emocionuar nga fitorja, Bulku tregoi se ka luajtur me injeksion, për shkak të dëmtimit që ai kishte pësuar pak ditë më parë në një ndeshje të Sepahanit, skuadrës së tij në Iran. “Jam shumë i lumtur që sot (dje) arritëm një fitore kaq të rëndësishme. Mendoj se kemi bërë një hap të madh, pra atë që nuk e kemi bërë kurrë në gjithë këto vite. Ishte një ndeshje, në të cilën e merituan fitoren, pasi guxuam. Nuk vodhëm asgjë përballë Norvegjisë, që tregoi se nuk është ndonjë kundërshtar me diferenca karshi nesh. Megjithatë, pas këtij trepikëshi të artë jashtë fushës sonë, ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Është herët për të folur rreth një kualifikimi të mundshëm në Botërorin 2014. Duhet të vazhdojmë të luajmë kështu për të arritur rezultatet maksimale”, – është shprehur Bulku për “Panorama Sport” menjëherë pas përfundimit të takimit. Në fund ai sqaroi se ka sakrifikuar shumë në këtë sfidë. “Kam luajtur me injeksion për shkak të një dëmtimi që kam pësuar. Gjithsesi, mendoj se kam dhënë maksimumin tim”.

MavrajMavraj: U mbrojtëm mirë, por na shpëtoi Berisha
Mërgim Mavraj ishte në delir pas ndeshjes së djeshme. Mbrojtësi kosovar i përfaqësueses deklaroi për “Panorama Sport”, se një rol të rëndësishëm në këtë fitore pati portieri Etrit Berisha. “Është një fitore që na bën shumë të lumtur dhe për këtë falënderojmë tifozët, të cilët na mbështetën fuqimisht. Gjithçka u dedikohet atyre. Mendoj se kemi qenë shumë mirë në mbrojtje, por në të njëjtën kohë sulmi ishte aktiv gjatë gjithë ndeshjes. Shfrytëzuam rastin që patëm dhe kjo mendoj se mjaftoi. Gabimet? Çdo lojtar bën gabime, pasi nuk mund të jemi perfektë. Mendoj se një rol të rëndësishëm në këtë fitore pati portieri Berisha. Na shpëtoi jo pak herë, sepse norvegjezët na rrezikuan”, – është shprehur Mavraj, i cili dje tregoi një formë të shkëlqyer, duke spikatur në mbrojtje.

CaniEdgar Çani: Bëmë një ndeshje super
Sulmuesi Edgar Çani ishte një nga ata që spikati në takimin e djeshëm. Për “Panorama Sport”, shtatlarti që luan me Katanian në Serinë A deklaroi: “Jam shumë i lumtur që arritëm një fitore ndaj një kundërshtari të fortë si Norvegjia. Mendoj se bëmë një ndeshje të madhe dhe në fund merituam gjithçka me atë që dhamë në fushë”. I pyetur për këshillat që trajneri De Biazi i kishte dhënë sulmuesit, ky i fundit tregoi: “Na tha të lëviznim sa më shumë dhe të qarkullonim topin. Zbatuam detyrat e trajnerit dhe fituam ndeshjen”. Vlen për t’u theksuar se pas çdo goditjeje standarde, Çani kthehej në mbrojtje për të ndihmuar skuadrën. Madje jo pak herë sulmuesi ka larguar topin nga zona e kuqezinjve, duke shkëlqyer edhe në fazën mbrojtëse të ekipit.

LilaLila i sinqertë: Arbitri s’gaboi, e meritoja kartonin
Në një natë të tillë madhështore, të gjithë duan të jenë sa më pozitivë dhe natyrisht edhe të sinqertë. Dhe kur kjo vjen edhe nga Andi Lila, atëherë themi se vërtet kuqezinjtë ishin në qiellin e shtatë. Kjo për faktin se mbrojtësi teorikisht duhej të ishte i vetmi disi i mërzitur, pasi u ndëshkua me karton të kuq në fund të takimit dhe për më tepër nga i njëjti arbitër që e dënoi edhe në 2011 në ndeshjen ndaj Bosnjës. Megjithatë kavajasi, me një sinqeritet për t’u admiruar, ka pohuar se në rastin e dytë ai e meritonte kartonin e verdhë dhe më pas edhe të kuqin. “E meritoja të kuqin. E bëra atë ndërhyrje, sepse nëse rivali na ikte kishte shumë mundësi të na ndëshkonte me gol. Më vjen keq për kartonin e kuq, por jam i lumtur për fitoren. Ndoshta ndihem i çliruar për faktin që fituam, por gjithsesi në këtë rast, që të jem i sinqertë, arbitri nuk gaboi. Ndërkohë, them me bindje se ishte një nga netët e mia të paharrueshme. Një nga ato net që vështirë se mund të fshihet nga kujtesa. E merituam denjësisht këtë fitore, pasi luajtëm nga minuta e parë deri në fund me një përqendrim maksimal. Çka dëshmon për forcën që ka kjo skuadër. Shpresojmë që të bëjmë një ndeshje të bukur edhe kur t’i presim norvegjezët në Shqipëri”, – ka thënë dje Lila në përfundim të takimit. Lojtari i PAS Janinës luajti në pjesën më të madhe të kohës si mesfushor i djathtë në këtë ndeshje. Vetëm pas daljes së Dallkut u spostua sërish në pozicionin e tij natyral, atë të mbrojtësit të djathtë.
Kevin Blom, “makthi” i Andi Lilës Kevin Blom mund të konsiderohet pa frikë si një “makth” për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Andi Lila. Ashtu si para dy vitesh, edhe mbrëmë ai e nxori me karton të kuq kavajasin, pavarësisht se në ndryshim thelbësor nga njëra ndeshje në tjetrën. “Bilbili” na ka gjykuar edhe në ndeshjen e para dy viteve në muajin qershor ndaj Bosnjës në Zenicë, ku Shqipëria humbi 2-0. Atje, arbitri u përfol pikë së pari për faktin se bujti në të njëjtin hotel me përfaqësuesen boshnjake (e palejueshme totalisht nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s) dhe së dyti për “dorën e rëndë”, pasi ndëshkoi direkt me karton të kuq Lilën në minutën e 86-të, pas një ndërhyrjeje në mesfushë kundër Rahimiç. Vendimi shkaktoi goxha zemërim te kuqezinjtë, por në fund askush nuk u mor me arbitrin, kjo për faktin se gjithë mediat dhe analistët kritikuan zgjedhjet e ish-trajnerit tonë Josip Kuzhe. Mirëpo mbrëmë Blom bëri të njëjtën gjë me Lilën, por tani me një ndryshim: se në minutën e 85-të e ndëshkoi me karton të verdhë dhe në të 89-ën i dha të verdhin e dytë dhe automatikisht të kuqin.

Presidenti Duka: Jemi pretendentë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbritur menjëherë në fushë pas ndeshjes për të përqafuar lojtarët e Kombëtares. “Kjo fitore është për të gjithë shqiptarët. Ajo u takon atyre, sepse vjen në mënyrën e vetë më origjinale, teksa hap rrugët e pretendimit tonë për t’u kualifikuar në Botërorin 2014. Më në fund kemi një endërr dhe jetojmë me shpresën reale për kualifikim”,- deklaroi Duka.

Tri mungesa në ndeshjen e kthimit ndaj Norvegjisë
Fitorja e djeshme ndaj Norvegjisë në Oslo ka edhe anën tjetër të medaljes për Kombëtaren shqiptare. Kjo pasi trajneri Xhani De Biazi në ndeshjen e kthimit ndaj norvegjezëve, e cila do të luhet në 7 qershor të këtij viti, nuk do të ketë të gatshëm tre prej lojtarëve të tij titullarë, që janë të ndëshkuar me kartonë. Kështu, kapiteni Lorik Cana ka marrë dje karton të verdhë, duke plotësuar numrin dhe nuk do të jetë në qendër të mbrojtjes. Po ashtu edhe Lila, i cili dje u ndëshkua me dy kartonë të verdhë dhe e la ekipin tonë përfaqësues me 10 lojtarë për disa minuta. Një tjetër mungesë e rëndësishme do të jetë ajo e Roshit, i cili gjithashtu është i penalizuar. Megjithatë trajneri italian i Kombëtares pritet të provojë alternativa të tjera në miqësoren e pas disa ditëve me Lituaninë.

dekorDekor kuqezi, tifozët shqiptarë “pushtojnë” Oslon
Ashtu si në çdo takim, edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Norvegjisë, ultrasit kuqezi nuk kanë munguar në shkallët e stadiumit, madje kanë dhuruar edhe spektakël. Nga 12 mijë të pranishëm në stadium, rreth 4 mijë kanë qenë shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë banorë të Norvegjisë dhe një pjesë tjetër kanë udhëtuar duke sfiduar temperaturat e ulëta të shtetit nordik. Edhe pse organizatorët e ndeshjes kishin hedhur në treg vetëm 1200 bileta për mbështetësit e Kombëtares sonë, këta të fundit kanë arritur të sigurojnë edhe plot 2800 të tjera, për të qenë të pranishëm në një ndeshje të tillë. Për shpërblimin e tyre ka menduar pikërisht Salihi, i cili me atë gol i bëri të gjithë ta harronin të ftohtin dhe të festonin gjatë. Duhet thënë se në minutat e fundit të ndeshjes tifozët kanë hapur edhe një flamur shqiptar rreth 22 metra të gjerë dhe 11 të gjatë, duke krijuar një atmosferë vërtet mjaft të ngrohtë.

Valon BerishaValon Berisha: Vërshëllimat? I prisja nga tifozët shqiptarë
TV 2, televizioni norvegjez që transmetoi edhe ndeshjen, i kushton një shkrim të posaqëm mënyrës se si u prit Valon Berisha, me vërshëllima, kur u angazhua në lojë. Mesfushori me rrënjë shqiptarë, sidoqoftë, mendon se ka mbetur më i trishtuar ngaqë Norvegjia u mund. “Shqiptarët e fituan ndeshjen, ndërsa ashtu siç pritej në tribunën e “Ullevaal” kishte mbështetës të konsiderueshëm miq, në mesin e 11.207 njerëzve të pranishëm në stadiumin kombëtar, të premten në mbrëmje. Flamuri shqiptar dominoi në të gjitha seksionet e tribunës së hapur dhe kur ekipi kombëtar norvegjez doli në nxehje, duartrokitjet e sjellshme të tifozëve vendas u mbytën nga koret e atyre të ardhur nga larg. Nuk është e dicka e zakonshme që të ketë kaq shumë tifozë të ekipit mik kur luajmë në fushën tonë. Jam i trishtuar nga humbja, – nënvizon Valon Berisha në faqen e internetit të TV2. – Pavarësisht se jam një lojtar me rrënjë shqiptare, kur u hodha në fushë nga trajneri kisha shpresën e kthimit të ndeshjes. Dëgjova vërshëllimat kontestuese të tifozëve shqiptarë kur u aktivizova, por u përpoqa të përqendrohesha te loja dhe të bëja gjithçka që ne ta fitonim ndeshjen. Kjo nuk ndodhi dhe të gjithë jemi të trishtuar, – vijon lojtari i Red Bull Salzburg. A e prisja një reagim të tillë prej tifozëve shqiptarë? Natyrisht që po, sepse ata nuk i pëlqejnë lojtarët me rrënjë shqiptare, që luajnë për vendet e tjera. Tre-katër të tillë janë pjesë e ekipit kombëtar zviceran dhe nuk janë mirëpranuar kur u takuan Shqipërinë. Madje janë kontestuar fort.”
Norvegjia do t’u kthejë vizitën shqiptarëve në Tiranë, pas rreth tre muajsh. Një humbje tjetër atje do të thotë se Kupa e Botës në Brazil, që zhvillohet vitin e ardhshëm, do të jetë pa pjesëmarrjen norvegjeze. Berisha dhe shokët e tij janë të vetëdijshëm për këtë, ndaj do të synojnë një performancë dhe rezultat krejtësisht ndryshe me përvojën e së premtes në “Ullevaal”. “Unë jam shumë i ngacmuar në lidhje me mënyrën se si ajo ndeshje do të luhet. Ndoshta do të jetë shumë më e vështirë për ne atje. Në Tiranë tifozëria krijon shumë më tepër energji për kombëtaren, – mendonBerisha. – Nëse Norvegjia do të shkojë në finalet e Kupës së Botës 2014 duhet të marrë fitoren në kthim me Shqipërinë. Për mua, e përsëris, do të jetë një gjë krejtësisht e veçantë për ta luajtur këtë lojë. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë pjesë e finaleve të një Kampionati Botëror më përpara, ndaj me pikët e grumbulluara deri më tani ëndërrojnë të shkojnë në Brazil.”

sulejman starova; trajner_1ANALIZA
Fitore me vlerë të trefishtë

Nga SULEJMAN STAROVA
Ishte një fitore e mrekullueshme jo vetëm për tri pikët që Shqipërisë i japin mundësi të luftojë për vendin e dytë, por edhe për dy faktorë të tjerë të rëndësishëm: moralin e lartë dhe lojtarët e fituar. E thënë ndryshe: ishte një fitore e trefishtë.
Loja Mendoj se fitorja erdhi si pasojë e impenjimit maksimal të të gjithë skuadrës, por edhe sepse trajneri e kishte studiuar në mënyrë të detajuar kundërshtarin. M’u krijua bindja se De Biazi e njihte aq mirë Norvegjinë, saqë i kishte llogaritur mirë thuajse të gjitha lëvizjet. E përsëris, skuadra pati një meritë të veçantë që u tregua e disiplinuar taktikisht, luftoi dhe besoi shumë në fushën e lojës, por pati edhe një element tjetër, që nuk duhet nënvlerësuar: në atë terren të vështirë u përshtat skuadra jonë më shumë sesa norvegjezët.
Taktika Mendoj se, përveç gjetjeve në pjesën e tërhequr të skuadrës ku binin në sy kryesisht lojtarë të gjithë me eksperiencë, ishte një gjetje edhe aktivizimi i tre lojtarëve si Çani, Salihi dhe Roshi në pjesën ofensive. Pse? Sepse luftonim mirë në tri aspekte: shtatlartësinë dhe forcën (Çani), lëvizshmërinë dhe dinakërinë (Salihi) dhe shpejtësinë me teknikën (Roshi). Këta të tre e detyruan Norvegjinë që të vuante shumë mbrapa, por njëkohësisht të dilte rrallëherë me forca të shumta në sulm. Shqipëria rrezikoi vetëm në ato raste kur përpiqej të dilte me shpejtësi në sulm, sepse këtë e bënte me forca të shumta dhe, për pasojë, krijoi edhe hapësira për kundërshtarët. Nuk mund të themi se ishim dominues absolutë, megjithë fitoren e merituar, pasi norvegjezët i patën dy raste të pastra shënimi. Këtu u pa qartë merita e portierit tonë, i cili tregoi se është ndër ata që mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje.
Vlera e trefishtë Rikthehemi te përmasat që ka kjo fitore. Është një fitore e madhe për tri pikët. Diferencën në luftën për t’u kualifikuar e bëjnë ndeshjet jashtë. Skuadrat e mëdha ndaj janë më të suksesshmet, sepse dinë të marrin edhe pikë jashtë fushës së tyre, ndryshe nga skuadrat e vogla. Me 9 pikë jemi plotësisht në garë për të luftuar për vendin e dytë, por ndërkohë i kemi shkaktuar një dëm jo të vogël një rivali direkt si Norvegjia. Të gjithë këta elementë krijojnë një atmosferë me vetëbesim dhe optimizëm të madh, çka është shumë i rëndësishëm dhe i shëndetshëm për skuadrën. Elementi i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, është fakti që Shqipëria jo vetëm fiton jashtë dhe është në garë për kualifikim, por po fiton edhe lojtarë gjatë rrugës. E kam fjalën për Migjen Bashën, Hysajn, Kukelin dhe për Mehën… Janë vlerë e shtuar në kombëtare dhe kjo nuk është pak, duke parë pozitat që kemi.

Historike, mundim për herë të parë në transfertë një elitare
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Sigurisht kemi fituar jo vetëm miqësore, por edhe ndeshje kualifikuese jashtë fushës sonë, por në asnjë rast, të paktën për përballjet në kualifikime, kundërshtari që kemi mundur nuk ka qenë elitar sikundër dje. Kujtojmë që Norvegjia është 33 pozicione më lart sesa ne në renditjen e FIFA-s (të 29-ën), ndaj edhe fitorja e djeshme ka një shije krejt tjetër, historike. Në total kuqezinjtë, gjatë gjithë historisë së tyre, fitoret jashtë i numërojnë me gishta, pasi janë vetëm dhjetë të tilla (pa përfshirë këtu ato që kemi zhvilluar në vitet ’98-2000 në turneun Rothmans në Maltë). Kështu, për sa u përket fitoreve në transfertë për kualifikimet e para, daton më 7 qershor 1995 ndaj Moldavisë 2-3, për të vazhduar më pas ndaj Kazakistanit më 2004-ën 0-1 (gol i Bushit) dhe më 2007-ën ndaj Luksemburgut, 0-3 (dopietë e Kapllanit). Ndërsa, sa u takon miqësoreve, fitoret startojnë që në vitin e largët 1948, kur mundnim minimalisht Rumaninë në Bukuresht. Por më pas, një pauzë e frikshme, pasi deri më 1991-in nuk arrinim dot që të merrnim një fitore jashtë Shqipërisë. Sakaq, kemi fituar dy herë në miqësore me Turqinë, dy herë me Greqinë, si dhe ndaj skuadrave të tilla si San Marino dhe Mal i Zi.

Fitore në transfertë
02/05/1948 (M)
Rumani-Shqipëri 0-1
04/09/1991 (M)
Greqi-Shqipëri 0-2
07/06/1995 (K)
Moladavi-Shqipëri 2-3
21/01/1998 (M)
Turqi-Shqipëri 1-4
25/04/2001 (M)
Turqi-Shqipëri 0-2
13/10/2004 (K)
Kazakistan-Shqipëri 0-1
16/08/2006 (M)
San Marino-Shqipëri 0-3
06/06/2007 (K)
Luksemburg-Shqipëri 0-3
25/05/2010 (M)
Mal i Zi-Shqipëri 0-1
22/03/2013 (K)
Norvegji-Shqipëri 0-1

Norvegji-Shqiperi 0-1, Basha ne murin mbrojtes nga ndeshjaSKANERI KUQEZI
Fitore e madhe prej… De Biazit
Të fitosh në transfertë, kundër një rivali direkt, në një ndeshje kyçe, në -10 gradë…. Kjo po që është arritje! Shqipëria dje demonstroi se di të tregohet një skuadër cinike dhe të marrë atë që dëshiron. Nëse kuqezinjtë ia dolën, kjo u arrit edhe prej mentalitetit: besuan, luftuan dhe fituan. Por erdhi më së pari prej një strategjie të qartë dhe një pune të bërë nga stafi, në veçanti nga trajneri De Biazi. Ai ka një meritë të madhe që Shqipëria ishte agresive, e sigurt dhe tejet e rrezikshme. Ka gjithashtu meritën e madhe që përgatiti si duhet një ndeshje kaq delikate dhe injektoi në skuadër vetëbesim. I pari e pat pohuar Cana, se përfaqësuesja jonë sillet si inferiore në transferta, por dje ishte krejt ndryshe. Dje, vetëm inferiorë nuk ishim. Ishim thjesht fitues…
De Biazi 8 Betejat e mëdha i fitojnë strategët e mëdhenj. E kishte përgatitur ndeshjen në mënyrën e duhur, saqë për asnjë moment nuk e diskutoi formacionin me të cilin do të luante. Nuk e lejoi Norvegjinë të dilte në lojën e saj dhe kurthet e ngritura prej tij (rasti i golit) rezultuan efikase. I tregoi rivalit Olsen se Shqipëria e tij është një “mushkonjë” që të bën gjëmën.
Etrit Berisha 8 Një portier “i akullt” në një vend të akullt. Protagonist absolut në triumfin e djeshëm. Gaboi vetëm njëherë në dalje, por shpëtoi portën në dy raste tejet të rrezikshme. I shkëlqyer.
Armend Dallku 6.5 Lufton shumë më tepër se herët e tjera, por në pjesën e dytë lodhja bën të vetën. Mbështetja e Lilës në të djathtë e ndihmon të gabojë më pak se zakonisht. Është në rritje.
Lorik Cana 6.5 Ndonjëherë i frikshëm në ndërhyrje dhe shpesh ka më shumë se duhet besim te vetja ndaj “gjigantëve” norvegjezë. Lider në mbrojtje, por do vlerësohej më shumë nëse do korrigjonte pasimet e gjata.
Mërgim Mavraj 7 I qetë dhe i sigurt. Shpeshherë zbut tensionin që kaplon kuqezinjtë nga sulmet rivale. Gabon vetëm një herë në pjesën e parë, por më shumë prej terrenit. Kolos në mbrojtje.
Ansi Agolli 7 Ka fituar qetësinë dhe vetëbesimin që i ka munguar në shumë ndeshje. Ekspert në fazën defensive dhe “i ndrojtur” në daljet në krah. Lufton shumë dhe nuk gabon thuajse asnjëherë.
Andi Lila 6.5 Fiton faullin e rastit të golit dhe vrapon sa për dy vetë, por si mesfushor vuan. Ndryshimi dallohet kur kthehet në mbrojtës, ku ndihet më i sigurt. Dy të verdhë për 5 minuta mund t’i evitonte.
Migjen Basha 6.5 Debutim i pëlqyeshëm. Gabon disa herë rrezikshëm në pjesën e parë dhe humb një rast flagrant për gol. Më i sigurt në të dytën dhe jep sinjale se me teknikën dhe qetësinë e tij mund të jetë pikë kyçe.
Ervin Bulku 7 Ndeshje nën tonus, edhe pse sakrifikon shumë në fushë. Fiton pikë me atë sinkronizim perfekt në skemën e golit të Salihit, por koordinimi i dobët me Bashën e detyron të lodhet më tepër.
Odise Roshi 7 Nuk luan në pozicionin e tij, por gjithsesi ia del të përhapë panik te rivalët sa herë që ka topin. Në aspektin taktik është përmirësuar, por jo aq sa për të mos bërtitur De Biazi…
Edgar Cani 7.5 I papërmbajtshëm fizikisht. Falë grintës dhe cilësive të tij Shqipëria merr frymë dhe shtyn përpara. Luftarak dhe altruist, por nuk merr thuajse asnjëherë një pasim për gol.
Hamdi Salihi 8 Rikthehet të bëjë “Gerd Mylerin”. Ekzekutimi në rastin e golit ishte një kryevepër e stilit të tij. Lufton shumë në fushë, edhe pse në një pjesë të mire vuan epërsinë.
Elseid Hysaj Shumë grintë dhe pak eksperiencë, por gjithsesi i vlefshëm. Një paraqitje shumë më e mirë se ajo kundër Gjeorgjisë, kur në fushë la përshtypjen e një djaloshi ende të papjekur.
Erjon Bogdani Ekspertët si ai u duhen skuadrave që dëshirojnë të kenë sukses. Nuk bëri ndonjë hata në fushë, por ama ai di të fitojë kohë dhe ta bëjë kundërshtarin të acarohet kur ka topin në këmbë.
Debatik Curri Fare pak minuta për kosovarin, i cili hyn për të përforcuar “katenaçon” e minutave të fundit dhe deri diku ia del, megjithëse në disa raste as nuk e di se ku duhet të qëndrojë në fushë.

BerishaKRYEMINISTRI
“Salihi shënoi fitoren. Berisha e garantoi atë”

Për fitoren e kombëtares sonë në Oslo ka reaguar në faqen e tij në facebook edhe kryeministri Sali Berisha. “Të dashur miq! Në Oslo, lojë dhe fitore e merituar e dinjitoze e kombëtares sonë. Salihi shënoi golin e shkëlqyer të fitores së ekipit tonë dhe ogurin e fitores së 23 qershorit. Berisha tigër në portë, garantoi fitoren historike të ekipit tonë më 22 mars, ditën e bardhë të demokracisë. Urime Salihit, Berishës, të gjithë skuadrës, kapitenit, trajnerit të saj për këtë fitore dinjitoze dhe të merituar, që na bëri krenarë dhe zbukuroi kaq shumë ditën tonë të parë të demokracisë. Gëzuar!” – shkruan Berisha në statusin e tij.

Problemi i fushës Ndeshja Norvegji-Shqipëri u luajt në stadiumin “Ulleval”, i cili ka një kapacitet prej 25 mijë vendesh. Mirëpo, në stërvitjen e djeshme të kuqezinjve u vu re se fusha nuk ishte në parametrat e duhur. Lojtarët u ankuan se terreni ishte shumë i fortë dhe mund të ndikonte direkt në ndonjë dëmtim. Kjo vinte si pasojë e temperaturave të ulëta që mbizotërojnë në Oslo të Norvegjisë.
Temperatura të ulëta Në Oslo temperatura shënonte -10 gradë celsius. Kjo pati efektin e vet te lojtarët e Kombëtares shqiptare, të cilët kërkonin kohë për t’u ambientuar me klimën. Edhe sot gjatë zhvillimit të ndeshjes temperaturat shkonin edhe më ulët se -10 gradë. Gjatë ditëve përpara ndeshjes, kuqezinjtë janë stërvitur në Durrës në një klimë ndryshe nga ajo në Oslo.
Bastet për sfidën Norvegjia ishte superfavorite për ta fituar ndeshjen ndaj Shqipërisë. Të paktën kështu e shikonin kompanitë e basteve, të cilat kishin vendosur një koeficient të ulët, vetëm 1.36 për fitoren e vendësve. Kurse për barazimin koeficienti ishte 4.75, një kuotë përgjithësisht e lartë, ndërsa fitorja e skuadrës sonë shihej si gati e pamundur, pasi koeficienti shkon deri në 8.

Renditja, Grupi E

Nr

Skuadra

Nd

Fit

Brz

Hmb

G.Sh

G.P

Glv

Pike

1

Zvicra

4

3

1

0

7

1

+6

10

2

Shqiperia

5

3

0

2

6

5

+1

9

3

Islanda

5

3

0

2

6

5

+1

9

4

Norvegjia

5

2

1

2

6

6

+0

7

5

Qipro

4

1

0

3

4

8

-4

3

6

Sllovenia

5

1

0

4

4

8

-4

3


Marsi, muaji i kthesës së Kombëtares

Tridhjetë mars 1983, Kombëtarja shqiptare u “dorëzohej” gjermanëve në shifrat 1-2. 26 mars 2011, kuqezinjtë dhuronin një 90-minutësh spektakolar, të paparë ndonjëherë më parë, paçka se rezultati 1-0 nuk tregon gjithë historinë e atij takimi. Shqipëria e drejtuar nga Kuzhe fitonte ndaj Bjellorusisë, por duhet thënë se në asnjë ndeshje, të paktën të dy dekadave të fundit, kuqezinjtë nuk kanë prodhuar aq shumë raste për shënim. Kështu fillon dhe mbaron (të paktën deri në këto momente) kronologjia e 22 përballjeve të ekipit tonë përfaqësues në arenën ndërkombëtare të zhvilluara në muajin mars. Duke parë rezultatet e arritura, nuk mund të themi kurrsesi se marsi është një muaj fati për kuqezinjtë. Aspak. Në 22 ndeshje, Kombëtarja shqiptare ka shijuar në vetëm 6 raste fitoren, teksa ka barazuar në 4 të tjera dhe ka humbur plot 12 takime. Edhe golavarazhi flet totalisht negativ: 16 gola të shënuar dhe 33 të pësuar. Nëse do të niseshim në bazë të statistikave, atëherë kuqezinjtë as që duhet ta provojnë sot në Oslo që t’i marrin pikë Norvegjisë, e jo më ta fitojnë ndeshjen sikundër është objektivi primar i skuadrës. Gjithsesi fitore të tilla si ndaj Moldavisë, më 29 mars 1995 (3-0) apo edhe Rusisë në po 29 mars të 2003 (3-1), na bëjnë të besojmë më tepër në një rezultat pozitiv ndaj nordikëve, trepikësh që do ta vinte në pozita mjaft të mira ekipin tonë përfaqësues. Tjetër statistikë, e cila u jep të drejtë kuqezinjve të pretendojnë për rezultat të plotë, janë tri ndeshjet e fundit të zhvilluara në muajin mars, ku Shqipëria ka shënuar pak, por edhe ka pësuar pak ose asnjë gol.

GJASHTË FITORET
29 mars 1995 (KE)
Shqipëri-Moldavi 3-0
27 mars 2002 (M)
Shqipëri-Azerbajxhan 1-0
29 mars 2003 (KE)
Shqipëri-Rusi 3-1
31 mars 2004 (M)
Shqipëri-Islandë 2-1
3 mars 2010 (M)
Shqipëri-Ir.Veriut 1-0
26 mars 2011 (KE)
Shqipëri-Bjellorusi 1-0
22 mars 2013 (KB)
Norvegji-Shqiperi 0-1
Bilanci: 7 fitore, 4 barazime, 12 humbje; Golavarazhi: 17-33

 

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com