Orges Shehi shpallet “Lojtari i Vitit 2012” (foto)

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 22, 2012 | 18:37

Orges Shehi shpallet “Lojtari i Vitit 2012” (foto)

Orges Shehi është shpallur “Lojtari i Vitit 2013” për kampionatin shqiptar. Portieri durrsak i Skënderbeut ka marrë më shumë vota nga kapitenët e 14 skuadrave të Kategorisë Superiore. Çmimi iu dorëzua dje futbollistit nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, në mbrëmjen gala që u zhvillua në Durrës me rastin e festave të fundvitit. “Ndihem i respektuar për këtë titull që më jepet. Kjo vjen si rrjedhojë e punës që unë kam bërë. I falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe trajnerët me të cilët kam punuar ndër vite”, – ka thënë i emocionuar portieri durrsak. Prej tri sezonesh ai është pjesë e Skënderbeut, teksa është shpallur dy herë radhazi kampion. Te korçarët Shehi është edhe zëvendëskapiten i skuadrës.
Karriera Shehi ka lindur më 20 shtator të vitit 1977 në Durrës. Karriera e tij në futbollin profesionist ka nisur që në vitin 1994 te skuadra e vendlindjes, Teuta. Deri në vitin 2004, Shehi ka pasur vetëm një shkëputje 1-vjeçare nga durrsakët, kur është aktivizuar në sezonin 1998-1999 me Bylisin e Ballshit. Në sezonin 2004-2005 portieri luajti për ngjyrat e Vllaznisë, ndërsa më pas kaloi te Partizani. Me këtë të fundit u aktivizua deri në vitin 2009. Shehi u bë një idhull për tifozërinë e kuqe, ndërkohë që ka qenë pjesë e skuadrës në vitin kur ajo zbriti nga Superiorja. Pas largimit nga Partizani, portieri u aktivizua për një sezon te Besa e Kavajës, ku arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri më tani ai është pjesë e Skënderbeut. 35-vjeçari ka shkëlqyer me korçarët dhe pas përfundimit të fazës së parë është portieri që ka pësuar më pak gola, vetëm 5 të tillë. Shehi ka kontratë me Skënderbeun deri në verën e vitit 2013. Ai është pranë fitimit të titullit të tretë radhazi me ekipin korçar.

 





www.minuta90.com