Sporti në koma pret shpëtim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2019 | 22:56

Sporti në koma pret shpëtim

YLLI AGA

ylli aga

Nëse dikush do të mundej të realizonte një foto të përgjithshme të sportit në vendin tonë, me siguri do të mund të na paraqiste një realitet të zymtë dhe të pashpresë për një të ardhme më të mirë. Dhe e gjitha kjo në raport me gjithçka ndodh me vendet fqinje, për të mos shkuar më larg me krahasimin me standardet më të larta në kontinent. Është jo e rastësishme që sporti ynë është gjithnjë e më pak konkurrues apo fitues në sporte të veçanta, madje duke humbur terren edhe në ato disiplina në të cilat ka pasur një lloj tradite dhe ka ditur të lërë gjurmë, si peshëngritja, qitja, volejbolli, apo atletika.

Problematikat me të cilat ballafaqohen së fundmi edhe një numër i konsiderueshëm klubesh futbolli ka bërë që të shembet kështjella e fundit, ku fshihej besimi se modeli i deritanishëm funksionon. Të ballafaqohesh me një realitet të tillë, pas gati 30 viteve shoqëri dhe treg i lirë është vërtet e dhimbshme. Kriza më e madhe me të cilën ballafaqohet sporti në këtë moment është ai i financimit. Shteti vijon të mbështesë shifrat më minimale të mundshme, të cilat janë të mjaftueshme vetëm për të mbajtur zyrat dhe impiantet sportive hapur. Gjithashtu edhe bashkitë e reja, ndonëse me buxhete shumë më të mëdha dhe me territore të zgjeruara nuk kanë arritur në asnjë moment të krijojnë modelet e duhura për klubet respektive që kanë nën varësi.

Ndërkohë që financimi apo sponsorizimet e ndryshme përveçse janë në nivelet më të ulëta, janë gjithashtu përballë rrezikut të ballafaqimit me problematika nga më të ndryshmet. Në gjithë periudhën e tranzicionit, të gjithë jemi dëshmitarë se si sporti në mënyra të ndryshme ka arritur të mbijetojë nëpërmjet mbulimit të shpenzimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e donatorëve të ndryshëm, duke i çuar shumë prej bizneseve dhe vetë ata drejt falimentimit, apo edhe financimeve nëpërmjet burimeve të dyshimta.

Me rritjen e kërkesave të ligjit (gjë e cila duhet të kishte ndodhur shumë më përpara), klubet janë maksimalisht të ekspozuara përpara institucioneve dhe rrjedhimisht e kanë pothuajse të pamundur për të përfituar nga të tilla mënyra, por gjithashtu i janë minimizuar mundësitë për të përfituar nga portofoli i sponsorizimeve, pasi kompanitë, duke filluar nga më të mëdhatë, përballen me një barrë tatimore më të lartë, me problemet e tregut gjithashtu me një normë fitimi më të vogël dhe rrjedhimisht ka një interes gjithnjë e më të paktë për të mbështetur sportin. Problematika bëhet edhe më e madhe, pasi edhe vetë ata që kanë në drejtim klube të ndryshme, duhet të shpikin procedura pa fund, që paratë e kompanive të tyre apo kursimet e tyre financiare t’i kalojnë në arkën e klubit, duke rrezikuar të përballen ligjërisht me një numër të konsiderueshëm shkeljesh.

Në këto kushte, pritet me interes maksimal një rrugëzgjidhje ligjore, qoftë sa u takon lehtësirave për të gjithë ata që investojnë në sport, duke hequr apo ulur në përqindje një sërë taksash, nisur nga rëndësia specifike që ka ky sektor, si dhe një ligj të ri për sponsorizimin, ku gjithnjë e më shumë po insistohet për të huazuar ligjin e miratuar së fundmi nga kuvendi i Kosovës. Të gjitha indiciet dëshmojnë se shumë shpejt opinioni sportiv do të ketë përpara një propozim konkret, me shpresën se do të jetë realizuar modeli më i mirë i mundshëm, i cili do të hapte horizonte të reja për sportin tonë.

Nëse gjithçka bëhet realitet, çdo federatë apo klub sportiv do të trokiste pa u turpëruar si deri sot para çdo kompanie, duke lypur një financim modest, por do të prisnin ofertat sponsorizuese nga më të ndryshmet, nëpërmjet të cilave jo vetëm do të nxirrnin institucionet që përfaqësojnë nga mjerimi, por njëkohësisht do të fillonin të mendonin për projekte të mirëfillta sportive, do të krijoheshin hapësira për vende të reja pune për njerëzit më të kualifikuar, do të rriteshin investimet në infrastrukturë, do të zgjerohej baza e atyre që do të merreshin me sport dhe rrjedhimisht edhe cilësia e tyre. I fituar gjithashtu do të ishte i pari shteti, në rritjen e imazhit në sytë e qytetarëve të tij, por edhe atyre të botës në garat e shumta sportive. Gjithashtu edhe për sa u takon përfitimeve financiare, pasi nuk do të kishte më përballë vetëm borxhlinj dhe lypsarë, por njerëz dhe institucione dinjitoze, tatimpagues të rregullt dhe një numër shumë më të lartë kontribuesish me taksat e tyre.

Duke parë fotografinë aktuale të sportit tonë, realiteti i cituar më sipër duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë, por të gjithë e dimë se kjo është e vetmja rrugë për të zgjidhur problematikat gati 30-vjeçare të tij.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"