7 gola për dy ndeshje! I pësoi vetëm Panuçi apo edhe “Babuçi”…?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2018 | 21:31

7 gola për dy ndeshje! I pësoi vetëm Panuçi apo edhe “Babuçi”…?

GËZIM SINEMATI

sinemati

Në kohën e De Biazit, atëherë kur na bënë shiringën që gënjeshtra të na dukej si e vërtetë, këndonim, pa pasur frikë nga bota, të bujshmen “o sa mirë me qen shqiptar”. Tani, në kohën e Panuçit, ku zhgënjimi është ngjitur në altar, nëse do të kishim guxim që të këndonim prapë, teksti do të ishte kryekëput ironik. Mrekullia e 7-të e Kombëtares ka mbërritur pas ndeshjes me Ukrainën, ku kuqezinjtë thyen rekordin me shifra, por më shumë rekordin e imoralitetit sportiv. 7 gola në dy ndeshje, dhe prapë, dukeshin sikur kishin oreks për të pësuar gola të tjerë…

Panuci

Porta kuqezi është zmadhuar frikshëm, si me porosi, kurse lojtarët tanë kanë shkuar përtej ylberit me deformimin e thellë që i bënë edhe asaj loje që na kishte mbetur nga italiani i parafundit, De Biazi. Një deformim spektakolar, tepër i dyshimtë për t’u pranuar se ka vetëm një emër dhe ai është trajneri Kristian Panuçi. Ndaj, edhe media e oborrit po tregon një zell patologjik për të shkarkuar gjithë malin e fajit tek italiani, me frikën se mos akuza ngjitet deri te zbuluesi i tij shqiptar, presidenti që fiton edhe kur humbasim.

Tek “arkitekti” i madh i pokerit me top, që me stilin e tij biologjik, nga njëra anë sulmon trajnerin me ushtrinë tij të paudhë, kurse në anën tjetër del si engjëll mbrojtës për të shfajësuar trajnerin. Një film i vjetër apo një teatër i vjetër që e shijuam me gjithë trajnerët e huaj… Ndaj, kur pyesin tani, gjoja me zemër në dorë: do të mbetet apo do të largohet Panuçi, kjo nuk është gjë tjetër, veç vazhdim i “projektit”.

Një projekt, për të cilin duhen falënderuar për gjetjen, sepse shumica, kur erdhi Panuçi, kujtonin ndeshjet e mëdha me Milanin si futbollist dhe as nuk e vrisnin mendjen se me debutuesin në stol do të ligjëronim gjëra të çuditshme në fushë. Pale kur mendon se kemi një ekip kombëtar pa bosht etik, të cilit nuk i dridhet qerpiku kur tradhton publikun e vet, që mbulon me flamuj të kuq turpet e tyre, e jo për një italian që, në fund të fundit, ka ardhur enkas, me fatin e fillestarit për të na futur në epruvetë. Sigurisht, jo me kokën e tij…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"