Pesëshja e vitit, atletika, drama e sportit dhe mendimi i çmueshëm i të paharrueshmit Pleurat Tahiri…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 20:47

Pesëshja e vitit, atletika, drama e sportit dhe mendimi i çmueshëm i të paharrueshmit Pleurat Tahiri…

Nga Besnik Dizdari

Besnik-Dizdari

I. MATVEI PETROV “I RUSISË” GJIGANTE, SPORTISTI MË I MIRË I VITIT PËR SHQIPËRINË E VOGËL

Po bëj atë që kam bërë gjithë këto vite të fundit, këtu në “Panorama Sport”, që do të thotë se simbas gjykimit të një gazetari të vjetër, po veçoj pesë sportistët shqiptarë të vitit. Në këtë rast, ata të vitit 2020. Dhe, e shihni se krejt papritmas vendin e parë nuk ma zë një shqiptar, por një sportist i huaj, rusi Matvei Petrov, por me një trajner shqiptar, me emrin Alon Hasaj. U mata shumë për ta vendosë atë në vendin e parë, sepse nuk e njihja aspak. Nuk e pashë në asnjë garë në aktivitete kombëtare të Shqipërisë. Nuk ishte shqiptar dhe nuk di nëse përfaqësonte ndonjë klub sportiv të Shqipërisë. Megjithatë, përderisa ai u shpall kampion i Europës për Shqipërinë, përderisa ai fitoi medaljen e artë nën fanellën e flamurin e Shqipërisë dhe u ngjit në podiumin europian duke u ngritur lart flamuri i Shqipërisë, u dorëzova. Midis rezultateve të arritura gjatë vitit 2020, 30-vjeçari Matvei Petrov “i Rusisë” gjigante, të paktën për mua, është sportisti më i mirë i vitit për Shqipërinë e vogël. Po pati dëshirë dikush ta diskutojë këtë, atëherë, le të hapet edhe diskutimi. Ndërkaq, tek është dhe renditja joshëse e garës së kalit me doreza të Kampionatit Europian në Mersin të Turqisë, 9-13 dhjetor 2020, që po botohet për herë të parë këtu në “Panorama Sport”:

1. Matvei Petrov / Shqipëria 14.566

2. Filip UDE / Kroacia 14.533

3. Ferhat ARIKAN / Turqia 14.433

4. Robert SELIGMAN / Kroacia 14.366

5. Yevgen YUDENKOV / Ukraina 14.266

6. Krisztofer MASZAROS / Hungaria 14.166

7. Petro PAKHNIUK / Ukraina 14.166

8. David VECSERNYES / Hungaria 13.600

Kjo ndoshta do të mbetet një renditje unikale, sepse do të jetë shumë e vështirë që edhe një herë tjetër Shqipëria të ketë një kampion të Europës në sportin e gjimnastikës. Kështu, ngaqë këtij sporti në Shqipëri ka vite që nuk i dëgjohet zëri. Kështu, edhe për faktin se edhe ky që kemi është një rus, i shkollës botërore të gjimnastikës të të famshmit Bashkimi Sovjetik. E, dekada të shkuara e ndiqnim me pasion gjimnastikën sovjetike, që sa na e sillte në Tiranë shtypi sovjetik, por që aq fort e propagandonte gazeta jonë “Sporti popullor”. Dhe, është me vlerë historike e nostalgjike bashkë, kur kujton se Matvei Petrov është shpallur kampion i Europës në disiplinën ku këtë titull para tij e kanë fituar legjendarët e gjimnastikës dhe të krejt sportit botëror, sovjetikët Boris Shalin, Juri Titov, Nikollai Andrianov apo Vitali Sherbo, aq mirë të njohur pra, edhe prej meje e kolegëve të brezit tim. Nuk është vendi këtu për të hyrë dhe për të analizuar se a duhej “rrëmbyer” rusi Matvei Petrov për të fituar Shqipëria një medalje të artë europiane apo jo. Kur kësisoj në sporte të ndryshëm, këtë gjeopolitikë e kanë luajtur edhe shtete të tjera të Europës, çka pa shkuar larg, kujtojmë se çfarë ka bërë në peshëngritjen dhe atletikën e lehtë të origjinës shqiptare, Greqia këtu afër. Prej Pirro Dhimës e deri te Mirela Manjani… Ajo që ia vlen të diskutohet, madje gjatë, e pse jo dhe të merren vendime, është kjo tjetra: Si duhet ta kalojmë situatën e rënies dramatike që përjeton sporti kombëtar i Republikës së Shqipërisë?…

II. PESË MË TË MIRËT E VITIT 2020 TË SUNDUAR PREJ ATLETIKËS SHQIPTARE

Por, le të vazhdojmë me pesëshen tonë. Aty janë edhe tre atletët e shquar Izmir Smajlaj, Luiza Gega dhe Franko Burraj. Për meritat e tyre flasin vetë medaljet që ata fituan gjatë vitit 2020. Ajo çka të trondit, po deshe për të mirë e për jo të mirë, është se si është e mundur që sporti i atletikës së lehtë, thuajse pa pista, pa asnjë sallë atletike dhe me të vetmin kryeqytet në Europë pa pistë atletike, arrin të formojë këta atletë të mrekullueshëm! Nuk arrij t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje. Le ta japin shkencëtarët e sportit tonë apo ata të atletikës së lehtë, nëse vërtet kemi të tillë. Aq më tepër kur me gjithë përparimin e shembullin e shkëlqyer të këtyre tre atletëve, një pjesë e mirë e rekordeve kombëtare të Shqipërisë, ka vite që nuk thyhen!… Morali i fabulës? Edhe kështu thuajse pa asnjë mbështetje mirëfilli qeveritare, atletika e lehtë e Shqipërisë së vogël arrin të formojë talente të shquara! Çudi apo jo? Sidoqoftë, meritat i takojnë sidomos Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë (FSHA) me në krye presidentin e saj Gjergj Ruli, që a thua i ka nja tre punonjës gjithsej. Unë njoh vetëm njërin, skrupulozin Nikolin Dionisi, i cili çdo vit realizon botimin e FSHF të Buletinit atletik – një model historie që deri më sot nuk di ta ketë bërë as edhe një federatë tjetër në sportin që ajo drejton. (Do t’i kthehem pak më mbas rolit të qeverisë shqiptare, sidomos të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve). Mbërrij kështu te pesëshja e vitit, e cila, përmes argumentit justifikues, më duket se është kjo:

1111

Profesori i paharrueshëm Pleurat Tahiri në vitet ’80 kur ishte inspektor i lartë në Ministrinë e Arsimit si dhe president i Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë

1. MATVEI PETROV: Kampion i Europës në disiplinën e kalit me doreza në sportin e gjimnastikës artistike. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë në këtë sport, ngjarja i përket Kampionatit Europian të Gjimnastikës Artistike (Mersin i Turqisë, 9-13 dhjetor 2020).

2. IZMIR SMAJLAJ: Kampion i Ballkanit për salla të mbyllura në kërcimin së gjati me 7.91 metra. Vendin e parë në Istanbul Cup me 7.94 po në këtë garë. Vendin e parë në Serbian Indoor Open po në kërcimin së gjati me 7.94 metra.

3. LUIZA GEGA: Kampione e Ballkanit për salla të mbyllura në vrapimin 3000 metra me kohën 8.55.45 si dhe vendin e parë në Instanbul Cup në 1500 metra me kohën 4.13.06.

4. FRANKO BURRAJ. Fitues i vendit të parë në 400 metra në Serbian Indoor Open me kohën 47.20, por dhe në Instanbul Cup po në 400 metra me kohën 46.83.

5. REY MANAJ. I vetmi i cili luajti të 6 ndeshjet e Kombëtares për vendin e parë në grup Liga C/Gr.4 për Ligën e Kombeve të Europës në futboll dhe autor i 2 golave vendimtarë.

Siç shihet, në vendin e pestë kam vendosë një futbollist, Rey Manaj, me arsyetimin se ishte vetmi i cili luajti të 6 ndeshjet e Kombëtares për vendin e parë në grup për Ligën e Kombeve të Europës në futboll dhe autor i 2 golave vendimtarë. Ky është turneu i tretë futbollistik në krejt historinë që fiton Shqipëria, natyrisht pavarësisht nga rangu i rëndësisë: kampione e Ballkanit më 1946; Rothmans Cup më 2001 dhe Liga e Kombeve të Europës Liga C/Gr.4 më 2020. Pra, në vend të fundit kam vendosë një sportist të futbollit, që është sporti më i përhapur edhe në Shqipëri. Ndonëse për vitin 2020, nuk mund të thuhet se futbolli pati arritjet e larta të katër sportistëve të parë, të gjimnastit dhe të atletëve Smajlaj, Gega e Burraj.

III. SHEMBULLI I PASHLYESHËM I DREJTUESIT DHE PROFESORIT TË PAHARRUESHËM PLEURAT TAHIRI

Disa kohë më parë, më ndodhi që krejt papritmas të më shkruante një letër nga SHBA profesor Pleurat Tahiri – figurë e shquar e drejtimit sportiv në Shqipëri, të atletikës së lehtë në veçanti si dhe të profesoratit të edukimit fizik. Dhe i vetmi shqiptar që arrin të punojë trajner në atletikën e lehtë në vendin e atletikës botërore që është SHBA. Mos e harroni këtë arritje unikale, të bujshme të tij! Për nderin dhe respektueshmërinë e madhe ndaj tij, po botoj këtu pjesën esenciale të letrës së tij, çka në të vërtetë mbetet një lloj mësimi i vyeshëm, sa strategjik, po aq dhe administrativ e shkencor prej sportit amerikan – çka mund të ishte një shembull domethënës edhe për Shqipërinë dhe temën e kësaj problematike që parashtron ky shkrim:

* * *

I nderuari Besnik,

… Ndoshta surprizohesh nga kjo letër, mbasi bashkë vetëm rastet na kanë takuar. Kam pasur simpati për punën që bëje dhe objektivitetin me të cilin trajtoje problemet. Që nga maji i vitit 1996 ndodhem në SHBA, familjarisht si shumë familje shqiptare. Ndodhem në shtetin e Nord Karolinës (Karolinës së Veriut), shtet me 10 milion banorë. Ndodhemi në qytetin Uinston Salem me 230.000 banorë. Ky qytet ka pesë universitete, në dy qytete nga këto universitete u vendosën dy fëmijët e mi, vajza dhe djali. Djali, i cili ka qenë me juniorët e Partizanit në atletikë, filloi stërvitjen në stadiumin e Universitetit Wake Forest. … Gjatë kohës që stërviteshim ne, stërvitesh pa trajner një atlet amerikan. U miqësua me djalin. Mbas 10 ditësh që na vrojtoi i thotë djalit: “Dëshiroj të stërvitem me babain tënd”. Të nesërmen Majkëlli më vjen në shtëpi dhe përsërit kërkesën për stërvitje. Majkëlli ishte 36 vjeç dhe pretendonte të ishte dekatlonist dhe kishte dëshirë të përgatitej për pjesëmarrje në aktivitetet e moshës mbi 35 vjeç. Mbas një viti stërvitje Majkëlli evoluoi mjaft, ishte në gjendje të merrte pjesë në gara. Shkoi në Norvegji, mori pjesë në një takim dhe u kthye me medaljen e vendit të tretë. Në njëfarë mënyre ai më ekspozoi që stërvitej me një trajner shqiptar.

Shefat e klubeve sportive në universitetet e SHBA quhen drejtorë atletikë. Ndërkaq, më vjen në shtëpi një letër nga drejtori i klubit për t’u paraqitur të nesërmen tek ai. Shkova me vajzën e cila ishte studente pasuniversitare në atë universitet. Drejtori na priti shumë mirë, ndërsa ai kishte marrë të dhëna. I bëmë disa plotësime dhe paraqitëm dokumente. Të nesërmen shkuam dhe takuam shefat e departamenteve të atletikës. Ishin bashkëshortë dhe gruaja kishte qenë atlete e ekipit të SHBA në Lojërat Olimpike të Mynihut dhe të Meksikës 1980 në vrapimet 800 e 1500 metra. Burri kishte qenë atlet cilësor në garat e universiteteve në vrapimet e gjata. Shefat me drejtorin ranë dakord që të kaloja në disa testime, pastaj do vendosnin nëse do të isha pjesëtar i departamentit ose jo. Shefi më tha që një javë do të isha pranë tij. Gjatë javës më bënte sondazhe me pyetje mbi probleme të garave të atletikës. Mbas një jave krijoj bindje më të plotë për aftësitë profesionale. Më pas ai bisedon me drejtorin dhe i thotë se për dy muaj të isha në testim. Më caktuan më grupin e vajzave, duke shtuar: “Mbas dy muajve është aktiviteti i parë. Në qoftë se vajzat do të paraqiten mirë në garat e para, ti do të jesh me ne”. Dhe më prezantoi me grupin prej 10 vajzash që do të stërvisja. Ishin të garave 400 metra, 100 m/p, 400 m/p, së gjati, së larti, me shkop, gjyle, disk, shtizë shtatëgarësh. Me shpejtësi në klub mësuan se në departamentin e atletikës është një shqiptar… Konditat e stërvitjes ishin të shkëlqyera. Pata një lodhje fizike dhe nervore, por në aktivitetin e parë vajzat u paraqitën mirë dhe mbi 70 për qind përmirësuan rezultatet. Unë u emërova asistent trajner definitiv. Ishte një punë e lodhshme, me udhëtime të gjata me autobus ose avion. Shefat filluan të më kishin në konsideratë. Në periudhën e verës departamenti organizonte kampe ditore me nxënësit e shkollave të mesme. Më ftuan që të jap një mësim të hapët.

Unë gjithçka e shoqërova me skica të vizatuara. Shefat e pëlqyen dhe mbas dy ditësh më ftuan përsëri. Përsëri e pëlqyen. Për dy mësimet e para më dërguan çekun e parë në dollarë. U krijuan marrëdhënie shumë të mira, ndërsa ata më ftonin edhe në shtëpitë e tyre… I nderuari Besnik. Më fal në qoftë se e teproj me historina, por po i them me shumë sinqeritet, dhe nuk do guxoja me njeri tjetër. Fatkeqësisht është rritur kompania e denigruesve… Pata fatin që u njoha me sekretin e cilësisë së lartë sportive në SHBA. Sekreti është puna e bërë në shkolla. Mbas largimit nga universiteti për dy vjet ndihmova një shkollë të mesme dhe një semestër shkova në një shkollë 8-vjeçare. Qysh në shkollën 8-vjeçare krijohet bërthama e klubit sportiv. Shkolla ka drejtorin atletik dhe trajnerët përgjegjës të sporteve. Mësuesit e edukimit fizik japin paradite mësimin e edukatës fizike, mbas dite në ora 15:30 stërvitje sportive. Po ky organizim është edhe në shkollat e mesme. Për numrin e madh të ekipeve, 10 për djem ose 8 për vajza, trajnerë në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme janë edhe mësuesit e lëndëve të përgjithshme, ish-sportistë cilësorë në universitete të cilët kishin një stazh stërvitor 12 vjeçar. Për shembull, në atletikë në shkollën e mesme North Forsyth trajneri përgjegjës i atletikës gjysmën e normës mësimore jepte histori dhe pjesën tjetër atletikë. Ndërsa në një shkollën tjetër, përgjegjësi i atletikës jepte edhe kompjuter. Organizimi i të ardhmes sportive në SHBA fillon qysh në shkollën 8-vjeçare.

Ekipet e sporteve në shkollat 8 vjeçare krijohen në fillim të vitit dhe i nënshtrohen një stërvitje gjithëvjetore. Sportet njihen në kalendarin e aktiviteteve në rang qyteti, shteti dhe SHBA. Më të organizuara janë shkollat e mesme. 10 sporte për djem dhe 7 ose 8 për vajza. Janë ekipe të furnizuara me më të mirët e shkollave 8-vjeçare. Ka një harmonizim të përsosur midis dhënies së lëndëve të përgjithshme në mëngjes, dhe me kalimin në rolin e trajnerit mbasdite. Shkollat e mesme janë të pajisura me stadiume të kompletuar me mjete për zhvillimin e gjithë programit të atletikës në pista sintetike apo të sporteve tjera. Me palestrat e forcës, basketbollit e të tjera. Shkollat e mesme arrijnë një cilësi sportive të admirueshme dhe aktivitetet e tyre ndiqen me shumë interes nga trajnerët e universiteteve. Në shkollat e larta sporti ka një përparësi të jashtëzakonshme. Ai ndihmon edhe biznesin e universitetit. Studentët kanë tendencë të regjistrohen në ato universitete ku ka jetë të gjallë sportive, me gjithë çmimet e larta në disa nga këto. Kështu, Universiteti i Dukes është universiteti me emër në basketboll, fitues disa herë i kampionatit universitar në rang SHBA-je, furnizues sistematik i NBA. Trajneri i këtij universiteti është emëruar trajner i ekipit olimpik të SHBA në dy olimpiadat e fundit, detyrë që e ka kryer me shumë sukses.

Ekipi i basketbollit të klubit profesionist Lakers, disa herë kampion i NBA, vitet e fundit ka pasur rënie të theksuar. Për këtë klubi Lakers i bëri ofertë trajnerit të Universitetit të Dukes me një kontratë prej 20 milionë dollarësh për 5 vjet, me një mesatare 4 milionë në vit. Universiteti i Dukes është ndër 10 universitetet më elitare të SHBA. Ndërkohë, duhet kujtuar se klubet universitare simbas cilësisë sportive janë ndarë në tri kategori, që amerikanët i quajnë Divizion I, II dhe III ku klubet e Divizionit I janë në nivel profesionist. Në Universitetin Wake Forest ku pata fatin dhe fitova të drejtën për të qenë trajner atletike, klubi sportiv kishte 105 punonjës, të gjithë profesionistë. Klubi mbarështronte 10 sporte për meshkuj dhe 7 për femra. Kishte një bazë materiale tepër të fuqishme. Ata janë të aftë të organizojnë çdo lloj aktiviteti në nivele ndërkombëtare. Duke nënvizuar cilësinë sportive të universiteteve, është konstatuar se SHBA në Lojërat Olimpike e përfaqësojnë deri 33 për qind studentët. Në SHBA shkolla është pasqyrë e nivelit dhe e perspektivës së një shteti… Kam 23 vjet pa ardhur në Shqipëri. Besoj se këtë vit që bëhem 80 vjeç, mund të takohemi. Po të dërgoj një shkrim për Ajetin dhe Mirushin, në qoftë se të bën, botoje. Të fala të përzemërta Pleurat Tahiri”.

* * * Kishte disa kohë që letra e profesor Pleurat Tahirit qëndronte aty, mbi tryezën time të punës. Matesha shumë për ta botuar. Por, ngurroja, sepse siç shkruante Pleurati, ajo ishte një letër disi personale. Por jo! Nuk duhej zgjatur. Dhe këto dit vendosa ta botoj. I kërkoj presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë, Gjergj Ruli, nëse kishte një numër kontakti për t’u lidhur me Pleuratin. Por, ai më thotë se Pleurat Tahiri në fund të vitit 2020 ishte ndarë nga jeta! U trondita tejet. Janë disa njerëz, për të cilët kurrë nuk të shkon ndër mend për kësisoj. Një prej tyre ishte edhe Pleurat Tahiri. Ishte mirësia e tij, nobiliteti i tij, gjakftohtësia, shija e një humori human i tij, dëshira e madhe për të mësuar, për të analizuar e konkluduar për ecurinë e sportit kombëtar, sidomos të atletikës së lehtë. Në butësinë e dhe modestinë e tij, fshihej një humanizëm që nuk janë të shumtë ata që e kanë. Nxënës dhe student i shkollës shqiptare të edukimit fizik, pedagog qysh në shkollën “Skënderbej”, trajner i shquar i atletikës së lehtë atje, pedagog i mirënjohur i ILKF “Vojo Kushi”, gjithnjë trajner i atletikës edhe këtu, ku kanë kaluar shumë atletë të mirënjohur. Është për 12 vjet shefi i katedrës së atletikës në Institut. Dhe nuk ndalemi me kaq. Pleurat Tahiri, nga fundi viti 1979 dhe deri përtej mesit të viteve ‘80 ka qenë kryetar (president) i Federatës Shqiptare të Atletikës së lehtë. Dhe mandej ajo tjetra që unë ia njoh po aq fort mirë: ishte inspektor i rangut ministerial në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës për thuajse një dekadë. Duhet ndalë këtu – çka është dhe një nga qëllimet e kësaj eseje, siç po e quaj këtë shkrim sa tregimtar falë penës së Pleurat Tahirit, por aq dhe përimtues problematik.

Nuk e harroj portretin e tij në zyrat e katit të tretë të ministrisë ku ishin dhe zyrat e gazetës “Sporti popullor” që drejtoja. Gjithnjë i preokupuar, duke ruajtur buzëqeshjen e tij plot mirësi, me letra e shkresa ndër duar, me shënime e sistemin e punës së një zyrtari tejet të aftë e të ndershëm, i vetëdijshëm se ajo zyrë nuk ishte e tij, por e shtetit, e popullit të cilit duhej t’i shërbente. Një ndërgjegje e lartë pa cilësinë e së cilës kurrë një shtet nuk mund t’i besojë një shërbëtori të tij. I pëlqente letërsia dhe shpesh e merrte pendën për këtë. Siç shkruan: “Letërsinë e kam pasë shumë pasion, pothuaj paralel me sportin, ndërsa kam mbaruar 7-vjeçaren në Shkollën e Kuqe të Tiranës, ku letërsia që na jepte mësuesja Sadete Vigani, e cila në komentet që bënte nxirrte art nga zëri, që në imagjinatën tonë ne i kthenim në ‘filma’ e kur mbaronte mësimin ne gjendeshim të stepur”. E, ndërkaq, në modestinë e tij të pakrahasueshme Pleurat Tahirit i pëlqente të shkruante poezi… Shembulli i tij është një mësim i madh. Mësim i atij që e quajta shërbëtor i shtetit të tij, pa universalizmin e portretit të të cilit, kurrsesi, askush nuk mund dhe nuk duhet të guxojë të ulet para tryezës së ministrorit. Siç ka ndodhur sot, jo në një ministri, por në shumicën e ministrive ku vegjetojnë punonjës pa biografi, që jo vetëm nuk do të lënë një gjurmë, por të cilëve do t’u harrohet edhe emri. Natyrisht, këta tipa nuk mund t’i afrohen një Pleurat Tahiri, figura e të cilit, siç shkruan kolegu i tij i viteve të tana, Besnik Kurshumi, “do të shërbejë si një shembull pozitiv jo vetëm për brezin e njerëzve që jetuan me të, por edhe për brezin më të ri. Nder dhe respekt të lartë për jetën e tij të nderuar!” Përveç të gjithë këtyre, ai ishte i vetmi shqiptar që arriti të punonte trajner në atletikën e lehtë në vendin e atletikës botërore që është SHBA. Mos e harroni këtë arritje unikale, të bujshme, që si një medalje origjinale e artë e ndriçon edhe më fort kujtimin e tij të pashlyeshëm!…

IV. MËSIMET E MËDHA QË NUK I PËRFILL NJË QEVERISJE E INTERESIT TË NGUSHTË

Më ka bërë shumë përshtypje këto ditë një lloj akuze që i bën ministrisë përkatëse, presidenti i FSHA, Gjergj Ruli, nëpërmjet gazetës “Panorama Sport”. Çështja ka të bëjë me një grant (mbështetje-pagesë) që ministria i jep edhe atletikës së lehtë për një vit. Shifra sigurisht është qesharake, aq më tepër që, siç u pa edhe në kapitujt e parë të këtij shkrimi, atletika me rezultatet e saj ndërkombëtare paraprin vitin. Dhe me Smajlajn kampion të Ballkanit edhe javës që shkoi, me sa duket, atletika po sundon edhe vitin 2021. Kësisoj, presidenti Ruli kishte të drejtë të kalonte disi edhe në një revoltë. Duke iu larguar paksa faktit apo rastit konkret, ja ku shkojmë te tema e vjetër tashmâ për ne: Kush punon në ministri? Pra, a punon intelektuali i vërtetë, njohësi i shquar i sporteve dhe i problematikave të tij, njeriu i një “curriculum”- i bindës e i një karriere të mëparshme si Pleurat Tahiri e shokët e tij të viteve të tana? Ai brez i cili edhe pse nën diktatin e një regjimi të egër, ia arriti që pa asnjë përfitim personal ta bënte sportin shqiptar. Dhe kujtoni: këtu nuk e kam fjalën thjesht për drejtimin funksional politik të drejtuesve kryesorë për të cilët po pranojmë se mund të caktohen si bashkëpunëtorë besnikë të një politike. E kam fjalën për një sëmundje që gjithë këto vite po ia mpak forcën drejtuese Shqipërisë në të gjitha fushat e jetës. E kam fjalën për sëmundjen e emërimit jo të aftit, por të militantit. Dikush këta tipa i quan militantë që caktohen për dhurata. E tmerrshme!

Dhe sa vjen tjetri i heq – dhe mirë bën – mirëpo sa rëndë gabon kur në vend të tyre cakton militantët e tij, të cilët më vonë në shumë raste as të tillë nuk i dalin. Ngaqë fitimtari i zgjedhjeve që vjen, mban ndonjërin sa për “specie” e për të thënë se jemi të drejtë, të cilin e shndërrojnë po aq në shërbëtor të partisë së tyre. Madje, deri aty sa që kur afrojnë zgjedhjet e përdorin deri dhe për fushata, duke lënë zyrën bosh, ndërsa këta tipa e kanë tradhtuar pra edhe publikisht partinë e tyre të mëparshme. Në ministri, kudo në botë, specialistët, inspektorët janë figura të shquara, pra, të një karriere të pasur të mëparshme, çka nuk ngjet në Shqipëri. “Na duhen njerëz me shkollë dite, jo me shkollë nate”, siç thoshte me humorin e tij të pafund, gazetari i paharrueshëm Rifat Uruçi. Sporti shqiptar është në krizë të madhe. Për fat të keq, krizën e tij thuajse nuk ia përmend askush. Nënvleftësimi i papërshkrueshëm që i bëhet atletikës shqiptare është shembulli më kuptimplotë. Heshtja rreth kësaj krize dramatike është e pashembullt. Nuk e njohim deri në këtë shkallë qysh në krejt historinë e Shqipërisë Mbretërore që themeloi punonjësin ministror për sportet e edukimin fizik e deri te regjimi komunist, për të mbërritur te përpjekjet e viteve të para ‘90 kur demokracia u përpoq të themelonte organizimet e sportit të një shteti demokratik. E mandej? Mandej vetëm krizë. Ose vetëm futboll i Kombëtares më 2016 e te kujtesa e suksesit të harruar të peshëngritjes, e goditur keqas prej krizës së dopingut edhe ajo. Dhe me televizione të çoroditur që çdo ditë mbushin ekranet me lajme plagjiat të futbollit të klubeve të huaja dhe thuajse asnjë fjalë për sporte të tillë si atletika e lehtë që edukon më fort se askush edukimin fizik të brezit të ri të një kombi. Na mbetet për një herë tjetër kriza e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që është e pashembullt në historinë e një qeverie, qoftë ajo edhe “armike” e sporteve. E pafalshme që qeveria e shteti shqiptar heshtin. Ose që presin thjesht që njerëzit e qeverisë në pushtet, të “rrëmbejnë” edhe zyrat e olimpizmit burokratik shqiptar. Duket që përparimi vetvetiu mbetet gjithnjë Kategori e Dytë a e Tretë edhe për të.

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"