Për te ndryshimet e mëdha të kampionateve të futbollit në Shqipëri…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2021 | 21:14

Për te ndryshimet e mëdha të kampionateve të futbollit në Shqipëri…

BESNIK DIZDARI

Dizdari2

1. …Ndonëse, për pak të shkon mendja se gjithçka është për fejton. Tri kampionate. Kampionate qytetesh, qendrash banimi, fshatrash që sapo synojnë të bëhen qytete, qoftë edhe përmes futbollit dhe me të drejtë. Sepse, dihet, futbolli sjell qytetari. Ndërkohë, gjithnjë vetëm 10 skuadra në kampionatin kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Dhe 17 skuadra kampionati i Kategorisë II (rrêjshëm I).

Skema jo në “çift”, por në numër “tek” si askund tjetër në botë. Njëri grup me 9 skuadra. Tjetri me 8. Të ndarë në “play off” e “play out” si në kohë lufte që ta pengon qarkullimin midis gjithë qyteteve pjesëmarrës në atë kategori. Madje, për çudi te një prej shteteve me sipërfaqen më të vogël në Europë e botë. Bukur edhe kjo! Sepse, siç thonë, skuadrat shkojnë e vijnë brenda ditës nga njëri qytet në tjetrin. Jo një natë përpara.

Pra, nuk flenë aty. Sot, zotësia është me krye punë shpejt e shpejt. Ndërkaq, Dinamo 18 herë kampione e Shqipërisë gëzohet se fiton me skuadrën e Vorës. Tomori i qytetit të Beratit i Buzit, Zahos, Hodos, Kovaçit nuk ndihet fort keq që mundet 1-3 prej Egnatias së Rrogozhinës. As Besa e Kavajës që ndodhet 13 pikë larg skuadrës së Rrogozhinës – qendër e vogël banimi – qytetarët e së cilës dikur, kur kishte ndeshje Besa, vraponin “edhe në këmbë” për në Kavajë. E quanin skuadrën e tyre.

Dhe Flamurtari i Vlorës që është i parafundit në “play out” 13 pikë mbrapa skuadrës Turbina e Cërrikut prej së cilës sapo u mund 0-4! Duket që nuk mërzitet askush në Vlorë. Tjetër “kryevepër” shkatërrimi i KS Elbasanit që është vetëm me 1 pikë në 16 ndeshje e me vetëm 5 gola të shënuar! E drejt e për te Kategoria III. “O tempora! O mores!”, siç e ka përdorur Ciceroni. – “Oh kohët! Oh zakonet!” Në Kategorinë III (rrêjshëm II) – kampionati rekordmen për numrin e skuadrave – janë plot 26 të ndara në dy grupe me nga 13, pra numër me përbërje “tek” si askund tjetër në Europë edhe këtu.

Devolli-Skrapari

Me disa rezultate që nuk ka burrë nane t’i shpjegojë: Tërbuni – Internacional 7-2, Sopoti – KF Shënkolli 8-1, Shkumbini – KF Klosi 7-0, KF Maliqi – Skrapari 7-1, KF Devolli – Skrapari 7- 0, Butrinti – KF Këlcyra 7-0, Internacional – Sopoti 3-7! Kurrnjiherë më parë shifra 7 nuk ka qenë kaq e përhapur në rezultatet e kampionateve të futbollit në Shqipëri. E mandej? Mandej për çdo javë skuadra që kanë “pushim”.

Nuk dimë aq mirë se çka bëhet në një kampionat tjetër, që është ai i Kategorisë IV (rrêjshëm III), ku ka një skuadër që quhet AF Luftëtari. Ka kështu dy germa të reja përpara e “ndoshta” është fjala për skuadrën tonë me histori të paharrueshme që ka qenë Shqiponja apo Luftëtari i Gjirokastrës së Sefedin Brahos me shokë. Sidoqoftë, “play off” dhe “play out” të sipërpërmendur, vetëm me nga 4 a 5 skuadra, duhet të jetë një shpikje shqiptare, që sigurisht duhet të tërheqë vëmendjen në Europë.

Lind pyetja: Për çka luajnë për bukur mbi nja 1 muaj a më shumë këto 4 a 5 skuadra në 4 grupe për të rënë e për të mos rënë përmes një monotonie të papame? Edhe kampionati i Shkodrës i viteve ‘20 ishte më i gjerë e më i bukur. Merrte pjesë edhe Crnagorac i Cetinës të Malit të Zi. Kulmi i një fakti fejtonistik gjendet ndërkaq, te “play out” i Grupit B të kategorisë në fjalë, që gati çdo javë ka vetëm një ndeshje.

Për një çast të duket vërtet si në ndeshje lagjesh. Si javën që shkoi e cila kishte në program vetëm një ndeshje pra: Turbina – Flamurtari 4-0, ndërsa poshtë saj shkruhej: “Lushnja dhe Elbasani pushim!” Pushim! Pushim! Çdo javë formula “pushim”!… Dhe sa më pak skuadra të qyteteve që ndeshen midis tyre. Kësisoji, teksa i vështron, është shumë e mundimshme t’i perceptosh këto katër renditje të Kategorisë II (rrêjshëm I), me vetëm nga 4 a 5 skuadra të copëzuara kësisoji pa asnjë shkak. Të duken si fjalë kryqet më origjinale në botë. Për të kuptuar duhet të rrish me minuta të tana mbi ta.

Një komplikacion i papamë! Ndërsa për të kuptuar mandej se si do të bien e se si do të ngrihen nga një kategori në tjetrën, këtu “fjalëkryqi” merr përmasat e një problemi tejet të vështirë për t’u zbërthyer. Deri aty saqë “Panorama Sport” është e detyruar të botojë përditë këtë “përshkrim” të rrallë ngjitje-zbritjesh të skuadrave. Ja një pasazh: “…Grupet që e mbyllin kampionatin në vendet e dyta të grupeve A dhe B do të luajnë një ndeshje finale në mes tyre për të përcaktuat skuadrën fituese që do të përballet më pas me vendin e tetë të Kategorisë Superiore…

Klubet e renditura përkatësisht në vendin e 7-të të grupeve A dhe B të Kategorisë së Dytë do të zhvillojnë një ndeshje me ekipin fitues të ‘play off’ të grupit A të Kategorisë së Dytë… Skuadrat e renditura në vendet 2, 3, 4 dhe 5 të grupeve A dhe B të Kategorisë së Dytë do të zhvillojnë ndeshje ‘play off’ me sistemin e eliminimit brenda grupit…”. Fantastike! Ec e mbaje në mend. Kur të mbërrijmë te këto ndeshje “të frikshme” finalesh të këtyre skemave fort të ngatërruara “Made in Albania” të futbollit, gazetës do t’i duhet të krijojë një grup ekspertësh për të ndjekur e zbërthyer hap mbas hapi ecurinë e tyre. Vetëm një krijimtari kësisoji, vërtet “gjeniale”, mund të shpikë kësisoj zhdrivillimesh.

Duket që në FSHF kanë harruar se në 99 për qind të kampionateve të futbollit në botë tash mbi 150 vjet që i ka shpikë Anglia, sundon vetëm një skemë: ajo e sistemit me shkruarje e ardhje, një në fushën time e një në tënden. Skuadrat e vendit 1, 2 apo 3 që ngjiten në ligën tjetër. Skuadrat e vendit të fundit e të parafundit që zbresin. Dhe vetëm kaq. Ndërsa në Shqipëri, e shihni se çfarë mishmashi skemash kanë arritur të krijojnë. Për mjerim!…

Nuk po shkoj te skema e katër fazave të kampionatit kombëtar me vetëm 10 skuadra, që don të na mbushë mendjen se duke u ndeshur, bie fjala, katër herë Bylisi me Kastriotin apo qoftë dhe Partizani me Apoloninë a të tjera, do të kemi një futboll spektakolar. Në të vërtetë vetëm monotoni e mërzi, siç po “i shijojmë” tash 6 a 7 vjet kësi manirash, çka, përveç të tjerave, nuk tregojnë as kulturën që kërkojnë organizimet e futbollit të një shteti.

2.

Dhe, ndërkaq, vetvetiu vazhdon të shtangesh ngado që të hedhësh vështrimin. Si në rastin e para nja tri a katër ditëve kur mund të lexoje një intervistë të gjatë të “sekretarit të përgjithshëm”, siç u emërtuaka, i së ashtuquajturës Liga Profesioniste e Futbollit. Për një çast mendja të thotë se kjo “Ligë” po lulëzon prej punëve të shumta. Shtangesh sepse është tejet e vështirë që të bindesh nëse ajo ekziston. Përveç të tjerave, kjo edhe ngaqë nuk dihet se cila është veprimtaria e saj e përditshme, nuk dihet se çka organizon, nuk dihet se ke drejton, nuk dihet çfarë fuqie e kompetence ushtron. Nuk dihet se çfarë skeme organizimi zyrash e sektorësh ka. Dhe a e dini përse të thotë mendja kësisoji?

Ngaqë përditë dëgjojmë e lexojmë se çdo gjë në kampionatet e Shqipërisë, të paktën deri tash, e drejton, e vendos, e vulos, e nënshkruan vetëm një shoqatë, që është Federata Shqiptare e Futbollit. Me kalendarë, me data e dënime, me “play off” e me “play out”, me përjashtime lojtarësh, me caktime gjyqtarësh, delegatësh e vëzhguesish. Qofshim të gabuar, megjithatë. Por dihet se vetëm në një mbledhje që u quajt themeluese e kësaj “Lige”, u tha se ishte vepër e vetëm e nja 9 ose 10 klubeve anëtare dhe se prej tyre, u zgjodh presidenti, i cili në të vërtetë ishte zëvendëspresidenti i FSHF!

Kështu, kundër çdo arsyeje e rregullave ndërkombëtare të njohura. Ose, në arsyen e tutelës që FSHF-ja dukej se e dëshironte fort, natyrisht për ta përfshi në çadrën e saj edhe këtë “Ligë”. “Presidenti” i saj ndoshta e kuptoi se kjo punë nuk shkon, qoftë edhe kur kujton se për këto ka edhe FIFA a UEFA dhe dha dorëheqjen. Ndonëse nuk u dha as ndonjë deklaratë zyrtare shkakore mirëfilli për këtë dorëheqje. Ndoshta ngaqë e kuptonin se vetë “Liga” nuk ekzistonte. E po këtë dorëheqje ndoshta i takon ta bëjë edhe “sekretari i përgjithshëm” i kësaj “Lige” apo “pseudolige”.

E mandej të nisë themelimi i vërtetë ligjor i saj, duke u shkëputur prej FSHF-së, duke qenë themeluese të saj të gjitha skuadrat e klubet zyrtare anekënd Shqipërisë. Kështu e kanë pothuajse të gjitha shtetet. E mandej, duke organizuar gjithçka ajo vetë, jo FSHF-ja, pra në pavarësi të plotë prej kësaj të fundit. Edhe këtë kështu e kanë të gjithë shtetet. Po shkojmë tash paksa edhe tek ata që quhen delegatë e vëzhgues të ndeshjeve, ngaqë pothuajse çdo javë gati të gjithë janë vetëm prej një qyteti: nga Tirana. Këtë javë nja 7 të tillë në kampionatin e parë kombëtar – përsosje e pagabueshme kjo e një monopolizimi, që nuk mbaron këtu.

Nja 5 ishin edhe në Kategorinë II (rrêjshëm I). Dhe e pakta nja 4 “tiranas” të tjerë në Kategorinë III (rrêjshëm II). Të lind vërtet kërshëria për të lexuar se çka shkruajnë për një pjesë të mirë të gjykimeve këta sundues të palëkundshëm të cilët e kanë FSHF-në te dera e shtëpisë. Kjo, përveç të tjerave, edhe ngaqë çdo javë gjykimet po rrëshqasin – çka do të thotë se relacionet e tyre nuk paskan shumë forcë për të ndikuar për përmirësimin e punëve.

Për shembull, të lind kërshëria për të lexuar relacionin e vëzhguesit apo delegatit nga Tirana për ndeshjen e kampionatit të rangut III – siç na e ka konsideruar FIFA në botimet e saj – atë të ndeshjes Internacional – Sopoti 3-7 që, me se duket, paska qenë fort e rëndësishme, ndonëse luante skuadra e vendit të parë me atë të vendit 12-të, të parafundit. Po a vërtet, ka kaq shumë rëndësi që mendimi i vëzhguesit a i delegatit gati përherë vjen kryesisht prej tiranasve a kryeqytetasve? Me sa duket, po. Ndonëse në këtë njëanshmëri ti pengon, si të thuash, vetë rritjen kulturore të mendimit futbollistik në gjithë Shqipërinë. Nuk na shkon mendja, ndërkaq, se ndodh kështu edhe për interesa të pagesave që me të drejtë u takojnë të marrin delegatët e vëzhguesit. Edhe pse, për fat, shumica absolute janë po nga Tirana, sa më afër FSHF-së!…

Por me sa duket, kot e kemi. A nuk janë jashtë kampionatit kombëtar Vlora e Elbasani, Kavaja e Berati, Elbasani, Lushnja, Gjirokastra e Dinamo? Çka, vazhdimisht po e përsërisim deri në monotoni? Si vetë monotonia e organizimeve të papranueshme të kampionateve të futbollit në Shqipëri që ka cenuar fort vetë qytetarinë e tyre, traditën e tyre, gjeopolitikën e tyre, historinë e tyre. Tash, duke iu kthyer asaj çka u tha më sipër që lexuam këto ditë, po na ndodhka një befasi e madhe. Do t’u shitka emri i kampionatit kombëtar.

Pra, i atij që ec e gjeje pse quhet Superligë. Le të shitet nëse vërtet fitohen miliona. Mirëpo, shqiptarësia e këtij kampionati e do që ai të quhet si përherë: kampionati kombëtar i Shqipërisë. Dhe vetëm mbas këtyre fjalëve le të vihet “Arena”, “Air Albania, “Coca Cola” e po deshe edhe “Pepsi Cola”. E pra, a do ta kemi revolucionin riorganizues të kampionateve të futbollit në Shqipëri? Sigurisht që jo, nëse klubeve të nënshtruara shqiptare ua kanë mbyllur gojën e ata nuk bëzajnë ose bëzajnë një herë të vetme. Si atëherë, kur e pakta nja 30 prej tyre kërkuan shtimin e skuadrave, por që tash gati dy vjet nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kaq shumë i kanë nënshtruar!

Skenderbeu-1-1

Sidoqoftë, nëse përveç Apolonisë së Fierit bie edhe Skënderbeu i Korçës, atëherë kampionati i Kategorisë II (rrêjshëm I) ka mundësi të formojë Ligën e tij profesioniste e të “blejë” këtë emër “komercial”: “Kampionati i Qyteteve të Shqipërisë”. I takon sepse skuadrat e Kategorisë II që mund të jenë Korça, Fieri, Vlora, Kavaja, Elbasani, Berati, Lushnja, Gjirokastra kanë forcë për “ta blerë” këtë emër, para çdo emri tjetër. Tash, siç “kemi rënë dakord”, shkrimet tona do t’i mbyllim me kujtesa të organizimeve të shkuara, por tejet serioze. Kështu po veprojmë edhe kësaj here:

KAMPIONATI KOMBËTAR I SHQIPËRISË 1998-1999

Renditja përfundimtare

1. SK TIRANA / Tiranë 61

2. VLLAZNIA / Shkodër 60

3. BYLISI / Ballsh 59

4. TOMORI / Berat 46

5. KS LUSHNJA / Lushnjë 44

6. DINAMO / Tiranë 40

7. TEUTA / Durrës 40

8. KS ELBASANI / Elbasan 39

9. SHKUMBINI / Peqin 39

10.PARTIZANI / Tiranë 39

11.FLAMURTARI / Vlorë 38

12.SKËNDERBEU / Korçë 38

13.APOLONIA / Fier 37

14.BESA / Kavajë 36

15.KF LAÇI / Laç 33

16.KF BURRELI / Burrel 27

Komentet e mëtejshme janë të tepërta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"