Për të mos bërë pis gjithçka…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 16:23

Për të mos bërë pis gjithçka…

ARTAN SHYTI

Tirana po shkon me hapa të sigurt drejt titullit kampion. E ndjekur nga pas nga një Kukës i motivuar që të mos lëshojë terren dhe që kërkon të provojë deri në fund shansin për të korrigjuar gabimet dhe pikët e lëna rrugës gjatë kampionatit dhe për ta arritur trofeun i pari.
bastet-sportive-artan-shyti-768x432

Në këtë rifillim të Superligës, që është një ngjarje e bukur, ky duel është bukuria tjetër që duhet ta shijojmë deri në fund. Po ashtu edhe Kupa e Republikës.

Në emër të kësaj dëshire dhe nevoje jetike për t’iu gëzuar sportit në të gjitha format e përjetimit të tij: si lojtarë, trajnerë, zyrtarë, tifozë etj., u kërkohet të gjithëve që t’i ruhen tentacionit për të shprehur dyshime apo opinione që e dëmtojnë këtë festë të rifilluar.

Futbolli dhe sporti shqiptar në përgjithësi ka probleme pa fund. Kush mendon se i ka punët në rregull dhe nuk ka asgjë për të rregulluar, nuk ia do të mirën atij, përkundrazi.

Por, është tjetër gjë të flasësh dhe të pozicionohesh për cilësinë e lojës, për financat, për gjykimin, për cilësinë e ambienteve sportive dhe tjetër gjë të ngresh publikisht dyshime për lojë jo të ndershme, për trukime apo lëshime.

Nëse flet për të parat, flet për sport dhe e ndihmon sportin; nëse ngre aluzione për të dytat, pa treguar fakte dhe indicie konkrete, flet për akte jo të ligjshme që ndodhin në sport, ndaj e dëmton atë.

Jo se këto dyshime për lojë jo të ndershme nuk mund të jenë. Por, sepse këto lloj akuzash apo konstatimesh, kur nuk shoqërohen me fakte dhe nuk denoncohen në organet përkatëse, bëjnë një efekt të kundërt me qëllimin që kishin kur artikulohen. Në vend që t’i pengojnë këto shfaqje, i relativizojnë ato, i përgjithësojnë dhe i japin, pa të drejtë, statusin e prezencës konstante në ambientin sportiv. Në vend që ta pastrojnë sportin, ato e përhapin pisllëkun eventual mbi të gjithë.

Një nga gjërat që të edukon sporti është që të dish të gëzosh pa e tepruar për fitoren dhe ta pranosh me dinjitet humbjen. Sepse, janë gjithmonë bashkë. Edhe më i miri dikur do të humbasë, për të rifilluar të fitojë.

Duke bërë pis ata që fitojnë, nuk dhemb më pak humbja jonë, as nuk mbetesh vetë i pastër. Thjesht kemi fitore “të pista” të të tjerëve që do të kthehen si të tilla, për opinionin publik, edhe kur të fitojmë ne vetë. Si një bumerang me baltë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"