Në vendin e hajdutëve nuk mund të ketë sportistë elitarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2019 | 20:31

Në vendin e hajdutëve nuk mund të ketë sportistë elitarë

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Sportistët elitarë janë PASURI KOMBËTARE.

Në të gjithë botën. Po jo në Shqipëri.

Në Shqipëri ndodh e paimagjinueshmja. Ata që duhet t’i mbështesë, jo vetëm që nuk e bëjnë këtë, por edhe i vjedhin.

sporti shqiperi

Ata që duhet t’i shpërblejnë kur dalin kampionë botërorë e evropianë, gjejnë pretekste burokratike që të mos u japin as atë pak që u ka caktuar ligji dhe që është shumë më pak sesa meritojnë. Të gjithë këta zyrtarë që jetojnë në kurriz të rezultateve të këtyre sportistëve, që marrin rrogën sepse ata sakrifikojnë rininë e tyre për të arritur rezultatet sportive të nivelit të lartë, as nuk duan t’ia dinë për ta, por i trajtojnë me përbuzjen më të thellë. Kush duhet t’i mbrojë?

Federatat trajtohen financiarisht si lypsare. Askush nuk i merr në konsideratë kërkesat e tyre, por i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe të lëmoshave poshtë e përpjetë. U premtuan një ligj që mbështet elitarët dhe po i gënjejnë përditë.

KOKSH, që duhet të ngrejë zërin në favor të tyre, është strukur në periferi të sportit, ndan fondet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në mënyrë absurde, duke i çuar në destinacione tepër të dyshimta. Bile arrin deri aty, sa edhe i taton elitarët mbi bursat për ushqim e dieta, të cilat nuk tatohen dhe me tatimin e tyre shton rrogat e administratës (?!) siç deklaron vetë presidenti. Pra, i vjedh në dritë të diellit.

Po a mund të trajtohet një PASURI KOMBËTARE kështu?

A kanë të drejtë këta pak elitarë që kemi që “të bëjnë valixhet” e të ikin nga sytë këmbët? Patjetër kanë shumë të drejtë. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë. Të ikin nga një realitet që në vend që t’i nderojë, i përbuz! Nga një realitet që në vend që t’i shpërblejë, i vjedh! Të ikin, sepse këtu drejtojnë të paaftët dhe hajdutët! Dhe në vendin e hajdutëve dhe të paaftëve nuk mund të ketë hapësirë për sportistë elitarë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"