Dajës nuk ia ka fajin Alla, FSHF të marrë masa për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2020 | 20:20

Dajës nuk ia ka fajin Alla, FSHF të marrë masa për trajnerin

 ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Në fakt, titulli i këtij shkrimi nuk ka të bëjë fare me atë që mendon e mund të bëjë arbitri Alla, sepse nga vetë natyra e tij, ai është fjalëpakë dhe nuk parapëlqen të replikojë. Është djalë i edukuar, i drejtë dhe që në vazhdimësi ka shprehur respekt jo vetëm ndaj profesionit të tij, por edhe ndaj atyre që shpesh i takon t’u vendosë drejtësinë sportive.

Ai ka gjykuar mjaft ndeshje të Kategorisë Superiore, madje edhe të Skënderbeut. Nuk është përzgjedhur asnjëherë si arbitër i FIFA-s, por është një prej arbitrave më të mirë të vendit tonë, që do të thotë se ai asnjëherë nuk është konsideruar si i përkryer profesionalisht, sepse në fakt edhe unë, shokët e mi dhe arbitrat ekzistues të FIFAs, asnjëherë nuk kemi qenë të tillë.

Në fushën e arbitrimit, Alla ka afërsisht të njëjtën përvojë me atë 25- vjeçare që krenohet trajneri Ilir Daja, i cili në përgjithësi ka bërë një emër të mirë në profesionin e tij, por edhe ai, si të gjithë ne që jemi marrë me futbollin, nuk u ka shpëtuar dot kritikave dhe dështimeve, prandaj e mira do të jetë që të mos harrohet ky realitet, në mënyrë të veçantë kur analizojmë punën e të tjerëve. Nuk është pjesë e punës dhe kompetencë e një trajneri që të përcaktojë nëse një arbitër duhet të gjykojë më në Kategorinë Superiore, apo jo.

Janë organe të tjera ato që e kanë këtë kompetencë. Trajneri i ekipit të Skënderbeut, Z. Daja, në kundërshtim flagrant, jo vetëm me etikën qytetare, por edhe rregullat sportive, kërkoi publikisht që arbitri Alla të mos gjykojë më në Kategorinë Superiore, thjesht si një justifikim për dështimin e punës së tij dhe të ekipit që ai drejtoi në ndeshjen me Teutën. Me siguri që edhe Alla i ka nja dy fjalë për t’i thënë trajnerit Daja, por si një respektues i rregullave, ai nuk dëshiron t’i shkelë ato.

Arsen Hoxha-Ilir Daja - Laver Alla

Por në mendjen e tij i ripërsëriten mjaft nga deklarimet e trajnerit dhe i çuditur pyet veten se si ka mundësi, që një kartelë e vetme, e nxjerrë ajo qoftë edhe në mënyrë të gabuar, të paskësh influencuar kaq shumë në disfatën e ekipit që trajneri Daja drejton?! Por ndërkohë kur vet ky trajner rreshton disa gabime të punës së tij dhe të futbollistëve në fushë, Alla ndjehet diçka më i lehtësuar.

Ja disa prej tyre që trajneri Daja pranoi:

“- Teuta e kishte përgatitur më mirë se ne ndeshjen. Ishte shumë e fortë në dyluftime dhe bënte presion të lartë. Që pas ndeshjes me Bylisin ne kemi qenë shumë pak agresivë.

– Edhe pse në pjesën e dytë Teuta e uli ritmin, reagimi nuk ishte rrjedhojë e një manovre të mirëzhvilluar nga ne.

– Kemi dhe ne gabimet nga mënyra si jemi përgjigjur taktikisht dhe në dyluftime. Për këtë do të diskutojmë me futbollistët, dhe për pjesën që ia lanë iniciativën kundërshtarit në momentin që shohim që loja është e fortë.

– Përshëndes Teutën me lojën që bëri. E meritoi fitoren”.

Për sa më sipër, arbitri Alla është në të drejtën e tij morale që t’i thotë nja dy fjalë trajnerit justifikues si:

“- Kush e mban përgjegjësinë për mosmotivimin, dhe për pasojë, shpirtin e ulët mobilizues të ndeshjeve të lojtarëve të tij?

– Kush është përgjegjësi direkt i mospërcaktimit të manovrave efektive në ndeshje?

– Kush i pengoi lojtarët e ekipit të tij që të tregoheshin të barabartë në dyluftimet me ekipin kundërshtar?”.

Në fakt Allës as i shkon në mendje t’i drejtojë këto pyetje trajnerit Daja, sepse ai është i vendosur në zbatimin e rregullave sportive. Këtë duhet ta bëjnë zyrtarët e arbitrave, Komisioni i Disiplinës së FSHF-së, si dhe kritikët sportivë, sepse është një dukuri që kohët e fundit po përsëritet shpesh jo vetëm nga trajnerët, por edhe nga presidentët, dhe këto deklarata që janë në kundërshtim flagrant me etikën dhe rregullat e aktivitetit, për fat të keq po kalojnë pa u ndëshkuar.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"