“Operacioni i dimrit”, pritet tjetër revolucion te Partizani. Situata te “demat” aspak e mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2019 | 14:39

“Operacioni i dimrit”, pritet tjetër revolucion te Partizani. Situata te “demat” aspak e mirë

Tashmë është fakt, Partizani zhgënjen atëherë kur investimet janë më të mëdha në merkato. Referuar të shkuarës, kur analizohet situata aktuale mund të heqësh paralele me sezonin 2017-2018. Ashtu si tani, edhe para dy vitesh, sezoni nisi me trajner italian, me shpenzime të mëdha në merkato, rroga të majme, por me luhatje të mëdha në lojë. Asokohe, Mark Iuliano u shkarkua pas javës së 9-të, ndërsa patrioti i tij, Franko Lerda, mbijetoi deri në javën e 15- të.

Stervitja e Partizanit

Drejtuesit e kuq morën guximin në verë që të cenojnë strukturën e skuadrës që doli kampione pas 26 viteve, me pretendimin se po ndërtonin një ekip të madh dhe me rritje niveli dhe stil sulmues. Se çfarë ka ndodhur në 6 muajt e fundit, nuk ka vend për koment, pasi pozita ku ndodhet Partizani tregon gjithçka. Situata që ndodhi para dy vitesh u shfrytëzua si shkak për zhvillimin e një revolucioni të thellë, që kapi të gjitha strukturat e klubit, ku pas largimit të trajnerit Iuliano, iku administratori Luçiano Moxhi dhe u largua një pjesë e mirë e “gardës së vjetër”.

Menaxhimin e skuadrës e mori Olsi Rama, i cili në 18 muaj arriti të finalizojë një projekt triumfues, duke rikthyer titullin kampion që mungonte nga viti 1993. Ndonëse nuk pranohet publikisht, nën zë, në kampin e kuq thuhet se Partizani është thuajse në pozitat e para dy viteve, ku gjasat janë që të zhvillohet një tjetër revolucion.

Partizani me tifozet

Pra, “operacioni i dimrit” mund të ketë shtrirje të gjerë te Partizani, ku më së shumti rrezikojnë ata që erdhën me bujë, por që nuk kanë dhënë asgjë deri tani. Si për analogji, edhe para dy vitesh, Partizani, ndeshjen e fundit të vitit e kishte në shtëpi ndaj Vllaznisë, që e luante më 22 dhjetor, ashtu siç de të ndodhë edhe këtë të diel, ku të kuqtë presin shkodranët në “Selman Stërmasi”.

Në atë takim të dhjetorit të 2017-ës, “demat” vinin pas turpërimit 5-0 në Gjirokastër, por arritën ta mbyllnin me një fitore 3-1 ndaj Vllaznisë. Kësaj radhe, Partizani vjen pas tri humbjeve radhazi dhe shpresohet që mbyllja e vitit të jetë e njëjtë me atë të 2017-ës, ku kërkohet rikthimi te fitorja.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"