Nuk po shkëlqen me Junajtidin, Onana: Jam lider në dhomat e zhveshjes, doja të isha polic

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2023 | 13:20

Nuk po shkëlqen me Junajtidin, Onana: Jam lider në dhomat e zhveshjes, doja të isha polic

Andre Onana nuk po jeton momentin më të mirë të karrierës së tij në “Old Trafford”, por sërish mbetet një figurë e rëndësishme në dhomat e zhveshjes së Mançester Junajtidit.

onana

Portieri ka zbuluar pseudonimin e vënë nga bashkëlojtarët e tij në Angli, pasi zbuloi ëndrrën e tij për të qenë një polic. Gardiani kamerunas iu bashkua “djajve të kuq” në pas një transferimi prej 47 milionë paundë nga Interi në korrik dhe që atëherë, ka luajtur në çdo ndeshje zyrtare të skuadrës së Erik ten Hagut. Megjithatë, disa nga paraqitjet e tij në muajt e fundit janë vënë në pikëpyetje, pas një sërë gabimesh, të cilat i kanë kushtuar pikë të rëndësishme skuadrës.

Gabimi më i fundit i ish-portierit të Interit, erdhi në një ndeshje vendimtare në Champions League kundër Gallatasarajit, javën e kaluar. Pas një goditje dënimi të Hakim Zijehut, ai la topin t’i rrëshqiste në doreza, ndërsa skuadra e Super Ligës Turke sulmonte pasi po humbte 3-1. Miqtë u barazuan përfundimisht 3-3, rezultat, i cili vendos në dyshime të mëdha, shpresat e tyre për t’u kualifikuar në fazën me eliminim direkt. Pavarësisht nga paraqitjet e tij nën nivelin e pritshëm, Onana e ka pozicionuar veten si një personalitet i rëndësishëm në dhomën e zhveshjes së skuadrës, aq sa i është vënë edhe një nofkë e re. Shokët e tij të skuadrës tani e quajnë atë “shefi”, sepse atij i pëlqen të marrë përgjegjësi të mëdha, ndërsa ka ëndërruar që të bëhej polic. Duke folur në kanalin zyrtar të Premier Ligës në “YouTube”, Onana zbuloi se do të ishte bërë polic, nëse nuk do të kishte arritur të ndiqte karrierën e futbollistit.

“Mendoj se do të isha oficer policie, pasi më pëlqen të marr përgjegjësi. Prandaj edhe shokët e mi të skuadrës më quajnë ‘shefi’. Mua më pëlqen politika gjithashtu, gjithmonë kam dëshirë të mësoj për të. Më ndihmon të kuptoj sesi funksionon bota. Për mua, të punosh si oficer policie është të marrësh përsipër të bësh një nga punët më të nderuara në botë”.

Junajtidi rrezikon që ta humbasë Onanën në janar, me portierin që do të bashkohet me skuadrën e Kamerunit për Kupën e Kombeve të Afrikës. Me shumë mundësi ai do të zëvendësohet nga Alltaj Bajindir.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"