“Nuk ka lidhje Samiti i BE-së me Vllaznia-Tirana”, Josa përpara Superkupës: Duam trofeun! Meqë është pushim Botërori…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 14:27

“Nuk ka lidhje Samiti i BE-së me Vllaznia-Tirana”, Josa përpara Superkupës: Duam trofeun! Meqë është pushim Botërori…

Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Tiranës, e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, në orën 19:00, në stadiumin “AIR Albania”, në konferencë për shtyp është shfaqur trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, i cili ka analizuar këtë duel për shkodranët:

jo

Superkupa ndaj Tiranës – “Është një finale dhe është interesante sepse bëhet në këtë periudhë sepse jemi mësuar që Superkupa të zhvillohej përpara startit të sezonit. Të dyja ekipet duan ta fitojnë trofeun, si nga ana e lojtarëve, stafit, të dy emrat e ekipeve, Vllaznia edhe Tirana. Do të jetë një ndeshje që do t’i shërbejë vazhdimësisë, si për ne ashtu edhe për Tiranën. Çdo skuadër e do një trofe më tepër për veten e saj.”

Liridon Latifi dhe grupi i lojtarëve – “Latifi është stërvitur shumë mirë, është stërvitur në periudhën kur pjesa tjetër e skuadrës ka bërë pushim. Vetëm dy-tre lojtarë nuk kanë bërë pushime, siç është dhe Gurishta që ka qenë me ekipin A të Kombëtares shqiptare. Problemi i Vllaznisë është që të gjejë Latifin në gjendje sa më të mirë dhe sa i përket gjendjes optimale të tij do të shihet në vazhdimësi sepse pas një periudhe kaq të gjatë dëmtimi një lojtar nuk jep dot maksimumin e tij. Dy qendërmbrojtësat nuk do të luajnë nesër. Kemi zgjidhje të tjera, ndeshja do të na shërbejë për vazhdimësinë.”

Botërori – “Nesër është pushim Botërori dhe të gjithë do t’i kenë sytë te ne sidomos shqiptarët.”

Finalja – “Vllaznia gjithmonë kur ka luajtur ndeshjet finale është përgatitur për t’i fituar ato. Do të bëjmë maksimumin si skuadër po ashtu edhe si individ për ta marrë këtë trofe. Nuk e di çfarë gjendje është Tirana, ndeshjen e fundit e kemi zhvilluar me ta në kryeqytet. Tirana është Tiranë dhe nuk futet në fushë për të humbur, por për të fituar. Edhe Vllaznia gjithashtu, gjithë opinioni sportiv shkodran do që të marrë një trofe më tepër. Ne do ta shohim ndeshjen me qetësi, jo një qetësi që të na vërë në gjumë për zhvillimin e një sfide. Duhet të rrisim çdo komponent, e cila përbën një skuadër futbolli.”

Samiti i BE-së – “Çdo skuadër do të japë atë që ka mundësi vetë, nesër në orën 19:00. Nuk ka lidhje fare Samiti i Bashkimit Europian me ndeshjen Vllaznia-Tirana.”

Ndeshja ndaj Egnatias – “Egnatia është një nga skuadrat më të mira në kampionat, por nuk është momenti për të folur për Egnatian. Ne duhet të flasim për ndeshjen e radhës, për Superkupën kundër Tiranës. Ne jemi përgatit me forcat që kemi sepse të gjithë flasin për lojtarët se cili do të qëndrojë apo për çfarë ka nevojë ekipi për më shumë, kjo nuk është periudhë që të bëhen këto lëvizje. Me lojtarët që kemi, me impenjimin e tyre, të stafit dhe të gjithë klubit do të mundohemi që t’i marrim maksimumin kësaj ndeshjeje.”

Shtesat apo penalltitë? – “Duke parë ndeshjen e Botërorit mes Kroacisë dhe Japonisë, nuk ka asnjë lloj garancie në këtë drejtim.”

“Dhurata” për tifozët – “Dhurata për këtë fundvit nga Vllaznia për tifozët që unë kërkoj është që të jemi një ekip sa më i konsoliduar, më të lidhur me njëri-tjetrin, lojtar-staf-tifozeri dhe të çdo gjë që bëhet në skuadër bëhet për të mirën e saj dhe nuk bëhet për të mirën e individit.”, përfundoi Mirel Josa.

BRIAN KRISTO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"