“Nuk e parkojmë autobusin ndaj Partizanit”, Plori: Do të luftojmë që të shënojmë një gol…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2020 | 11:01

“Nuk e parkojmë autobusin ndaj Partizanit”, Plori: Do të luftojmë që të shënojmë një gol…

Besëlidhja do të ndeshet sot në “Elbasan Arena” me Partizanin në sfidën e kthimit të 1/16-ave të Kupës së Shqipërisë. Ndeshjen e parë të luajtur në Lezhë Besëlidhja e ka fituar me shifrat 3-0, një rezultat shumë i vështirë për t’u përmbysur, ndonëse Partizani është kampioni në fuqi, ndërsa kundërshtari militon në Kategorinë e Parë. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, Besëlidhja e ka vlerësuar takimin dhe është grumbulluar që mbrëmë në Elbasan me objektivin e kualifikimit. Këtë e shprehu edhe trajneri Elvis Plori për “Panorama Sport” duke deklaruar: 

elvis plori

“Duke pasur parasysh rezultatin e ndeshjes së parë në Lezhë dhe formën që po kalon skuadra, normalisht do të luftojmë jo vetëm për kualifikim, por edhe për ndonjë rezultat të mundshëm pozitiv. Ne e dimë se kjo ndeshje nuk është e lehtë, por mjaft e vështirë, pasi luajmë kundër kampionëve të Shqipërisë. Jemi mobilizuar maksimalisht për të dhënë më të mirën edhe në Elbasan. Duke e ditur se ndeshjen e parë e kemi fituar pastër, 3-0, është e qartë nga të gjithë që duhet besuar te kualifikimi. Unë nuk do të shkoj në Elbasan sa për një shëtitje për të vendosur një skuadër apo për të vendosur autobusin prapa. Unë jam i qartë se Partizani është i mobilizuar totalisht nga të gjitha pikëpamjet për ta përmbysur rezultatin që mori në Lezhë. Por skuadra jonë do të luftojë që të shënojë të paktën një gol, që do të realizonte objektivat. Në përgjithësi skuadrën e kam të plotësuar, ndonëse këtë javë kemi pasur dy-tri dëmtime, por jo serioze. Me ndihmën e stafit mjekësor shpresoj se do t’i kem sot gati për formacion”.

Beselidhja foli i dyte

“Sa i përket kampionatit, ne aty kemi hyrë me objektiva të qartë dhe normalisht që aty i kemi të gjitha pritshmëritë, por edhe në Kupë nuk do të dorëzohemi lehtë. E them pa frikë se kjo Besëlidhje që kam në dispozicion është në nivelin e shumë skuadrave të Superiores. Ndaj, jam mjaft optimist pasi koha po e tregon se kush është Besëlidhja e vërtetë. Ndeshja ndaj Partizanit është një bonus pozitiv edhe për kampionatin, pasi skuadra futet në lojë e mobilizuar me mentalitetin e superioritetit përballë të gjitha skuadrave për të marrë maksimumin e duhur, si dhe për të siguruar kreun e grupit. Një kualifikim i mundshëm do ta ndezë skuadrën, do ta bëjë më euforike dhe mendoj se kjo do të marrë nga kahu pozitiv. Unë luftoj vetëm për ndeshjet e radhës dhe pasi analizoj pararendësen, përgatitem për tjetrën dhe me këtë mentalitet deri tani kam pasur sukses. Besoj shumë te kjo metodë”.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"