“Nuk do ta kemi të vështirë me Laçin nëse luajmë si me Luftëtarin”, futbollisti i Flamurtarit: Nuk i hapim rrugë askujt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 23:00

“Nuk do ta kemi të vështirë me Laçin nëse luajmë si me Luftëtarin”, futbollisti i Flamurtarit: Nuk i hapim rrugë askujt

Mjaftoi një fitore tenistike, që te Flamurtari të kthehej humori. Vërtet kanë rënë matematikisht nga Kategoria Superiore, por të paktën tashmë kanë gjetur motivin për të luajtur 5 javët e fundit. Këtë e thotë edhe Jurgen Vrapi, i cili dha kontributin e tij me ato dy asiste fantastike kundër Luftëtarit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori analizon atë 90-minutësh dhe flet për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Numri 22 i kuqezinjve kërkon vazhdimësinë ndaj Laçit, ndërsa paralajmëron se nuk do t’i hapë rrugën asnjë skuadre deri në fund. Frika i vjen nga gjykimi. Ashtu si portieri Shpëtim Moçka, edhe 21-vjeçari kërkon që arbitrat t’i respektojnë për “Fair Play”-in që kanë dhënë në fushë.
jurgen vrapi flamurtari

Pas një pritjeje të stërgjatë, erdhi fitorja e dytë sezonale pas 31 javësh. Është i lumtur Jurgeni?
Patjetër që po. Ishte një moment që e prisnim me shumë dëshirë. Pavarësisht lojërave të mira që kemi bërë javë pas jave, fati e ka dashur që të mos dalim dot te fitorja. Por, edhe ky moment erdhi më në fund. Me Luftëtarin ishte një dominim nga ana e ekipit tonë. Të gjithë ne si lojtarë e vlerësuam shumë mirë ndeshjen dhe arritëm që ta konkretizonim siç duhej duke marrë tri pikët. Uroj dhe shpresoj që kjo ndeshje të jetë një shtysë edhe për ndeshjet e ardhshme.

Vërtet nuk e gjetën rrjetën, por dhatë dy asiste…
Ndihem i lumtur për atë që po jap në Vlorë, ndonëse thjesht detyrën kam bërë. Patjetër që një futbollist ndihet mirë kur jep kontributin e tij për skuadrën dhe e ndihmon atë që të arrijë objektivat dhe të marrë pikë. Kështu që, edhe unë ndaj Luftëtarit me asistet që dhashë, i dhashë ekipit tim një dorë. Përpiqem që në çdo ndeshje që aktivizohem të jap më të mirën time dhe kështu do të veproj edhe në të radhës.
laci grumbullimi
Dhe e radhës është me Laçin, çfarë kërkoni nga kjo transfertë?
Me Laçin synojmë që të mos dalim pa pikë. Është shumë e rëndësishme që të japim maksimumin edhe në këtë ndeshje siç bëmë javën e shkuar. I dimë vështirësitë e asaj ndeshjeje, por ne do të shkojmë me synimin që të marrim pikë. Them se nuk do ta kemi të vështirë këtë gjë, nëse do të luajmë siç bëmë me Luftëtarin.

Duke parë vështirësitë, i druheni kundërshtarit?
Nuk i druhemi kundërshtarit, edhe pse e vlerësojmë maksimalisht. Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të marrë atë që duam. Kam bindjen se do t’ia dalim, pasi e kemi marrë me seriozitet maksimal këtë 90- minutësh. Në fund të fundit, nuk kemi çfarë të humbim.

Kur tashmë keni rënë nga kategoria, çfarë synoni në këto 5 ndeshje të mbetura?
Synojmë të mos tolerojmë asnjë ekip dhe të paraqitemi sa më mirë për veten tonë, sepse siç dihet jemi një grup me shumë djem të rinj. Do të bëjmë punën tonë në çdo ndeshje dhe nuk do t’i hapim rrugë asnjë kundërshtari në mënyrë kategorike. Do të respektojmë fanellën dhe historinë e këtij klubi me traditë, siç është Flamurtarit.

Mendoni se ka qenë korrekt gjykimi me ju?
Unë mendoj që për shkak të renditjes, na kanë nënvlerësuar, por nuk duhet të ndodhë kështu. Ne jemi Flamurtari dhe kërkojmë të na respektojmë për “Fair Play”-in që po bëjmë në këtë kampionat.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"