NOTAT, PARTIZANI/ Hoxha pa faj te golat, Belica gjiganti i “urtë”. Romero mëndjemadh, Lerda gabon me zgjedhjet e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 22:18

NOTAT, PARTIZANI/ Hoxha pa faj te golat, Belica gjiganti i “urtë”. Romero mëndjemadh, Lerda gabon me zgjedhjet e tij

Partizani humbi mbrëmjen e djeshme në derbin përballë Tiranës, me shifrat 1-2, ndërkohë “Panorama Sport” ju sjell notat për lojtarët e kuq, si dhe trajnerin Franko Lerda.

Partizani goli

HOXHA 6 – Pa faj te golat dhe gjithnjë i vëmendshëm. Në minutën e 63- të shpëton portën nga një gol i sigurt kur ia heq topin Ngosë nga koka. Autoritar, por vetëm Belica ia kupton direktivat që jep për mbrojtjen.

alban hoxha

BITRI 5 – Tej mase i ashpër me ndërhyrjen që në minutën e dytë që solli më pas edhe ndëshkimin me të verdhë. I kushtëzoi agresivitetin në fushë për gjithë pjesën tjetër të ndeshjes. Shpesh i tradhtuar taktikisht nga shokët e repartit.

BOLDOR 4 – Humbet topa të rrezikshëm në afërsi të zonës me një lehtësi gati acaruese. Shumë i fortë në markim një për një, por i paqartë kur ka topin në këmbë dhe akoma më i turbullt kur lexon aksionet e rivalëve. Nuk po kalon një periudhë të mirë.

egzon belica

BELICA 6 – Gjiganti “i urtë” jep gjithçka që porta e Hoxhës të mos preket, por këtë herë nuk ia del. Mesfusha filtron pak dhe ai e sheh shpesh veten i vetëm përballë tre ose katër bardhebluve.

IDRIZAJ 4.5 – Një pjesë e parë e vuajtur, pasi sulmet e Tiranës më së shumti vijnë nga krahu i tij. Shtyn pak përpara dhe e ka të vështirë që të jetë strikt taktikisht gjithë kohën. Shpesh e lë zbuluar krahun e tij.

(Nga min 67′ Braun 4.5 – U fut, humbi, iku… Asgjë për t’u mbajtur shënim nga një lojtar që nuk duket sikur ka shumë lidhje me këtë Partizan. Të paktën jo deri tani).

uilliam kordeiro melo

MELO 5,5 – Një pjesë e parë e mirë, kur falë dy aksioneve personale për pak gjen topin. Fokusohet më shumë në mbrojtje, por e bën mirë dhe fazën ndërtuese. Kuptohet pak dhe keq me Solomonin.

ROMERO 4 – Potencial mbi mesataren dhe bën diferencën kur impenjohet, por problemi është që luan me mendjemadhësi. Humbi topin e golit të dytë të Tiranës, por ndërkohë e kishte bërë të njëjtin gabim edhe dy herë të tjera. Thjesht sepse nënvlerëson kundërshtarin dhe nuk është totalisht i përqendruar.

HYSENI 4.5 – Një ndeshje e luftuar me zemër, por mbase nuk ishte momenti për ta provuar veten pas një viti pikërisht në një derbi. Fillimisht i përhumbur, por më pas e merr veten disi. Nuk e bën dot Telushin dhe as Asanin dhe ndonjëherë e ka të vështirë të gjejë pozicionin natyral. (Nga min 76′ Hakaj – Pa notë. Nuk lë asnjë shenjë në ndeshje dhe te aksioni i fundit mund të kishte qenë pak më i tërhequr).

lorenc trashi

TRASHI 5,5 – Gjysmë note më pak për atë “tërbim” kundër Ngosë, pasi rrezikoi ta linte ekipin me dhjetë lojtarë. Nuk i del edhe aq shumë loja me Dokën, por mbetet një pikë referimi për skuadrën. Ka personalitet dhe siguri në vetvete, atë që shumica nuk e kishin dje.

BARDHI 6,5 – Një gol prej bomberi të vërtetë, lëvizje pa fund, shërbime për shokët dhe sa shumë dëshirë për të luftuar. Po kalon një moment të mirë dhe e vërtetoi edhe dje, ndonëse pas rastit të golit nuk mori asnjë pasim.

SOLOMON 4,5 – Pak shpues në fazën sulmuese dhe pak kërkues për topin e parë. Lufton rrallë dhe keq dhe lëviz pak pa top. Shumë larg lojtarit që shënoi gol derbin e kaluar.

(Nga min 46′ Çinari 4.5 – ndonjë shkëndijë në fillim, por më pas ekipi nuk arrin të shtyjë më si duhet dhe ai punon më së shumti për të fituar ndonjë top se sa për të shënuar gol).

franko lerda

TRAJNER FRANKO LERDA 4 – Partizani luan keq, pëson shumë dhe ka pak fantazi. Përveç kësaj, duket sikur ekipit i mungon edhe dëshira për të fituar. Zgjedhja për të lënë Asanin në stol ishte shumë e guximshme. Vendosja e Hysenit titullar gjithashtu nuk ishte ndonjë gjetje. Edhe zëvendësimet lanë për të dëshiruar.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"