Njohje e vjetër e Sarrit, Tare bën shkuesin për Brojën te Lacio

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2022 | 17:49

Njohje e vjetër e Sarrit, Tare bën shkuesin për Brojën te Lacio

Kërkimi i Lacios për një alternativë të vlefshme për Çiro Immobilen vazhdon. Kuotimet e Dries Mertensit janë rritur dhe, siç ju kemi thënë më parë, ai do të ishte kontaktuar drejtpërdrejt nga Mauricio Sarri. Trajneri po bën presion për të sjellë belgun në kryeqytetin italian, duke i kërkuar ulje të pretendimeve për pagën. Megjithatë, një tjetër emër është në listën e Sarrit për të përmirësuar ekipin e tij në aspektin e forcës goditëse. Sipas zërave që vijnë nga media të ndryshme, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, do të kishte testuar terrenin për Armando Brojën.

broja

Sulmuesi shqiptar, në pronësi të Çelsit, është rikthyer nga një sezon i mirë pas huazimit te Sauthemptoni. Me fanellën e “Shenjtorëve” ai bëri 32 paraqitje në kampionat, duke arritur të shënojë gjashtë gola. Edhe në sezonin pararendës ai ishte paraqitur mirë për sa i përket shënimit. Bëhet fjalë për përvojën në formë huazimi te Vitese, ekip me të cilin shënoi dhjetë gola në kampionatin holandez. Broja vlerësohet për forcën e tij dhe lojën në ajër, teksa është një profil i ri, i cili shtatorin e ardhshëm do të mbushë vetëm 21 vjeç.

KUJTIME

Në fakt, Mauricio Sarri nuk po e njeh tani bomberin e Shqipërisë. Gjatë eksperiencës së tij në Londër, trajneri lacial pati mundësinë të shihte qendërsulmuesin shqiptar që luante në ekipin e 18-vjeçarëve të Çelsit. Asokohe ishte më i imët në fizik, por potenciali ishte i jashtëzakonshëm siç e konfirmoi edhe rinovimi me Çelsin që i zgjati kontratën dhe i mundësoi rritjen duke e huazuar. Procesi i maturimit për Armandon nuk ka përfunduar pasi, siç thamë, nuk i ka mbushur ende 21 vite. Ai ende duhet të rritet, por tashmë ka forcë të mirë fizike dhe një nuhatje të shkëlqyer për gola. Përveç kësaj, është shumë i aftë në shfrytëzimin e thellësisë së sulmit. Di të mbajë topin për të ngritur skuadrën, por mund të sulmojë edhe i vetëm siç e ka bërë në disa raste me Kombëtaren. Broja tashmë ka disa admirues në Itali. Përveç Lacios, edhe Napoli e ka ndjekur shqiptarin të cilin e konsideron si alternativë në rast largimi të Osimhenit. Problemi i vërtetë për Lacion dhe këdo tjetër që e dëshiron Brojën përfaqësohet nga vlerësimi i kartonit. Çelsi pretendon një shifër rreth 30 milionë euro për ta lënë të lirë të largohet, e me mundësisë e Lacios, opsioni i vetëm i zbatueshëm duket të jetë ai i huazimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"