Një malazez dhe një slloven për Laçin, zbardhen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2018 | 14:13

Një malazez dhe një slloven për Laçin, zbardhen prapaskenat

Laçi po kërkon me ngulm një sulmues të afirmuar dhe është çështje orësh zyrtarizimi i tij. Dy ditë më parë, “Panorama Sport” paralajmëroi se drejtuesit kurbinas po negociojnë me një 30- vjeçar që ka luajtur edhe tek Osasuna në Spanjë. Bëhet fjalë për malazezin Bogdan Miliç, i cili ka marrë një ofertë zyrtare nga Laçi.

bog

Në sezonin e fundit qendërsulmuesi ka luajtur për klubin malazez, Iskra, në Superligën vendëse. Karriera e Miliç është e pasur, teksa nisi në vitin 2006 te Buduçnosti, për të kaluar më pas në Holandë me Ado Den Hag. Sulmuesi ka luajtur në Çeki dhe Rusi me klube si Viktoria Plzen dhe Spartak Nalçik. Në vitet 2012-2013 luajti në Korenë e Jugut me Guangju dhe Suon. Më pas u rikthye në Mal të Zi te Rudar dhe OFK, për të bërë transferimin e madh në sezonin 2015-2016 tek Osasuna, që militonte në Segunda Division. Vetëm 5 ndeshje me spanjollët, e më pas prishje kontrate dhe eksperiencë të re në Malajzi dhe Iran. Sulmuesi nuk e gjeti veten në këto vende dhe u detyrua të rikthehet në Mal të Zi.

dejan

Tashmë shanset janë të mëdha që ai të bëhet pjesë e Laçit, por klubi kurbinas nuk ka qëndruar në vend, pasi njëkohësisht po negocion edhe me një tjetër sulmues. Gazeta mëson se ditët e fundit ka dalë në skenë emri i sllovenit Dejan Djermanoviç, që është një tjetër lojtar me CV të pasur. 30-vjeçari ka luajtur në Bullgari me Liteks, duke u shpallur edhe kampion, ndërsa ka eksperienca edhe në Bosnjë, Serbi, Poloni dhe Kazakistan. Më shumë ka shënuar kur ka qenë pjesë e Olimpia Lubjanës në Slloveni. Këto dy ditë do të jenë vendimtare për të mësuar emrin e sulmuesit të ri të Laçit.

laci

Sipas të gjitha gjasave njëri mes Miliç dhe Djermanoviç do të firmosë, por nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë nga tregu vendës, pavarësisht se për momentin ofron pak mundësi. Klubi po punon intensivisht për të afruar edhe një qendërmbrojtës, pasi ka pak alternativa. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mesfushorë krahu, por gjithçka varet nga qëndrimi ose jo i beratasit Myrto Uzuni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"