Nimaga në delir: Me Skënderbeun po realizojmë një ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2015 | 21:08

Nimaga në delir: Me Skënderbeun po realizojmë një ëndërr

nimagaFitorja 0-2 në transfertë, normalisht që i jep besim Skënderbeut për në turin tjetër. Pavarësisht se do të luhet edhe një ndeshje kthimi në Elbasan, bardhekuqtë janë me një këmbë në turin e katërt eliminator të Champions Ligës, ku njëkohësisht sigurohet pjesëmarrja në grupet e Europa Ligës.

Por, për Bakary Nimagën gjithçka është e hapur dhe asgjë nuk ka mbaruar, kështu që duhet pritur edhe përfundimi i ndeshjes së kthimit. Në një konferencë për shtyp, mesfushori malien i Skënderbeut tregon emocionet e mëdha, kur flitet për grupet e Europës, por gjithsesi mban ekipin me këmbë në tokë.

Nimaga, fitorja 0-2 në transfertë kundër Moldavisë, sa e rëndësishme ka qenë për ecurinë e Skënderbeut?

Ishte një fitore e mirë nga ana jonë, por edhe e rëndë- sishme. Sigurisht, është një hap i madh sa herë që fitohet në transfertë, aq më tepër kur shënon dy gola pa pësuar asnjë. Besoj se ndaj Milsamit ka qenë ndeshja jonë perfekte dhe kemi shfrytëzuar të gjithë rastet që na janë krijuar.

Tashmë në ndeshjen e kthimit jeni disi më të qetë për vetë faktin e kësaj fitoreje…

Mund të them se do të luajmë pa shumë presion, por më të qetë nuk mund të themi. Mbetet një ndeshje Champions-i dhe gjithmonë në të tilla takime, po nuk i përqendrove të gjitha forcat, ndodh që të marrësh surpriza aspak të këndshme.

Pse i druheni kaq shumë kundërshtarit në këtë takim kthimi, kur niseni me një avantazh 0-2?

Nuk mund të them që i druhemi, pasi ne nuk i druhemi askujt. Më e drejtë do të ishte: e respektojmë kundërshtarin dhe nuk e nënvlerësojmë. Këto ndeshje janë delikate, pasi një gabim mund të të kushtojë shumë. Nuk duam që ta ndërlikojmë ndeshjen dhe kërkojmë të jemi sa më të përqendruar. Ka pasur raste në futboll kur ekipet janë eliminuar, pavarësisht se kanë qenë fare pranë kualifikimit. Prandaj, mund të them se duhet përqendrim në këtë ndeshje. Edhe 90 minuta janë dhe do t’i luajmë sikur ndeshja të ishte 0-0.

Skënderbeu është fare pranë grupeve të Europës. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Është diçka shumë speciale. Vetëm të mendosh që është një kompeticion i madh europian mbulohesh nga emocionet, jo më pastaj të luash. Duhet të sigurojmë kualifikimin në grupet e Ligës së Europës dhe gjithçka kalon nga kjo ndeshje kundër Milsamit. Për mua ka qenë një ëndërr që të luaj një ditë në Europë, të cilën po ma bën realitet Skënderbeu. Asnjëherë nuk e kisha menduar se do të më jepej kaq shpejt mundësia të luaja në një kompeticion kaq të madh.

Si e prisni pjesëmarrjen në grupet e Kupave të Europës?

Është diçka shumë e veçantë. Jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët e Skënderbeut. Kam besimin se do të kemi një tjetër status tani që do të luajmë në këtë kompeticion. Besoj se është mundësi e madhe për të gjithë, por edhe për klubin tonë. Prandaj e duam kaq shumë këtë objektiv.

Jeni me një këmbë në Europa Ligë, por edhe mundësia Champions Ligë është e hapur…

Ju lutem mjaft, është diçka shumë e madhe! Duam që të jemi sa më të qetë dhe të mbarojmë njëherë këtë takim, më pas të shohim se çfarë do të na vendosë përballë shorti. Të kalojmë njëherë Milsamin dhe më pas të shohim, por një gjë është e sigurt: këdo ekip që do të kemi përballë në turin tjetër, nuk do të hapim kurrsesi krahun, por do të luajmë shanset tona.

Milsamin e njihni më shumë tani, do t’ju ndihmojë ky fakt për të siguruar më lehtë kualifikimin?

Milsami ishte një ekip i fortë, ashtu sikundër e tregoi edhe në ndeshjen e parë dhe duhet të bëjmë kujdes. Besoj se do të dimë t’u bëjmë sërish ballë, pavarësisht se janë të fortë dhe do të luajnë pa presion, sepse nuk kanë çfarë të humbasin.

A e kalon Skënderbeu këtë tur?

Të gjithë për atë do të luftojmë. Shpresojmë që me ndihmën e Zotit të shkojmë në “play off”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"