Nga Laçi te Tirana, cilat mund të jenë surprizat e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 19:44

Nga Laçi te Tirana, cilat mund të jenë surprizat e kampionatit

Ky kampionat duket sikur do të ndahet në dy grupe skuadrash, me pesë që synojnë titullin dhe Kupat e Europës dhe pjesën tjetër që do të luftojë deri në fund për mbijetesën. Por, kush mund të jetë surpriza e madhe në garën për titull krahas Partizanit, Skënderbeut dhe Kukësit? Pas tetë javësh kampionat, Laçi ka konfirmuar se është skuadra për t’u mundur, pasi jo më kot nuk ka ende një humbje.

skenderbeu partizani

“Këtë sezon do të jemi për titull”, deklaroi një muaj më parë presidenti i Laçit, Pashk Laska, për “Panorama Sport”. Të shumtë janë ata që nuk e kanë marrë seriozisht, por në fushë kurbinasit kanë treguar se do të jenë sërish një kockë e fortë. Kontingjenti që kanë aktualisht, duke e krahasuar me skuadrat e tjera që duan titullin, nuk të lë të shpresosh se ky Laç mund të jetë deri në fund një kundërshtar i denjë edhe për vendin e parë.

Megjithatë, është fakt që e kanë marrë shumë seriozisht dhe javë pas jave po tregojnë stabilitet në lojë dhe rezultate. Një tjetër skuadër që mund të bëhet e rrezikshme gjatë garës është Flamurtari, që ka një përbërje për t’u admiruar, e për më tepër një trajner kampion si Ilir Daja.

tirana laci

Gjithnjë vlonjatët kanë vuajtur menaxhimin e situatave në momentet më delikate të sezonit, por tashmë kanë më shumë eksperiencë dhe për më tepër lojtarë që dinë të mbajnë presionin. Skuadra e tretë në radhë, por jo për nga rëndësia është Tirana, e cila e ka nisur këtë kampionat me shumë oscilacione. 24 herë kampionët kanë stofin e duhur si klub për të pretenduar gjithnjë gjëra të mëdha, por me këtë skuadër që kanë aktualisht, nuk kanë treguar asgjë për të besuar se bardheblutë do të jenë të paktën në garën për Europë.

“I shoh te grupi i skuadrave që luftojnë për mbijetesë”, pati thënë për gazetën pak ditë më parë ish-trajneri që e ka shpallur kampion Tiranën, Shkëlqim Muça. Një befasi e madhe e këtij kampionati mund të jetë edhe Teuta, por oshilacionet në rezultate dhe për më tepër që ka një përbërje relativisht të re, nuk të bindin për një ecuri mbresëlënëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"