Nga Gjici te Pejiç dhe Longo/ Kukësi, 10 arsye për të fituar titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 17:35

Nga Gjici te Pejiç dhe Longo/ Kukësi, 10 arsye për të fituar titullin

Këtë sezon Kukësi mbush plot një dekadë që është pjesë e Superiores, i cili, edhe pse ka vetëm 10 vite në elitën e futbollit shqiptar, ka ditur të bëjë historinë. Përveç atyre që hodhën paratë për ndërtimin e këtij klubi, shumë pak mendonin se ky klub do të bëhej shumë shpejt një nga ekipet që çdo vit do të hynte në fushë me synimin maksimal të fitonte titullin dhe atë minimal të merrte pjesë në Europë.

Pejic dhe trajneri

Dhe, për më tepër, për 10 sezonet radhazi të ishte gjithnjë në nivele të larta. Mirëpo, në Kukës, me rastin e 10-vjetorit të ekipit në elitë, duan ta festojnë me një titull kampion dhe “Panorama Sport” ju jep 10 arsyet pse në Kukës kanë të drejtë të shpresojnë. Nga rikthimi në shtëpi, te trajneri dhe drejtori sportiv. Nga rivalët që do të ketë përballë, deri te mungesa e euforisë apo edhe historia, të cilat duken në favor të Kukësit.

“10-VJETORI”- Për Kukësin, sezoni 2021-2022 mund të konsiderohet si jubilar dhe në Shqipëri të tillë përvjetorë kanë dëshirë t’i festojnë me një titull kampion. Ky fakt është edhe një stimul më shumë që verilindorët të tentojnë gjithçka për këtë sezon.

RIKTHIMI NË SHTËPI-Prej tri sezonesh skuadra ka luajtur jashtë shtëpisë së vet, duke qenë një minus i madh për paraqitjet e skuadrës në fushë. Ky sezon i gjen në shtëpinë e tyre dhe konsiderohet një armë plus për verilindorët.

RINGRITJA PAS DËSHTIMIT- Sezoni i kaluar ishte më i dobëti në historinë “10- vjeçare” të klubit, pasi për herë të parë nuk mori pjesë në Europë, duke u renditur i gjashti. Ringritja pas një dështimi është një motiv më shumë për verilindorët.

LONGO-Trajneri është ai që ka detyrën të kompozojë si duhet skuadrën për të arritur synimet. Në Kukës kanë afruar ndihmësin e Mirçea Luçeskut, Diego Longo. Një italian që ka fituar shumë si ndihmës, por tani kërkon ta bëjë diçka të tillë edhe si trajner, në aventurën e tij të parë në këtë rol të rëndësishëm.

PEJIÇ-Një skuadër kampione ka nevojë edhe për një staf kampion dhe në Kukës e dinë mirë këtë gjë. Për këtë arsye, afruan Pero Pejiçin, i cili, përpos detyrës që ka si drejtor sportiv, ka futur në grup frymën e fituesit.

URIA PËR TITULL- Kukësi ka investuar 10 vite për të fituar kampionatin dhe ia ka dalë në vitin e pestë në Superiore. Uria për të fituar sërish është e madhe dhe ky shihet si një faktor plus që ekipi të shkojë drejt realizimit të objektivave.

HISTORIA- Historia, edhe pse e shkurtër, është në favor të Kukësit. Verilindorët e fituan titullin kampion pas tri viteve si nënkampion dhe pas një vendi të tretë. Para këtij sezoni që po troket, kuksianët ishin tri sezone nënkampionë dhe një vend i gjashtë. “Tradita” e do që tani të vijë titulli sërish në Kukës.

EUFORIA Ajo që vihet re deri më tani, si nga stafi ashtu edhe vetë lojtarët, është mungesa e euforisë. Ndryshe nga sezonet e shkuara kur trumbetohej me të madhe titulli kampion, tani në Kukës po qëndrojnë me “këmbë në tokë”, duke mos e përmendur me të madhe titullin.

RIVALËT-Thuhet shpesh se para disa vitesh Kukësi kishte një skuadër të frikshme, por përballë kishte një Skënderbe fenomenal, ndaj edhe kishte vështirësi për titullin. Tani, edhe pse ka shumë skuadra të mira, mungon një rival i nivelit të korçarëve, që nuk u linte asnjë mundësi kundërshtarëve.

GJICI- Presidenti i nderit, Safet Gjici, është ai që financon skuadrën dhe ia doli ta fitonte një titull kampion si president me “kohë të plotë”. Tani, i ulur në karrigen e kryebashkiakut të Kukësit, e kërkon një titull kampion edhe si qytetari i parë i Kukësit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"