Nga Deportivo La Korunja te Girona/ Reali dhe “klubi” i rivalëve të çuditshëm në Liga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 23:24

Nga Deportivo La Korunja te Girona/ Reali dhe “klubi” i rivalëve të çuditshëm në Liga

Edhe pse rritja e Gironës në vitet e fundit ka qenë eksponenciale, nuk pushon së befasuari fakti që skuadra katalanase është rivali numër një i Realit të Madridit në La Liga. Kur dy skuadrat pritet të përballen mes tyre të shtunën në mbrëmje në “Bernabeu”, diferenca mes tyre është vetëm dy pikë, me Realin që parakaloi javën e kaluar ekipin e drejtuar nga Miçel.

17024729495546

Me 23 javë të luajtura në La Liga, tashmë askush nuk habitet që Girona është vendosur në grupin e pretendentëve të mëdhenj për titull. Një listë që përfshin edhe vetë Barçën, diçka më pak Atletikon e Madridit dhe mbi të gjitha Realin e Madridit.

Edhe pse shumica e 35 titujve të fituar nga Reali në Spanjë kanë ardhur duke mposhtur rivalitetin e kundërshtarëve të tyre të mëdhenj historikë, veçanërisht Barcelonës dhe Atletikos, nuk është hera e parë që “los blancos” e shohin veten të luftojnë për titullin me një ekip që nuk i përket linjës së gjigantëve. Situata të ngjashme si sezoni aktual kanë ndodhur edhe më parë për Realin, me përfundime përgjithësisht të gëzueshme për interesat e gjigantëve të Madridit.

SEVILJA (1956-57) – Madridi fitoi dy ligat e para (1932 dhe 1933) pasi mundi Bilbaon kampion në dy vitet e mëparshme. Pas këtyre dy ligave, “los blancos” kaluan një periudhë prej 21 vitesh pa fituar një titull në Spanjë, derisa në vitin 1954 kaluan Barcelonën. Por në sezonin 1956-1957 rivalët e tyre nuk ishin katalanasit, por Sevilja (kampion tetë vjet më parë). Në tërësi, Reali sundoi nga java e 11-të deri në javën e 30- të duke mundur në fund rivalitetin e andaluzëve me 5 pikë diferencë (44 me 39).

LAS PALMAS (1968-69) – Pak më shumë se një dekadë më vonë, Madridi mundi një tjetër “outsider” të papritur në luftën për titull. Las Palmasi ishte nënkampion përpara Barcelonës dhe në fund të një gare të ethshme Madridi e mbylli në vendin e parë duke lënë pas klubin nga ishujt Kanarie me nëntë pikë (47 me 38).

SARAGOZA (1974-75)- Një situatë e ngjashme ndodhi në La Liga 1974-75, kur Real Saragoza ishte rivali kryesor i Realit në luftën për titullin në Spanjë. në fund ishte sërish Reali që triumfoi me një diferencë të theksuar pikësh (50-38).

SPORTING GIHON (1978-79) – Nga “La Romareda” në “El Molinón”. Në fund të asaj dekade të viteve ‘70, një tjetër skuadër historike, Sporting Gihon, po kalonte gjithashtu momentin më të mirë të historisë së tij, pasi bashkoi mes të tjerëve lojtarë të kalibrit: Kuini, Hoakin, Maseda, Ferrero dhe Çundi.

Në sezonin 1978-1979, asturianët ishin rivali i madh i Madridit, i cili përfundoi duke fituar titullin me një diferencë prej katër pikësh (47 me 43). Gihoni ishte i treti në La Liga sezonin e ardhshëm dhe gjithashtu arriti në dy finale të “Copa del Rey”, njëra prej tyre në sezonin 1981-1982, kundër Madridit, me rezultatin përfundimtar 2-1 për “los blancos”.

DEPORTIVO LA KORUNJA (1994-95 dhe 2000- 01) – Më i ri në kohë është udhëtimi i gjatë në elitën e futbollit spanjoll i asaj skuadre që u njoh gjerësisht si “SuperDépor”, skuadra e ndërtuar nga Agusto Çezar Lendoiro dhe që përmblidhte lojtarë si Bebeto, Mauro Silva, Donato, Fran dhe Djukiç, me regji të Arsenio Iglesias.

Galicianët, të cilët sapo kishin humbur Ligën në sezonin 1993-1994, pasi Djukiç humbi një penallti në minutën e fundit kundër Valencias (titulli shkoi për Barcelonën), ishin vetëm katër pikë prapa Madridit (55-51), i cili i dha goditjen përfundimtare, pasi i mundi në “Bernabeu” në javën e parafundit me një gol nga Ivan Zamorano.

Por qëndrimi i Deportivos në elitë ishte i gjatë. Skuadra shkoi në Evropë dhe tregoi nivele të shkëlqyera, të cilat u ngritën deri në pikën e fitimit të titullit të ligës në sezonin 1999- 2000, me Madridin të pestin. Ishte viti i Ligës së Tetë të Kampionëve të klubit të bardhë, por edhe i ndryshimeve në presidencë, ku Lorenco Sanz i la vendin Florentino Perezit. Ishte momenti kur nisi “epoka galaktike” duke iu kthyer titullit në La Liga në sezonin 2000-2001, 7 pikë përpara Deportivos.

VIJARREAL (2007-08) – “Nëndetësja” arriti në elitën e futbollit spanjoll duke ndjekur një udhërrëfyes të ngjashëm me atë të Deportivos disa vite përpara saj. Banorët e qytezës së vogël pranë kastejonit, jetuan momentin e tyre më të mirë historik në dekadën e parë të shekullit të 21-të, madje arritën deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve (2005-2006).

Për më tepër, asokohe djemtë e Pelegrinit, me lojtarë si Rikelme, Forlán, Pirez dhe Rosi, ishin nënkampionët e La Ligës në sezonin 2007- 2008, megjithëse Madridi i Bernd Shuster siguroi titullin herët dhe mjaftueshëm (java 35-të) pasi fitoi në Pamplona kundër Osasunës me golat e shënuar nga Roben dhe Higuain.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"