Nga dashuria në bankat e shkollës në altar me Vojsavën, rrëfehet Vangjel Mile

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2012 | 8:28

Nga dashuria në bankat e shkollës në altar me Vojsavën, rrëfehet Vangjel Mile

Dhe ata jetuan të lumtur! Po, po! Jemi mësuar ta dëgjojmë këtë shprehje vetëm në përralla me princër e princesha, por kjo i shkon për shtat më së miri sulmuesit të Tomorit, Vangjel Mile. Pas plot 10 vitesh dashuri me Vojsavën, beniamini i beratasve ka djegur shaminë e beqarit të dielën e kaluar, duke marrë tashmë një tjetër status. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Mile vjen këtë herë nën petkun e dhëndërisë dhe flet për dashurinë e jetës, Vojsavën, si e ka njohur dhe rrugën që kanë përshkruar së bashku deri të dielën, kur dhe vendosën të lidhnin kurorë. Ai gjithashtu nuk lë pa përmendur edhe synimet për sezonin e ri, ku prioritet mbetet skuadra e zemrës, Tomori.
Si e keni njohur bashkëshorten tuaj, Vojsavën?
(Mendohet) Ka shumë vite. Historia jonë e dashurisë nis herët, qysh në vit të tretë gjimnaz. Vojsavën e kisha në klasë paralele. Është dashur një vit që ne të lidheshim. Pra, pas një viti shkuarje mbrapa, jemi lidhur në vit të katërt.
Ka qenë dashuri me shikim të parë apo…
Ka qenë dashuri me shikim të parë. Ndonëse m’u desh që Vojsavës t’i fusja mik shokun e saj të bankës, njëkohësisht edhe timin, duke qenë se unë isha klasë tjetër. Më duhet të them se gjërat edhe më pas kanë qenë të vështira, për shkak të opinionit, duke qenë se Berati ishte vend i vogël dhe gjithçka merrej vesh.
Por çfarë kishte Vojsava që ju bëri për vete?
Kishte mama të bukur (qesh). Bëj shaka, ajo është një zonjë e nderuar, për të cilën kam shumë respekt. Ajo çka më bëri për vete ishin sytë e Vojsavës.
E sa vite keni ndenjur bashkë?
Plot 10 vjet, përfshi këtu edhe 3 vitet e fejesës.
A patët probleme me familjet tuaja?
Duke qenë dy familje të mira në Berat nuk patëm aspak kundërshti, si nga ana e prindërve të mi, edhe të Vojsavës. Përkundrazi u gëzuan tej mase kur mësuan për lidhjen tonë.
Ka qenë tifoze e dashura juaj?
Jo, aspak, por më pas gjërat filluan të ndryshonin dhe ajo më ndiqte në ndeshjet që unë kisha, të paktën ato në Tiranë, kushtëzuar kjo nga studimet e saj dhe puna.
Domethënë, ajo është një tifoze e juaja?
Po. Madje Vojsava bashkë me të afërmit e mi kanë qenë të pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” në ndeshjen për mbijetesë që zhvilluam ndaj Besëlidhjes, në të cilën në fund triumfuam. Ka qenë një gëzim i paparë për mua, sepse pas një sezoni të vështirë e mbyllëm në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar.
Po tani nuk e keni problem nëse flisni për futbollin, nuk bezdiset Vojsave?
Jo, aspak. Madje kritikat e para pas përfundimit të një ndeshjeje i marr nga ajo. Futbolli tashmë është bërë pjesë e pandarë e jona.
Ju keni shprehur dëshirën që të qëndroni në Berat edhe për një sezon. Mos vallë kushtëzuar kjo nga bashkëshortja juaj?
Vojsava që pas përfundimit të studimeve si inxhiniere mjedisi punon në Tiranë. Pra, nuk është aspak kjo arsyeja pse dua të qëndroj në Berat. Kam vendosur të luaj edhe për një sezon, pasi dua të vazhdoj të jap kontributin tim te skuadra e vendlindjes. Sigurisht, shpresoj që të ndërtohet një skuadër kompetitive, me qëllim që të jemi dinjitozë sezonin e ri.
Le të kthehemi te dasma juaj. Të dielën i dhatë fund beqarisë, cila ishte surpriza më e bukur që ju është bërë?
Gjithçka ka shkuar perfekt.
Surpriza më e bukur?
E si mund të mungonin lojërat me top… Dhe, si për çudi, unë edhe me këpucët e dhëndërisë e gjuaja mjaft mirë topin. Dhe kësaj surprize iu shtua edhe kënga “Ai Se Tu Pego”, e përgatitur nga nusja e shokut tim futbollist, Muçollarit, të cilën e kërcyem të gjithë pa dyshim. Ka qenë një ditë me të vërtetë e veçantë, ndaj do të mbetet e paharrueshme në kujtesën time. Miqtë, të afërmit, shoqëria krijuan një atmosferë mjaft të bukur.
Po muajin e mjaltit ku do ta kaloni?
Në Qipro ose Turqi. Akoma nuk e kemi vendosur në fakt, por e rëndësishme është që do të ketë muaj mjalti tani shpejt. Kjo, sepse më vonë fillon grumbullimi i skuadrës për përgatitjet e sezonit të ri futbollistik.
SUADA CENUKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"