Nga arsyet e mungesës së Balliut dhe Xhakës te gjyqi në KAS i Bajramit, Edi Reja i zbulon të gjitha: Ja kur do ta kemi përgjigjen përfundimtare për Nedimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2021 | 13:50

Nga arsyet e mungesës së Balliut dhe Xhakës te gjyqi në KAS i Bajramit, Edi Reja i zbulon të gjitha: Ja kur do ta kemi përgjigjen përfundimtare për Nedimin

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja shpalli ditën e djeshme listën e futbollistëve do të grumbullohen për tre ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.

REJA

Lista është e përbërë nga 27 lojtarë, ndërkohë që mes risive janë debutuesi Ernest Muçi, i cili vjen nga Kombëtarja U-21, teksa ndryshe nga miqësoret e qershorit rikthehen në listë të rinjtë Ramen Çepele, Mario Mitaj, Enis Çokaj dhe Armando Broja. Në prononcimin në lidhje me zgjedhjet e bëra. Nga arsyet e mungesës së Balliut dhe Xhakës te gjyqi në KAS i Bajramit dhe situata aktuale në prag të 3 sfidave të muajit shtator, ja çfarë deklaron tekniku italian:

LISTA DHE DËMTIMET- Kemi një listë prej 30 lojtarë, por kemi probleme me disa të dëmtuar siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani, të cilët duan disa javë të rikuperohet dhe të jenë në formë optimale.

GJENDJA E IVAN BALLIUT- Pastaj, risia ishte Ivan Balliu, i cili luan në La Liga me Rajo Vajekanon, po paraqitet shumë mirë në fillim sezoni. Mendova ta rikthej në listë, por dje folëm në telefon, nuk është mirë fizikisht, pasi ka probleme me pubalgjinë dhe ka inflamacion të adbuktorëve, e për këtë arsye nuk është ende në kushtet e duhura. Gjithsesi, e kemi lënë që të flasim sërish nesër dhe pasnesër, për të parë nëse kemi mundësi ta grumbullojmë.

FUTBOLLISTËT E RINJ NË MOSHË- Për herë të parë në Kombëtare vjen Muçi, i cili ishte pjesë e Kombëtares U-21 dhe e kishim nën vëzhgim, është një djalosht i vitlindjes 2001. Gjithashtu kemi marrë edhe Çepelen, të cilin e njohim tashmë. Po integrojmë këto të rinj së bashku me Brojën, Çokajn, të cilët janë lojtarë që duhen vëzhguar për prespektivën. Për të tjerët kemi grupin e zakonshëm, që unë e kam formuar tashmë.

FORMA DHE AKTIVIZIMET PËRKATËSE TË LOJTARËVE- Po bën paraqitje shumë të mira edhe Çekiçi, i cili është transferuar në klubin e Cikalleshit në Turqi dhe luajnë rregullisht për 90 minuta. Ka lojtarë që po luajnë rregullisht. Më vjen keq për Berishën dhe Strakoshën që janë në stol me klubet, por janë lojtarë që meritojnë besim. Ata stërviten rregullisht, por nuk kanë reflekset e ndeshjes, pasi nuk kanë pasur mundësi të luajnë.

Për pjesën tjetër, Ismajli, Gjimshiti luajnë rregullisht, Kumbulla ndihet mirë edhe pse nuk ka luajtur me Romën së fundmi. Hysaj po luan, Doka po ashtu, Trashi, Mitaj, Çekiçi po luajnë. E njëjta dhe për Baren, Laçin dhe Cikalleshin.

Manaj është pjesë e grupit të Barcelonës, qëndron në pankinë, ka luajtur pjesën e parë të miqësoreve. Ka luajtur dhe është paraqitur mirë. Më ka informuar se është në gjendje shumë të mirë edhe pse nuk luan. Do ta shikojmë dhe do ta verifikojmë në Varshavë, duke parë që do të kemi 3 ditë përpara.

MUNGESA E TAULANT XHAKËS- Xhaka ishte pothuajse 6 muaj i dëmtuar, ndërkohë që tani është rikuperuar.  Kam parë që po luante, një pjesë, 75 minuta, por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka akoma probleme në gju, nuk ndihet akoma në gjendje duke parë që ka pak kohë që ka filluar të luajë. Jemi dakordësuar që të flasim nesër për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo. Ky është një vlerësim që sinqerisht do ta bëjmë nesër. Ai është thërritur këtë herë, ashtu si edhe herët e tjera, por nuk ka qenë në gjendje në ndeshjet e mëparshme, për shkak të dëmtimit në gju.

GJYQI NË KAS PËR BAJRAMIN- Për Bajramin, ashtu siç e dini është zhvilluar një seancë gjyqësore mbi mundësinë për të ardhur e për të luajtur me Shqipërinë, unë kam folur me lojtarin dhe babain e tij. Ata duan të luajë për Shqipërinë absolutisht, vetëm se ka qenë ky ngërç. Përgjigjen do ta kemi të hënën ose të martën maksimumi. Datat e FIFA-s janë këto kështu që do të presim.

Unë uroj që të arrijë të vijë me ne duke parë që është një lojtar që mund të na japë diҫka më shumë nga mesfusha e përpara sepse është një lojtar që ka cilësi, driblon kundërshtar dhe synon portën. Ka pasime cilësorë, filtruese, do ishte një vlerë e shtuar për këtë skuadër.

PËRBALLJET- Të luash njëherë në tre ditë nuk është asnjëherë diҫka e lehtë. Por e njëjta gjë është edhe për kundërshtarët tanë kështu që jemi në barazim le të themi. Unë jam i bindur që ky grup mund të bëj mirë. Jemi rritur, kemi pasur dy eksperienca të rëndësishme në miqësoret që kemi luajtur në Uells dhe Ҫeki. Dy skuadra Kombëtare që kanë luajtur në Europian dhe kanë treguar cilësitë e tyre. Ne kemi qEnë kompetitiv me ta. Bëmë paraqitje pozitive.

Kam përshtypjen se jemi duke u rritur. Ky grup është i bindur për cilësitë që ka. Unë edhe në këto dy ndeshje të para pres akoma aspekte pozitive. Siҫ e thashë edhe më lart, ne kemi treguar progres, dhe duke luajtur me këto dy skuadra të forta kemi nevojë të përmirësohemi akoma. Jemi përmirësuar nga mesfusha e përpara në lidhje me lëvizshmërinë dhe djemtë kanë brenda tyre një bindje se janë të fortë. E dinë shumë mirë vlerën e tyre. Dimë gjithashtu shumë mirë edhe difektet tona. Do të punojmë të korigjojmë diҫka në mënyrë që të jemi më kompetitiv.

OPTIMIZMI PËR TË MARRË MAKSIMUMIN– Unë jam i bindur që do të bëjmë paraqitje shumë të mira. E kemi të qartë se do të luajmë ndaj dy skuadrave të rëndësishme, Hungaria dhe mbi të gjitha Polonia, që kanë treguar se janë ‘përpara’ në aspektin e cilësisë, por as ne nuk jemi më pak. Unë jam shumë i bindur që kjo është një skuadër që mund të na dhurojë kënaqësi të mëdha. E kemi të qartë se për të arritur këtë, të gjithë lojtarët duhet të jenë në gjendje maksimale.

E theksova edhe më lart, do të shikoj dhe do të verifikoj këto tre ditë, edhe se janë pak, duhet të bëj zgjedhjet e duhura, për të hedhur në fushën e lojës lojtarët që janë në gjëndjen më të mirë. Më mungojnë lojtarët e dëmtuar që janë lojtarë të rëndësishëm për ne, sepse do të kisha mundësinë për të bërë ndonjë zgjedhje, por jam i bindur që këto 27 lojtarë që kam grumbulluar janë zgjedhja më e mirë përballë asaj që ofron Shqipëria. Ndërkohë rritja ka qenë, dhe pres akoma një rritje të mëtejshme në këto kualifikuese për Kampionatin Botëror”, përfundoi Reja.

Grupi I

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Konferenca e Rejës me “kasetë”, kur FSHF shmang gazetarët dhe kopjon… politikën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"