Ndeshjet e pashlyeshme që çuan te “Drama e Trier-it”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2013 | 13:00

Ndeshjet e pashlyeshme që çuan te “Drama e Trier-it”…

DizdariNga BESNIK DIZDARI
Ajo çka ka arritur Shpresa e Shqipërisë më 19 nëntor 1983, është e pakraha sueshme. Sepse ajo është e vetmja prej të gjitha llojeve e kategorive të skuadrave, klubeve, përfaqësueseve shqiptare të derisotme, qysh nga NEN 17 deri te NEN 21 dhe atyre “A”, që ia ka arritur të jetë midis 8 më të mirave të kontinentit të Europës. Para saj, këte nuk e kishte arritur askush tjetër. Mbas saj, gjithë këto 30 vjet, prapë atë, që të hyjë pra në 8 skuadrat më të mira të Europës, nga Shqipëria nuk e ka arritur askush tjetër. Shpresa e Shqipërisë, e cila në atë 19 nëntor 1983 barazoi 1-1 në Trier, duke eliminuar Gjermaninë Perëndimore ose RFGJ-në, siç ishte asokohe, të drejtuar nga Berti Vogts, njeriu i cili më mbas do të bëhej trajner i Gjermanisë së parë, sot e kësaj dite është e vetme (unike). Dhe për fat, siç ngjet rëndom me kombin dhe administratën shtetërore shqiptare, gati e harruar. Regjimi komunist brenda 48 orëve i shpalli të gjithë protagonistët e Trierit “Mjeshtër Sporti”, titull i lartë sportiv i sistemit, diçka thjesht nderi. Dhe vetëm kaq. Tash 30 vjet asgjë, me përjashtim të nëpërmendjes sonë. I ulur në tribunën që sot i thonë VIP (e mua më pëlqen t’i them e pàrisë) të stadiumit “Moselstadion” të Trierit, kam përjetuar kualifikimin e bujshëm, që bëri sensacion në gjithë Europën. Kanë kaluar 30 vjet, dhe sot nuk ka njeri që mund të marrë me mend se si një skuadër shqiptare mund të mbërrijë në 8 më të mirat e Europës! Kjo e bën ngjarjen e madhe të Trierit edhe më të përkujtueshme. Ka kohë që nuk i kam takuar dy miqtë e mi, trajnerët e pashlyeshëm Ramazan Rragami në Shkodër dhe Petraq Ikonomi në Durrës. Janë burra simpatikë, plot dashamirësi e gjallëri dhe mund të jepnin e mund të japin tejet. Modestë, të afërt e të shoqërueshëm, figura të mëdha të futbollit kombëtar, veprën e tyre pakkush ua kujton. Se Shqipëria dihet, vetëm harron… Dhe jo vetëm në futboll, por kudo në shumanshmërinë e jetës së saj…
21 SHTATOR 1982: AUSTRIA – SHQIPERIA 1-2!
Fillimi i bujshëm daton më 21 shtator 1982 kur në Muezereshlag të Austrisë, pa pritur e pa kujtuar, 21-vjeçarët e Shqipërisë shkojnë dhe fitojnë 2-1 ndaj bashkëmoshatarëve të tyre të Austrisë. Çudia më e madhe ishte se te kjo fitore, sensacionale për kohën, Shqipëria e 21- vjeçarëve vinte pa ekzistuar në asnjë ndeshje për bukur 15 muaj! Për herë të fundit ajo kishte dalë në fushën e lojës më 27 qershor 1981 në Vollos të Greqisë, kur duke fituar 2-1 ndaj Bullgarisë ishte shpallë Kampione e Ballkanit për herë të dytë. Një kampione me vetëm dy ndeshje të zhvilluara, sepse prej gjashtë shteteve asokohe të Ballkanit, njëri mungonte: Turqia. Të ndara në dy grupe, Shqipëria arrin në fundore (finale) duke luajtur dhe fituar vetëm një ndeshje: 4-1 Rumanisë. Nuk kishte pasur Kampionat Ballkanik më të shpejtë e të thjeshtë sesa ky, ndonëse në Shqipëri suksesi u prit me kënaqësi të madhe. Ishte viti i Kongresit të 8-të të PPSH-së! Shqipëria përsëriste titullin ballkanik të para tri viteve, kur më 16 dhjetor 1978 kishte fituar 7-1 me Rumaninë në Tiranë dhe ku Loro Boriçi i madh – kapiteni i Shqipërisë Kampione e Ballkanit 1946 – i kishte dorëzuar Kupën e Kampiones së Ballkanit kapitenit të Shpresës së Shqipërisë, Shyqyri Ballgjini.
Mandej, krejt papritmas do të mbërrinte Europiani. Ndryshe Kampionati Europian i Shpresave, tash nga 23 të zbritura në 21 vjeç, në të cilin Shqipëria nuk merrte pjesë qysh nga viti 1973 kur e kishte mbyllur me humbjen 6-0 prej Republikës Demokratike Gjermane. Kështu shkohet te 21 shtatori 1982 dhe, në Muezureshlang- un austriak, Shqipëria fiton 2-1 me Austrinë! Kur të nesërmen, më 22 shtator, në Vjenë, Kombëtarja e parë shkatërrohej 5-0 prej Austrisë së parë. Ngjarjet rridhnin kështu mbrenda 48 orëve, sepse asokohe kampionati i skuadrave të ashtuquajtura Shpresa dhe i kombëtareve të para, zhvilloheshin njëkohësisht në dy ditë radhazi. A kishte ndonjë lidhje kjo Shpresë e mbas 15 muajve me ate që ishte shpallë Kampione e Ballkanit duke mposhtur 2-1 Bullgarinë, me këte 11-sh të përbërë nga Musta, Kuqi, Targaj, Musai, Dedja, Popa, Meta, Canaj, Sh.Muça (Tomori), Luçi, Lika; e në ndeshjen 4-1 me Rumaninë edhe Mançe e Vila? Dilte se ajo kishte, si të thuash, vetëm tri lidhje: e para dhe e dyta sepse Agim Canaj i Dinamos, trajneri i sotëm i mirënjohur, dhe Arben Vila i 17 Nëntorit, ishin të vetmit Kampionë të Ballkanit 1981, të cilët ende ishin pjesëtarë të skuadrës dhe se trajner i tashëm i Shpresës shqiptare ishte trajneri i dytë i Shqipërisë Kampione të Ballkanit: Ramazan Rragami, ndihmësi i të parit që kishte qenë Shyqyri Rreli. Do të hynin të dy në një histori të bujshme, ndonëse të kaheve të ndryshme…
Kështu, historia e madhe, e treguar sot për herë të parë mbas 30 vjetëve, nis pra në atë 21 shtator 1981.
Dhe Austri-Shqipëri 1-2 (Canaj 8′, Vila 37′, Herstic 44′) – e para fitore perëndimore e kësaj skuadre në histori. Ndonëse duket sikur nuk është ajo rendi i ditës. Në Austri për të dyja ndeshjet, pra edhe ate të Kombëtares, nuk kishte pasur asnjë gazetar të dërguar. Dhe ne duhet të vuanim për të përcaktuar në kohën e duhur deri 11-shin e saktë të kësaj fitoreje: Mersini, Zmijani, Hodja, Bimo, Ocelli, Canaj, Demollari, Jera, Josa (Noga), Vila, Topçiu. Shkrimi deri diku është dhe një intervistë me trajnerin Rragami, i cili shpjegon diçka, me modesti dhe ndoshta edhe i befasuar edhe ai prej fitores ndaj lojtarëve kundërshtarë, të cilët ishin të Austria e Rapid të Vjenës, të Shturm të Gracit dhe të Admira Waker. Merrej me mend që të gjithë ne, fitoren e gjykonim si një befasi, teksa shqetësimi kryesor ishte te humbja 0-5 e Kombëtares së parë, së cilës i kushtohej thuajse gjithë faqja e katërt e gazetës (ajo dilte me vetëm 4 faqe).
“SPORTI POPULLOR” – FATLUM!
I kthehem sot asaj dite, më saktë pasqyrimit të asaj fitoreje dhe çuditem jo pak, teksa e rivështroj nga ana profesionale e gazetarit. Çuditem vërtet se si një ngjarje sportive, për Shqipërinë e vogël asisoj e bujshme, mund të niste aq thjeshtë e aq pa zhurmë e vetëkënaqësi. Kisha shtatë muaj që isha emëruar kryeredaktor i gazetës “Sporti popullor”, fund i shkurtit 1982. Një emërim që vinte mbas plot 14 vjetëve gazetar në të përditshmen e dytë të Shqipërisë “Bashkimi” i të famshmit Front Demokratik. Një emërim befasues që vinte për shkak të suksesit të gazetës “Bashkimi” në pasqyrimin e sportit, madje duke e bërë këtë gazetë të vetmen që botohej ditën e hënë, ku rubrika sportive e dalë një ditë para “Sportit popullor” mori dhênë! E vërteta ishte se ndjehesha mjaft mirë në “Bashkimi” falë shokëve kolegë të mirë, me të cilët qeshë mësuar, por sidomos falë largpamësisë dhe respektit të kryeredaktorit Hamit Boriçi. E kishte marrë urdhrin që të më dorëzonte te “Sporti popullor”, por unë po e zgjasja, duke vazhduar në zyrën time të katit të tretë të asaj ndërtese të mrekullueshme të Paraluftës, në mos gaboj të familjes Çoka, mû aty karshi “Zërit të popullit”. Sot ajo qëndron ende fort mirë krenare si dëshmi e Shqipërisë “kapitaliste” të dikurshme, tash në zotërim të familjeve të pronarëve të parë, që çka nuk kanë hequr! Ballkonet elegante, në shpinë të tyre grilat e kohës së Italisë, dyert e larta prej druri të pastër, parketi dhe ngrohja qendrore, korridoret e ngushtë, po aq aristokratikë e intimë, teksa degëzoheshin në kthesat e ëmbla midis dhomave që kishin qenë pritjeje apo ndenje, aq të rehatshme, po që tash ishin zyra të gazetës së komunizmit prej ku dilnin idetë e diktaturës, për mua ishin aq të dashura, megjithatë.
Nuk më bëhej të largohesha dhe së bashku me Hamitin po vonoheshim. Derisa një ditë atij i ra telefoni nga BFSSH-ja e Ministrisë së Kulturës e Arsimit – “pronë” e të cilëve qe gazeta – me një “qortim” miqësor për këtë vonesë. Duhej të shkoja, natyrisht. Ishte një ditë e shtunë shkurt 1982…
Mandej jam thirrur në Drejtorinë e Shtypit të KQ të PPSH dhe shefi i sektorit të shtypit, Miti Tona, gjakftohtë, tejet i sjellshëm, i qeshur e diplomat i përsosur për të përçuar mendimin e synimet e udhëheqjes te shtypi i Partisë, më ftoi të uleshim në tryezën e vogël pranë asaj të madhe të mbledhjeve, ku kryeredaktorët kur thirreshin radhiteshin si ushtarë me blloqet e shënimeve ndër duar. Duke më uruar, ma thotë qartë se suksesi i “Bashkimit” po më çonte te detyra e kryeredaktorit. Dhe duke vazhduar me: “…Sepse rinia jonë e do fort gazetën sportive dhe duhet t’ia përmirësojmë krejtësisht. Ti nuk je anëtar i partisë, – më thotë shefi në fjalë, – por partia ka besim tek ti. Redaksia duhet të ndërrohet e të vijnë njerëz të talentuar, ti duhet të bësh propozimet, ne i transferojmë ata diku tjetër”.
(Ndërsa unë nuk bëra asnjë propozim dhe nuk largova asnjë) Deri atë ditë të këtij takimi unë kisha nxjerrë vetëm dy numra të gazetës, të cilat Miti Tona i vuri përpara duke më përgëzuar për ndryshimet e shpejta që kisha bërë dhe duke më thënë që të vazhdoja në këtë rrugë. Tashmë unë fiksova detyrën “për ndryshimin e thellë” të kësaj gazete…
Si kryeredaktor do të isha me fat. Rrallë kishte ndodhë asokohe që dikush të merrte drejtimin e një gazete dhe ngjarjet që do të ndodhnin ta ndihmonin kaq fort për të rritur popullaritetin e gazetës. Më duhet të pranoj se viti 1982, sidomos ai 1983, në mënyrë të veçantë me bujën e Shpresës, qenë vendimtare për rritjen e autoritetit të gazetës “Sporti popullor”. Megjithatë, mbas shtatë muajve të parë, duke iu kthyer fitores së Shpresës, e cila ishte absolutisht fitorja e dytë në krejt historinë e pjesëmarrjes europiane (mbas asaj kundër RDGJ-së 1-0 më 3 nëntor 1973), nuk më duket se kam guxuar edhe aq shumë. Shkrimi është vendosur në fund të faqes së parë dhe mbi te një rubrikë për pragun e Kongresit të 8-të Rinisë (BRPSH) me një foto të studentëve të Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, duke punuar në ndërtimin e trasesë së hekurudhës Shkodër – Hani i Hotit! Më lart, pranë kreut të gazetës për fat është një seminar për sportin në fshat, majtas fitorja e të paharrueshmit Agim Tafili në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë dhe ngjitur me shkrimin e ndeshjes me Austrinë, lajmi i shkurtër për vrasjen dhe asgjësimin e “bandës” së Xhevdet Mustafës në Rrogozhinë! Kjo kohë ishte…
26 TETOR 1982: TURQIA – SHQIPERIA 0-1!
Ky pra, ishte fillimi befasues, pa shumë entuziazëm (e sot kjo më duket krejt e papranueshme), por gjithçka, si të thuash, kërkon të nxehet disi, kur një muaj më vonë Shqipëria bën sensacionin e dytë teksa fiton 1-0 në Manisa me Turqinë. Por prapë fuqinë e merr shqetësimi për humbjen e dytë të Kombëtares së parë, tash me Turqinë 0-1 në Izmir, ndonëse faqja e parë po aq vend i jep Shpresës, firma e shkrimit të së cilës është e përgjegjësit të ekipit prof. Skender Begeja. I paharrueshmi Begeja shkruan me qetësi e maturi, duke u përqendruar te të metat, por ai na ka lënë dy përcaktime të dy gazetave më të mëdha të Turqisë, të cilat sikur na zbërthejnë më qartë meritën e fitores:
Gazeta “MILIET”: “Shpresa Shqiptare ndryshe nga Shpresa Turke zotëronte teknikë, luante me mendim, zhvillonte futboll të thjeshtë dhe të rrjedhshëm, kishte pregatitje fizike të mirë. Kjo u pa veçanërisht në pjesën e dytë”.
Gazeta “HYRRIJET”: “Shqiptarët dinin të pasonin mirë, të mbroheshin e të sulmonin me shumë forca. Sidomos ata udhëhiqeshin nga parimi i lojës kolektive”.
Dhe vetëm kaq për një skuadër “të panjohur” shqiptare, e cila fitonte 1-0 (Topçiu 73′) me vetëm 11 lojtarë, pa ndërruar asnjë: Mersini, Zmijani, Hodja, Jera, Ocelli, Canaj, Demollari, Popa, Topçiu, Skuro, Vila. Dhe prapë Shqipëria, e cila nuk bën zhurmë, as bujë, nuk shfaq as eufori dhe ndonëse ka fituar dy ndeshje për Kampionatin Europian, madje të dyja jashtë, për çudi ende askujt nuk i shkonte ndër mend se ajo mund të mbërrinte larg…
Verifikimi i vërtetë do të bëhej mbas pesë muajve kur do të vinte Gjermania e Berti Vogts. Kjo do të ishte ndeshja e madhe që do të çonte peshë Shqipërinë e futbollit. Tash për tash, më e rëndësishme se kjo do të ishin votimet e 14 nëntorit 1982, kur 99.99 për qind e votave shkojnë për kandidatët e Frontit Demokratik dhe “Sporti popullor” “i imi” që mbush faqen e parë me foton gjigande të Enver Hoxhës duke votuar!
Sidoqoftë, e vërteta është se gazeta tashmë ndërron tejet. Eshtë diçka krejt tjetër, ndonëse për Shpresën ende jo shumë “krenari” e gëzimplotë. E pra, mû kjo Shpresë dhe rezultatet e saj në vijim, do t’ia shtonin gjithnjë e më fort popullaritetin dhe rëndësinë edhe gazetës sportive të Shqipërisë Komuniste…
29 MARS 1983: SHQIPERIA – RF GJERMANE 1-1!
Fati kishte përcaktuar si datën e madhe 29 marsin 1983. Shkodër e Shqipërisë. Shqipëria e Gjermania Federale, siç i thuhej shkurt, përballë njëra-tjetrës për Kampionatin e Europës. Shqipëria e vogël përballë Gjermanisë së madhe. Kombëtarja e parë e Gjermanisë kishte qenë në Shqipëri edhe para dy vjetëve, më 1981, mandej po atë vit kishte shkatërruar çdo iluzion shqiptar në mënyrën më të pamëshirshme: 8-0 në Dortmund! Kështu riardhja e saj gjallëron një Shqipëri të tanë. Dhe për fatin e madh një ngjarje ngjitet lart në Veri, në Shkodër, e cila për herë të parë në historinë e saj priste një ndeshje të Kampionatit Europian.
Kanë qenë ditë të jashtëzakonshme sportive. Sot, më 2013, më futi tek ato ditë edhe një botim luksoz i fotografit tonë të shquar Petrit Kumi, i paraqitur për herë të parë në Panairin e Librit të Tiranës 2013. Më ka nderuar me një foto për mua “historike”, kryeredaktor i ri, duke intervistuar Franc Beckenbauer-in në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, një ditë të ndeshjes së kombëtareve të para (30 mars 1983, Shqipëria – RF Gjermane 1-2).
Kështu ndodhte. Natyrisht, tërhiqnin aq fort vëmendjen futbollistët e Kombëtares gjermane 1983 si Schumacher, Briegel, Litbarski, Voller apo Rummenige… (E kush mund ta parashikonte se mbas 20 vjetëve do të ndodhte që njëri prej tyre, Hans Peter Briegel, do të bëhej një nga trajnerët më të famshëm të Kombëtares së Shqipërisë!…). E, ndërkaq, po aq tërhiqte vëmendjen prania befasuese në rolin e gazetarit “të madhërisë së tij” Franc Beckenbauer. Në Shkodër, për të ndjekur ndeshjen e Shpresave, mjedisi nuk mund të përshkruhet. Në stadium të dukej sikur kishte ardhur gjithë qyteti e fshatrat bashkë. Synimi i tifozëve është Beckenbauer, i cili “zhduket” diku aty në tribunën qendrore tejet të thjeshtë si të stadiumeve të kolkozeve sovjetike. Mirëpo, merret me mend: polici e rreptë, rrethime, largime, “vigjilencë”…
Dhe ndeshja është 1-1. Ndeshja e parë e Gjermanisë për Grupin 6 të Europës së 21-vjeçarëve, kur Shqipëria kishte luajtur dy ndeshje dhe i kishte fituar të dyja dhe mbante vendin e parë në grup. Nuk do ta lëshonte më kurrsesi. Ky është rasti i vetëm në historinë e futbollit kombëtaras shqiptar, që një Shqipëri do të kryesonte grupin e saj pa e lëshuar asnjëherë, vendin e parë deri në fund të turneut. Dhe këtë “e zbulojmë” sot, mbas 30 vjetëve. E kemi thënë jo aq me zë të lartë në kohën kur ndodhte dhe Shqipëria do të kryesonte për 20 muaj me radhë!
Çfarë ishte ndeshja e Shkodrës?
Përballë skuadrës shqiptare ishte as më pak e as më shumë, por Gjermania e 21-vjeçarëve – Nënkampione e Europës vetëm pak muaj më parë, mbas dy fundoreve dramatike me Anglinë 1-3 dhe 3-2. Kjo e Shkodrës është ndeshja e shkëlqyeshme e Sulejman Demollarit, autor i një goli të milimetruar që nis nga krahu dhe ndalon te rrjeta e portës gjermane. Shkruan gazetari Namik Mehmeti:
“… Demollari, që nëpërmjet aftësive teknike që disponon, shpërndan “murin” rrethues mbrojtës të gjermanoperëndimorëve, duke bërë të pavlefshëm edhe tentativën e fundit të tyre pranë vijës fatale: 1-0! Demollari del triumfues me një gol sa të vështirë për t’u realizuar, aq edhe të bukur për t’u kujtuar. Pas golit përsëri loja e Shpresës sonë ka rritje, ka vrull e mobilizim që sjell të tjera situata të vështira në portën e Vollborn- it, si kombinimi Josa-Topçiu (39′), gjuajtja e Canajt (30′)…”.
Por vjen barazimi 1-1, rezultat i fiksuar vetëm mbas tri minutave të golit shqiptar, në minutën e 33-të prej golit të Mathy, çast kur euforia e kryesimit mesa duket marramendës të rinjtë e Shqipërisë. Mandej pjesa e dytë, dhe dy herë Demollari para portierit Vollborn, që trondit një Gjermani, por pa ia marrë mendtë asaj. “Barazimi i sotëm e lë Shqipërinë pretendente”, thotë mendueshëm trajneri gjerman Berti Vogts. Ne nuk do ta harronim kurrë atë Shqipëri të Shkodrës ’83, e cila kishte këtë pamje: Mersini, Zmijani, Çanga, Noga, Ocelli, Canaj, Demollari, Jera, Vila, Topçiu (Liti 86′), Josa. Me trajner Ramazan Rragamin.
PRESIDENTI I HEKURT NEUBERGER
Në mbrëmje jemi edhe ne aty, në mjedisin e “Hotel Tirana” të kryeqytetit, një mjedis që sot mund të dukej krejt i zakonshëm, por asokohe, në atë izolim të paparë të Shqipërisë, ishte diçka krejt tjetër, e rrallë, e çuditshme.
I afrohemi Hermann Neubergeri-t, njeriut që për 17 vjet (1975-92) është president i Federatës Gjermane të Futbollit dhe po aq (1975-92) nënpresident i FIFA-s. Gjatë Luftës ai është kapiten i Wehrmacht-it (1939-45) me armë në dorë në Afrikë e Itali, po që askush nuk ia quante njollë biografike. Ky ishte njeriu i hekurt i futbollit gjerman, përveç të tjerave, për disa vite gazetar i mirënjohur i Saarland-it, sot i dekoruar me Kryqin e madh të Meritës së Gjermanisë, ndërkohë që stadiumi piktoresk i klubit “SV Röchling Völklingen” i vendlindjes së tij Völklingen-Fenne në Saara, me bukur 17.000 vende, mban emrin e tij: “Hermann Neuberger Stadion”. Kështu di të nderojë Gjermania!…
Me portretin e tij teutonik, serioz e krenar, por prapëseprapë me buzëqeshje, ai na afrohet me kënaqësi, teksa e kuptonte rolin tonë të gazetarit: “Kisha dëgjuar për skuadrën tuaj ‘Shpresa’, – tha ai atë mbrëmje – nëpërmjet shtypit austriak, mbas fitores suaj atje. – Kështu ngjau edhe në fushë. Skuadra juaj më ka lënë shumë përshtypje. Keni sulm të mirë dhe një mesfushë të tillë. Kjo do të jetë Kombëtarja e ardhshme e Shqipërisë, një skuadër me të ardhme. Mendoj se po e rritni mirë rininë e futbollit. Dhe jam i gëzuar që na u dha rasti të njihnim edhe Veriun shqiptar e përparimet e dukshme të tij. Pashë, përveç të tjerave, një publik njohës, të saktë, të qartë në gjykim”.
Në këtë mirësjellje prej kavalieri të vërtetë, Neubergeri pohonte Shqipërinë, ndonëse i kishte pa vetëm rrugën e ngushtë Tiranë-Shkodër, thuajse pa makina që udhëtonin, anash me shtëpi tejet të thjeshta, aty-këtu gati të mjera, por për çudinë e tij, me tokë të mbjellë. Më i vërtetë se në asgjë ai ishte me mjedisin publik të futbollit të stadiumit të Shkodrës, që asokohe quhej “Vojo Kushi”. Dhe mbi të gjithë me parashikimin e tij se “kjo do të jetë Kombëtarja e ardhshme e Shqipërisë”. Një vit më vonë, më 12 dhjetor 1984, plot pesë lojtarë të kësaj Shprese: Zmijani, Ocelli, Demollari, Vila, Josa do të ishin protagonistë të Kombëtares së Shqipërisë në fitoren e bujshme 2-0 ndaj Belgjikës për Kupën e Botës. Ne ende nuk parashikonim kësi ngjarjesh. Madje, as nuk parashikonim se qysh këtë ditë të 30 marsit 1983, Shqipëria do të hynte në duele të paparë me Gjermaninë, madje sa me skuadrat “Shpresa”, po aq edhe me Kombëtaret e para. Në Shkodër ishte 1-1 me “Shpresat” dhe kryesim i pandalshëm shqiptar i Grupit 6 të Kampionatit Europian. Të nesërmen në Tiranë është 2-1 për Gjermaninë Kombëtare, por në një nga ndeshjet më të famshme të historisë sonë. Kur përpara, mbas pak muajve, do të ishin dramat e Trieri-t dhe të Saarbrucken-it…
Presidenti Herman Neuberger, edhe ai, as që i parashikonte shqetësimet e ardhshme që do t’i nxirrte ky futboll “i vogël” ballkanik…
10 MAJ 1983: SHQIPËRIA-TURQIA 1-0!
Mrekullia do të vazhdonte. Dhe, para se të mbërrinim Trieri-n, skuadra shqiptare, që duhet quajtur e papërmbajtshme, dhuron dy perla të tjera që kanë hyrë krenare në historinë modeste të futbollit shqiptar: 1-0 Turqisë dhe 3-0 Austrisë!
Ndodh që krejt papritmas, për ndeshjen me Turqinë, të braktiset Shkodra dhe mbas 42 ditëve 21-vjeçarët shqiptarë presin Turqinë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Është vetëm 1- 0. 10 maj 1983. Një fitore e vështirë, madje një pjesë e parë thuajse pa shumë nivel. Një trysni psikologjike – sepse tash, para ndeshjes, skuadrës i kërkohej me patjetërsim që të fitonte. Janë 83 minuta lojë të parezultat, edhe për faktin e fuqizimit të “Shpresës” turke me dy lojtarë, Arif dhe Ibrahim, të Kombëtares së parë të Turqisë. Shpëtimtare bëhet minuta e 83-të, një sulm i lindur qysh nga portieri Mersini. Dhe mandej Zmijani-Demollari-Dedja-Vila-Canaj, një harmoni korale, fund i së cilës është gjuajtje e pagabueshme e Canajt dhe fitore e Shqipërisë 1-0. Pa dyshim ndër më të rëndësishmet, sepse edhe mbas kësaj ndeshjeje Shqipëria kryeson grupin. Ndodhte kështu, sepse 15 ditë më parë Gjermania kishte barazuar 1-1 në Austri.
Trajneri Ragami këmbëngul në qëndrueshmërinë e një 11-shi, i cili edhe në një ditë jo fort të bukur, ku edhe Kombëtarja e parë nuk shkon më larg se një barazim i kritikueshëm 1-1, përsëri ai ia arrin. Dhe ishin këta: Mersini, Zmijani, Hodja, Lekbello, Dedja, Canaj, Demollari, Jera, Josa (Kushta), Vila, Topçiu (Liti). Festa mesa dukej nuk do të ndalej më. Po për këtë duhej prapë Shkodra elektrizuese.
Ishin ditë historike për të. Më 25 maj 1983, mbas një heshtjeje pesëvjeçare (1978), Vllaznia e Shkodrës shpallej Kampione e Shqipërisë, duke e mbyllur me fitoren 2-0 në Berat me Tomorin, kur më 22 maj, ajo së bashku me 17 Nëntorin (SK Tirana) i kishin dhuruar futbollit shqiptar një nga ndeshjet më spektakolare të tij: 2-2 në stadiumin “Vojo Kushi”, duke pasur të dyja së bashku në fushën e lojës jo pak, por plot 8 djem të “Shpresës” triumfuese në Europian: Zmijani, S.Çanga, Dedja, Hodja, Bimo, Liti, Sh.Muça, Josa. Ishte një barazim, që 90 minuta para mbarimit, ende nuk ia kishte arritur të përcaktonte skuadrën kampione. Është një ndër kampionatet më të bujshëm. Vllaznia rrëmben titullin për shkak të golaverazhit (39-19) ndaj Partizanit (32- 17), thjesht për 5 gola më tepër, të dyja nga 34 pikë! Ishte një kampionat, ndër më të emotivët në historinë e Shqipërisë. Për këtë mjaftoje të shihje renditjen e 4 të parëve: Vllaznia 34 pikë, Partizani 34, 17 Nëntori 32, Flamurtari 30!…
7 QERSHOR 1983: SHQIPËRIA-AUSTRIA 3-0!
Trajneri Ramazan Ragami ishte po ai që njëkohësisht drejtonte “Shpresën” drejt suksesit të madh, duke pasur në të katër lojtarë të Vllaznisë së tij: Zmijani, Jera, S.Çanga, Dedja! Viti 1983 ishte dhe është viti i madh i historisë aq të pasur të mjeshtrit Ramazan Ragami: Kampion i Shqipërisë me Vllazninë dhe në 8-she të Europës me “Shpresën” e Shqipërisë!
Ndeshja me Austrinë po afronte ndërkaq, me shpejtësi të madhe. Vetëm mbas 28 ditëve, 7 qershor 1983. Dhe nuk kishte rrugë tjetër. Duhej kërkuar përsëri ndihma e madhe e publikut të Shkodrës. Këtë e kupton më së miri kryetari i BFSSH që drejtonte sportet, Mehdi Bushati, dhe Federata Shqiptare e Futbollit e kryetari i saj Kristaq Miço. Është 7 qershor 1983 dhe Shqipëri-Austri 3- 0! 1-0 Topçiu në të 5′, 2-0 Topçiu në të 74′, 3-0 Vila në të 75′ (11-m)! Nën këtë pamje përbërjeje: Mersini, Zmijani, R,Kokalari, Ndreu, Ocelli, Liti, Demollari, Canaj, Vila, Muça, Topçiu (Josa). Nga ana gazetareske, çudia e madhe ishte se autor të shkrimit kisha caktuar Astrit Hafizin, më parë kapiten i Shpresës, natyrisht pa parashikuar kurrsesi se do të vinte një ditë dhe ai do të bëhej trajner i Kombëtares së Shqipërisë, e aq më pak se në vitin e largët 2013 do të shndërrohej në një opinionist të futbollit në TV! Autorësia e Hafizit ishte diçka krejt e rrallë për sa i përket rastit, sepse shkruante një autor “i panjohur”, i cili ende ishte futbollist i Vllaznisë në fushën e lojës. Kjo, që një futbollist të shndërrohet në “kronist”, kishte ndodhur vetëm me Halim Begenë e SK Tiranës, kur më 1938-ën në Tiranë luajti Bari i Italisë, e ai shkroi kronikën e ndeshjes. Shkrimi i Hafizit në të vërtetë ka një titull tipik të gazetarisë “socialiste”, i vënë nga redaksia: “I lumtë ‘Shpresës’, lojë e suksesshme, fitore e thellë!” Hafizi, natyrisht me ndihmën e Namik Mehmetit e Ymer Striniqit, “firmos” përveç të tjerave edhe këto radhë historike në shkrimin e tij:
“Fitorja e saj 3-0, përveç të tjerave, është dhe një pasurim i mëtejshëm, kuptimplotë i arshivës së stadiumit tonë ‘Vojo Kushi’, i cili prej plot 30 vjetësh që nga 1953-shi nuk njeh asnjë humbje në ndeshjet ndërkombëtare të skuadrave tona”. Hafizi, i cili e ka ndjekur mirë në stërvitje skuadrën e Ragamit, i jep një ton teknik përimtimi (analize) gjykimit të ndeshjes, teksa flet për “detyra taktike”; për “vendosje në fushën e lojës, duke i gjetur vendin secilit në përshtatje me lojën e kundërshtarit”; duke spikatë “mesin e fushës Canaj-Demollari-Liti”, me të cilët shkrihet “sulmi Topçiu-Vila”, pa harruar Sh.Muçën disi më mbrapa; duke evidentuar mbështetjen e shpejtësisë së sulmit, madje qysh nga “mbrojtësit anësorë Zmijani e Ocelli dhe duke shquar dy debutuesit Ndreu e R.Kokalari në qendër të mbrojtjes në të vetmen ndeshje të tyre me këtë “Shpresë”, e cila do të mbërrinte në një të katërtat e Kampionatit të Europës. Pa harruar kurrsesi portierin Mersini me saktësinë e tij të pagabueshme. Dhe, duke e mbyllur me ftesën optimiste për “afirmim të plotë në arenën ndërkombëtare” dhe “duke menduar qysh tani për ‘finalen’ gjermane”. Por, për të mbërritur tek ajo, do të duheshin edhe nja gjashtë muaj…
Ndërsa ky 7 qershor 1983 ishte dita kur Shqipëria ëndërronte më shumë se kurrnjiherë. I kishte mbetur për t’u luajtur vetëm një ndeshje: ajo e Trier-it. Pozita e saj ishte kaq e sigurt saqë, edhe sikur Gjermania t’i fitonte dy ndeshjet e radhës së saj, me Austrinë e Turqinë, prapë Shqipëria nuk mund të lëvizte prej vendit të parë në Grupin 6 të Kampionatit Europian të 21- vjeçarëve. Kjo do të thoshte se në Trier, “Shpresa” shqiptare do të ishte 1 pikë para gjermanëve. Dhe, në të vërtetë, Gjermania i fiton dy ndeshjet e saj: 2-0 Austrisë dhe frikshëm 7-0 Turqisë, çka trondit jo pak mjedisin futbollistik shqiptar…
X X X
Tash, në shkrimin tonë të fundit të këtij cikli, do të mundohemi të shpjegojmë deri diku, si të thuash edhe “shkencërisht”, pa harruar anën shoqërore-organizative, madje edhe të një politike, suksesin historik të Shqipërisë në 8-she të Europës, duke guxuar madje te një parabolë me të sotmen… Ndonëse guximi më i madh se i yni ishte ai i gazetarisë europiane, që do ta përcaktonte Shpresën e Shqipërisë midis 8 skuadrave më të mira të botës për vitin 1983! Do të takohemi së bashku në numrat e ardhshëm të “Panorama Sport”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"