“Ndeshja speciale do të ishte finalja, kemi ndryshuar shumë nga 2018”, Hakimi: Dua ta mund Spanjën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 13:40

“Ndeshja speciale do të ishte finalja, kemi ndryshuar shumë nga 2018”, Hakimi: Dua ta mund Spanjën!

Ka lindur në Madrid në vitin 1998-të, por sonte në mbrëmje do të jetë në fushë kundër Spanjës. Po flasim për mbrojtësin e krahut të Paris SG-së dhe të Marokut, Ashraf Hakimi. 24-vjeçari ka rrëfyer jetën e tij në një intervistë të gjatë për gazetën “Marca”, pikërisht në vigjilje të sfidës kundër Spanjës. Ai ka rrëfyer se ka qenë fare pranë zgjedhjes së Spanjës, ku është provuar me të rinjtë. Por siç ka shpjeguar ai, vetëm dy ditë në “Las Rozas” (qendra stërvitore e Spanjës) i kanë ndryshuar mendjen duke e kthyer në origjinë, te Maroku. Pikërisht me Marokun do të kërkojë të sfidojë sonte në mbrëmje atdheun e dytë, Spanjën.

HAKIMI 1

E KALUARA TE SPANJA – “Po kisha mundësi kur isha i ri që të luaja për Spanjën. Federata spanjolle më kontaktoi. Kam shkuar për disa ditë në qendrën stërvitore të Spanjës në ‘Las Rozas’, por e pashë se nuk ishte vendi i duhur për mua, nuk ndihesha në shtëpi. Isha mësuar ndryshe, në shtëpi jetoja me kulturën arabe, me kulturën e të qenit maroken”.

NDESHJE SPECIALE – “Për mua ndeshja më e veçantë do të ishte finalja, dhënë Zoti mbërrijmë deri aty. Por natyrisht që është një ndjesi e veçantë edhe fakti se do të luaj kundër vendit që më ka rritur dhe më ka dhënë shumë mua dhe familjes sime. Dua të argëtohem”.

MAROKU – “Kemi ndryshuar nga viti 2018-të. Kemi një gjeneratë të shkëlqyer. Duam të bëjmë historinë. Duam të ndryshojmë mentalitetin mbi botën arabe, të tregojmë se pse jo dhe ekipet arabe mund të bëjnë gjëra të mëdha”.

NË GARË ME ZIJEH PËR FANELLAT – “Njerëzit në Marok ndiejnë dashuri për mua dhe unë ndiej dashuri për ta. Ndihem krenar për veten dhe për popullin e Marokut”.

THUMBA PARIS SG-së – “Në Paris ka lojtarë të mëdhenj, si këtu, por e ndiej se te Maroku kam më shumë rëndësi në lojë, e prek më shumë topin, më japin rëndësinë që të ndihem rehat. Në Paris është shumë ndryshe. Ndonjëherë vrapon shumë dhe nuk ta japin topin. Këtu në kombëtaren e Marokut shokët e ekipit më gjejnë më shpesh, ata e dinë se sa i rëndësishëm mund të jem në sulm dhe në mbrojtje. Më japin shumë besim dhe përpiqem t’ia shpërblej.

NJË BAST – Jo, jo, jo, nuk flas për baste. Nuk them rezultat, por fiton Maroku.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"