Ndeshja me ekipin nga Azerbajxhani, drejtori i Laçit: Mund të luajmë në Spanjë ose Qipro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2020 | 9:35

Ndeshja me ekipin nga Azerbajxhani, drejtori i Laçit: Mund të luajmë në Spanjë ose Qipro

Laçi sfidon azerët e Keshlës, por 90 minutat për të kaluar turin e parë i duhet t’i luajë në transfertë. Shorti i hedhur dje nga UEFA u rezervoi kurbinasve një kundërshtar jo të panjohur për ta. Bardhezinjtë janë përballur në Ligën e Europës me azerët edhe më 2 dhe 9 korrik të vitit 2015, madje duke pasur në stol pikërisht Armando Cungun. Por nga pesë vite më parë dhe deri më tani, kanë ndryshuar shumë gjëra. Keshla në atë kohë mbante emrin Inter Baku dhe Laçi u eliminua pa humbje pesë edicione më parë.
laci
Pas dy barazimeve (1-1 në Shqipëri dhe 0-0 në transfertë), u kualifikua Inter Baku prej golit në fushë kundërshtare. Më 29 tetor 2017 klubi azer që kishte eliminuar bardhezinjtë ndërroi emrin dhe nga ai moment quhet Keshla FK.
unnamed (1)
Naim Halili (m) dhe presidenti i Laçit Pashk Laska

REAGIMI –
Goglat në Nion të Zvicrës konfirmuan se ndeshja e 27 gushtit do të luhet në Azerbajxhan. Sipas rregullores së diktuar nga pandemia, do të luhet vetëm një takim dhe do të ketë eliminim direkt. Nëse 90 minutat e ndeshjes dalin barazim, qoftë me gola apo pa gola, atëherë do të ketë kohë shtesë dhe goditje të penalltive po të jetë e nevojshme, për të përcaktuar skuadrën që do të kalojë në turin e dytë. “Panorama Sport” kontaktoi dje me drejtorin e klubit kurbinas, Naim Halili, i cili theksoi se ende nuk është zyrtar zhvillimi i ndeshjes në Azerbajxhan, pasi ka gjasa të luhet në një fushë neutrale. Zyrtari i lartë i bardhezinjve u shpreh i kënaqur me shortin, duke besuar te cilësia që ka skuadra. “Dua ta cilësoj një short me fat, pasi në fund të fundit është vetëm një ndeshje. Nuk besoj se ndikon faktori fushë, aq më tepër që do të luhet pa tifozë. Për ne është njësoj, prandaj dhe mendoj se me grupin që kemi do të bëjmë diferencën ndaj ekipit azer. Laçi ka kualitete që mund ta zgjidhin ndeshjen. Besoj shumë te skuadra, prandaj dhe jam optimist se do ta kalojmë këtë tur. Keshlën e njoh disi, sepse dy vite më parë aty ka qenë trajner Mlladen Milinkoviç (ishtrajner i Luftëtarit dhe Kukësit në Superiore) dhe kam pasur rastin të shikoj disa ndeshje në kuadër të merkatos”, ka thënë fillimisht drejtori i bardhezinjve, i cili deri dy sezone më parë ka qenë pjesë e Kukësit në rolin e menaxheri të përgjithshëm.
lIGA E eUROPES
FUSHA – Para hedhjes së shortit, UEFA bëri të ditur se do të formonte 15 grupe për të shmangur klubet pa një stadium të aprovuar prej situatës së pazakontë dhe që mund të përballen me njëri-tjetrin. Laçi ishte i vendosur në grupin 9, teksa si kundërshtarë të mundshëm ishin Keshla (Azerbajxhan), Neftçi (Azerbajxhan) dhe Hapoel Ber Sheva (Izrael). Shorti përcaktoi duelin Keshla-Laçi, dhe sipas rregullores, takimi luhet në fushën e ekipit që ka dalë nga gogla e parë. Mirëpo drejtori Halili deklaron për gazetën se asgjë nuk është përfundimtare. “Ende nuk e dimë nëse do të luhet në Azerbajxhan, pasi varet nga situata e “COVID-19″. Mund të luajmë në Qipro ose Spanjë, nuk i dihet. Do ta mësojmë në ditët e ardhshme axhendën, e më pas do të vendosim për udhëtimin, që besoj do të jetë me çarter”, përfundoi Halili.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"