“Ndërrimi i trajnerëve në Fier është kthyer në modë”, Dimo: Apolonia jo pa shpresë, por askush s’e përmend Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 17:43

“Ndërrimi i trajnerëve në Fier është kthyer në modë”, Dimo: Apolonia jo pa shpresë, por askush s’e përmend Superioren

Amarildo Dimo fut në “skaner” Apoloninë. Trajneri i ri, fitorja minimale me Luzin 2008, merkatoja e janarit dhe objektivat e mundshëm, kalojnë në “lupën” e ish-kapitenit. Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”, ai e shikon Apoloninë në vështirësi, por jo pa shpresë.

amarildo dimo

Ish-kapiteni vlerëson trajnerin e ri dhe ngjitjen në elitë e quan të vështirë edhe përmes fazës “play off”.

Vit i ri, trajner i ri, por Apolonia ka “ngecur” në vendin e 5-të…

Vit i ri, avaz i vjetër. Them kështu, pasi ndërrimi i trajnerëve në Fier është kthyer në modë. Kështu ndodhi vjet, kështu po ndodh sivjet. Një zot i madh e di se çfarë kanë në mendje drejtuesit fierakë. Sa i përket trajnerit të ri Artan Mërgjyshi, mendoj se është një zgjedhje e mirë për ekipin. Falë eksperiencës, është i duhuri për momentin e vështirë që po kalonte skuadra. Megjithatë, sado i mirë të jetë trajneri, po nuk pati kontingjent të mjaftueshëm lojtarësh, nuk ka se çfarë të bëjë. Mërgjyshi e ka marrë Apoloninë në një situatë të vështirë, por jo pa shpresë.

Merkatoja e janarit përfundoi me vetëm tri afrime të ardhur nga Kenia e largët. A mjaftojnë këta lojtarë për të rritur cilësinë dhe shtuar konkurrencën në skuadrën fierake?

Merkatoja e janarit lë shumë për të dëshiruar, pasi vetëm është rritur sasia dhe nuk është rritur cilësia dhe shtuar konkurrenca në skuadër. Për mendimin tim, mund të kishte bërë më mirë dhe më shumë në këtë sesion merkatoje, nëse do të kishte dëshirë për të bërë më mirë. Më shumë se sa ardhja e tre lojtarëve të huaj, është një mungesë e theksuar e dëshirës për të krijuar një ekip dinjitoz dhe konkurrues, që mund të arrinte shumëçka. Ndoshta, drejtuesit janë të kënaqur me Apoloninë në Kategorinë e Parë.

Nga njëra vështirësi te tjetra, pasi edhe fitorja e shumëdëshiruar në kampionat erdhi pas plot 73 ditësh. Mund të jetë kjo fitore pika e vërtetë e kthesës për Apoloninë?

Edhe mund të ndodhi kështu, por fitorja e fundit u ka shërbyer më së shumti për të rritur moralin dhe shtuar besimin në skuadër. Vetvetiu, mungesa e rezultateve i futi në presion, prandaj edhe pikët liheshin me shumicë, si rrallëherë edhe në stadiumin “Loni Papuçiu”. Tri pikët bëjnë që skuadra të marrë frymë lirisht dhe të përgatisë më me qetësi e deri në detajet më të vogla ndeshjen e radhës. Kemi hyrë në fazën më të nxehtë të kampionatit, ku çdo ndeshje është e vështirë dhe pikët janë “ilaçi” i vetëm për të ndryshuar shumëçka.

Kalendari është “ferr” për Apoloninë, dy transferta të vështira me Bylisin e Vorën dhe një ndeshje në shtëpi me Kastriotin. Si i shihni këto përballje?

Kjo kategori na ka treguar që nuk ka favoritë absolutë, nuk është më miri i fushës, pasi të gjitha ekipet e kanë surprizuar njëra-tjetrën. Personalisht mendoj se Apolonia luan shumë herë më mirë në transfertë dhe me ndonjë rivalë direkt. Ka treguar veten, potencialin që mbart dhe cilësinë. Ka ardhur momenti që këto të përkthehen në pikë.

Vendi aktual, i 5-ti, përkthehet me vetëm një vend të sigurt në fazën “play off”. Mbetet e arritshme Superiorja?

Ne mund ta përmendim kurdoherë Superioren, nuk ka problem, por ajo që më bën çudi është se Apolonia nuk e ka përmendur dhe as nuk e ka shpalosur objektivin sezonal, sikur edhe fazën “play off”. Grupi i lojtarëve titullarë është padyshim cilësor dhe më jep shpresë për ndeshjet e fundit. Megjithatë, pozicioni aktual nuk është më i miri. Duhet arritur me çdo kusht vendi i 3-të ose i 4-t, sepse vetëm këto dy vende kanë favore, fushë apo dhe lojën për dy rezultate. Edhe me barazim, kalon më tej skuadra e renditur më mirë. Por ka edhe një problem tjetër..

Cili është ky problem?

Faza “play off” është një mundësi e dytë, por është ndër më të vështirat për t’u kaluar. Eliminimi i rivalëve në Kategorinë e Parë nuk mjafton, pasi në fund do të përballesh me një ekip të Superiores. Dihet cilësia e tyre dhe për mendimin tim janë një hap para çdo ekipi tjetër.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"