Merr ftesë nga Nigeria, Atanda: Fitova kombëtaren nga Fieri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2014 | 19:56

Merr ftesë nga Nigeria, Atanda: Fitova kombëtaren nga Fieri

Atanda i ApoloniseSodiq Olalade Atanda fiton Kombëtaren nga Apolonia. Mbrojtësi nigerian ka marrë një festë nga përfaqësuesja e vendit të tij, për të qenë pjesë e Nigerisë në ndeshjet eliminatore të Afrikës për sezonin 2014- 2015. Paraqitja e tij e mirë, rezultatet në fushë dhe mbi të gjitha ngjitja në Superiore kanë bërë që disa prej futbollistëve të Apolonisë të jenë në objektivin e merkatos së kësaj periudhe, por edhe të trajnerëve të ekipeve kombëtare të vendeve të tyre. Rasti më konkret është pikërisht ai i Atandës, i cili ka qenë pikë kyçe e formacionit fierak. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, lojtari shfaqet tejet i lumtur për këtë ftesë. “Erdha në Shqipëri dhe pikërisht tek Apolonia, me qëllimin e vetëm që të punoja shumë dhe të rrisja nivelin tim. Dhashë gjithçka për këtë skuadër që të ngjiteshim në Superiore. Kjo punë e palodhur u shpërblye edhe për mua, me këtë ftesë që më ka ardhur nga Kombëtarja e Nigerisë. Për mua është vlerësim, ndaj do bëj më të mirën edhe me përfaqësuesen e vendin tim, që të shkojmë sa më larg”, – ka përfunduar lojtari 21-vjeçar nigerian, që luajti për ngjyrat e Apolonisë në se zonin që sapo përfundoi.
Administratori – Kamber Memollaj, administratori i klubit, në një deklaratë për gazetën në lidhje me ftesën që ndodhet tashmë në zyrat e klubit fierak, thotë: “Disa lojtarë që kanë kontribuar në skuadrën fierake vitet e shkuara, janë bërë pjesë e ekipit tonë kombëtar. Por ftesa për mbrojtësin Atanda ishte e papritur si për ne, ashtu edhe për vetë futbollistin. Pa dyshim na gëzon ky fakt, pasi tregon se kemi bërë punë të mirë në merkato. Kemi përzgjedhur elementë cilësorë, që nga ndeshja në ndeshje kanë dëshmuar rritje profesionale. Apolonia po funksionon si një trampolinë për lojtarët e saj, për t’i çuar përherë e më lart. Pas ardhjes së kësaj ftese, ne si klub dhe stafi teknik u mblodhëm dhe vendosëm tashmë që kampionati ka përfunduar, t’i jepnim lejen për të shkuar e përfaqësuar vendin e tij në këtë kompeticion”.

Apolonia interesohet për serbin Popoviç
Në Fier kanë plane të qarta për merkaton, teksa veç ruajtjes së pjesës dërrmuese të grupit, do të ketë edhe prurje. Një emër që lakohet së fundmi, është ai i Lazar Popoviç. Sulmuesi serb, i cili e mbylli sezonin me Kastriotin, është vënë në lupën e klubit të Apolonisë. Sulmuesi ndodhet në vendin e tij aktualisht, megjithatë vazhdon të ruajë kontaktet me Shqipërinë. Kujtojmë që, veç përvojës në Krujë, ai ka luajtur edhe te Kukësi. Ende nuk ka asgjë konkrete, pasi për momentin gjithçka ka mbetur në kuadrin e dëshirave. Nëse ky operacion do të realizohet, kjo mbetet për t’u parë, megjithatë bardhejeshilët e duan serbin për sulmin.
Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"