“Me Pogradecin na bashkon halli i mbijetesës”, Bruka “firmos” për barazimin: Edhe një pikë do të mjaftonte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2022 | 11:01

“Me Pogradecin na bashkon halli i mbijetesës”, Bruka “firmos” për barazimin: Edhe një pikë do të mjaftonte

Besëlidhja nuk ka në plan që të ndalet. Edhe pse i janë larguar zonës së rrezikut, vend për qetësi nuk ka. Me 6 skuadra që kanë një ndeshje më pak dhe ngjeshjen në renditje, mbijetesa duket ende larg.

alban bruka

Këtë e ka të qartë edhe vetë trajneri dhe e pranon që hallet nuk kanë mbaruar. Kalendari sot i çon në transfertë dhe më konkretisht në Pogradec, atje ku do të matin forcat me vendësit.

Llogaritë bëhen edhe me një barazim, ndonëse Alban Bruka e quan të vështirë. Ai pret vetëm një gjë nga ekipi: të evitojë gabimet. Gjatë prononcimit të zakonshëm para ndeshjes, tekniku për “Panorama Sport” thotë:

“Nesër (sot) do të ndeshemi me Pogradecin. Luajmë në transfertë, ndaj i kemi dhënë vlerësimin maksimal. Vështirësia shtohet edhe prej objektivit që kemi, pasi jemi të vendosur për të ngjitur shkallët e klasifikimit.

Falënderoj presidentin që na mundësoi nisjen një ditë para ndeshjes. Përveç mbajtjes 24 orë nën kontroll të futbollistëve, do të kemi mundësi që të zhvillojmë atje edhe një seancë të lehtë stërvitore.

Kjo do të na ndihmojë mjaft për këtë 90-minutësh. Si ne dhe Pogradeci jemi në të njëjtin hall, që është mbijetesa. Kjo do bëjë që të jetë një përballje mjaft e fortë. Mendoj se rezultatin do ta vendosë vetëm mirëmenaxhimi i gabimeve.

Duke iu referuar asaj që thashë më lart, gjatë gjithë javës stërvitore së bashku me stafin kemi këmbëngulur te gabimet dhe kemi punuar pak më tepër në këtë drejtim.

Kundërshtari ka avantazhin e fushës, por nuk duhet mohuar që ka ekip simpatik dhe duhet marrë në konsideratë. Pavarësisht vendit në renditje, ndoshta fati nuk e ka ndihmuar.

Sa i përket formacionit, kemi vetëm një mungesë. Nuk do të kemi portierin, por pjesa tjetër është e gjitha në dispozicion. Kështu, drejt Pogradecit udhëtojmë të qetë.

Shpresoj te ndonjë pikë e marrë në këtë takim. Kjo do të na e lehtësonte shumë rrugën drejt mbijetesës, objektiv që tashmë e kemi primar”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"