“Më mirë një fitore 5-4 se një 1-0”, Ksavi: Do të doja të trajnoja Zidanin, Ronaldo më i miri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 12:18

“Më mirë një fitore 5-4 se një 1-0”, Ksavi: Do të doja të trajnoja Zidanin, Ronaldo më i miri

Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka qenë i ftuar në një emision të veçantë të organizuar nga vetë klubi i titulluar “90 seconds challege”. Për 90 sekonda, pjesëtarë të klubit të Barcelonës i përgjigjen pyetjeve që bëhen nga tifozët e këtij ekipi. Ksavi në intervistën e tij flesh i është përgjigjur 22 pyetjeve nga më të çuditshmet.

KSAVI

ZIDAN – Një nga surprizat në përgjigjet e Ksavit ka pasur të bëjë me një legjendë të futbollit që ai do të kishte dashur të punonte si trajner. Ksavi ka shprehur simpatinë e tij për Zinedin Zidanin, duke deklaruar se do të kishte dashur shumë të trajnonte ish-trajnerin e Realit të Madridit. “Pyetje e vështirë, ka disa emra, por shkoj për Zidanin, lojtar i shkëlqyer”, ka thënë Ksavi. Trajneri aktual i Barcelonës dhe Zidan kanë marrëdhënie mjaft të mira ms tyre dhe nuk kanë ngurruar ta shfaqin vlerësimin reciprok për njëri-tjetrin.

GOLI MË I BUKUR – Ksavi është pyetur edhe për golin më të bukur që ka shënuar dhe që e kujton. Me fanellën e Barcelonës ai ka shënuar 58 gola në 505 takime. Por goli që kujton më shumë është i fitores së famshme të Barcelonës ndaj Realit të Madridit 5-0, kur Barça drejtohej nga Pep Guardiola, ndërsa Murinjo ishte në krye të “Los Blancos”. “Goli më i bukur është kundër Realit në fitoren 5-0. Ishte një festë e jashtëzakonshme, një fitore madhështore”.

SEZONI MË I MIRË – Ksavi ka folur dhe për sezonin më të mirë me Barcelonën. Ai ka kujtuar se bëhet fjalë për sezonin 2008-2009. Ishte viti kur Barcelona fitonte për herë të tretë në historinë e saj në Ligën e Kampioneve. “Për mua ka qenë sezoni më i mirë me Barcelonën. Fituam gjithçka. Ishim të lumtur pasi fituam dhe Champions-in në një stadium mitik si ‘Uembli’. Për mua është stadiumi i dytë më i mirë pas ‘Camp Nout’”, ka thënë Ksavi.

FUTBOLL SPEKTAKOLAR – Ksavi ishte nga ata që shënonte jo shumë, por ishte një nga ata lojtarë që gatuante gola pa fund për shokët e skuadrës. Jo më kot ai është një ithtar i futbollit ofensiv. Kjo duket qartë nga përgjigjja se çfarë rezultati do të zgjidhte në një ndeshje futbolli. “Nëse do të më thonin zgjidh mes një përballjeje 1-0 dhe një tjetër 5-4 do të shkoja për këtë të dytën. Dua futboll spektakolar e me gola”, ka thënë ai.

RONALDO – Ksavi ka folur dhe për rivalin më të fortë me të cilin është përballur. “Jam përballur me shumë të tillë, por Ronaldo, ‘Fenomeni’ ka qenë më i forti”.

USHQIMI I PREFERUAR – Për Ksavin ushqimi i preferuar janë makaronat, ndërsa e premtja është dita e preferuar.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"