“Më kishin munguar golat”, sulmuesi i Teutës: Nuk i tremben asgjëje, ndaj Dinamos dua tre pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2021 | 15:31

“Më kishin munguar golat”, sulmuesi i Teutës: Nuk i tremben asgjëje, ndaj Dinamos dua tre pikët

Sulmuesi i Teutës, Pepi Gjorgiev, është tepër i kënaqur me golin e realizuar ndaj Vllaznisë në javën e 11-të në “Elbasan Arena”. Gjorgiev është kthyer protagonist pas një mungese të gjatë me golin. Sulmuesi shprehet se ekipi ka eksperiencën e duhur për t’u ringritur dhe beson se kjo ndeshje do të jetë pika e kthesës.

Gjorgiev

Sërish protagonist me Teutën duke shënuar dhe ndaj Vllaznisë. Si ndiheni?
Jam i lumtur që kam shënuar, pasi goli më kishte munguar. Më vjen mirë që u ktheva në këtë mënyrë. Jam në formë të mirë fizike dhe mendoj se pata një paraqitje të mirë në përgjithësi. Pas kësaj ndeshjeje, do të fokusohemi te sfida ndaj Dinamos të cilën synojmë ta fitojmë.

Si e shikoni sfidën ndaj Dinamos?
Si çdo sfidë të radhës. Në 10 javë, ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty-aty në performancë. Dinamo ka një ekip me djem të rinj që duan të promovohen dhe janë të motivuar në çdo ndeshje. Në të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi dhe ne, se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë.

Ju kënaq edhe një pikë nesër?
E thashë edhe më lart. Ne do të shkojmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të tria rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe si një pikë apo tri pikë kanë rëndësinë e vet.

Ka diçka që ju tremb para ndeshjes ndaj Dinamos?
Jo, asgjë nuk me tremb. Siç e thashë, pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal sepse është shumë e rëndësishme. Kështu që, nuk i trembem asgjëje, kam besim pasi ne kemi ekipin dhe lojtarët me eksperiencë që dinë ta vlerësojnë çdo ndeshje.

Cilin nga rivalët e shihni si më të rrezikshëm për titull?
Ne kemi rival vetëm Dinamon, sepse do të fokusohemi te ndeshja e radhës. Ndeshje pas ndeshjeje do t’i shohim se cilët mund të jenë rivalët më të fortë dhe jo të fortë. Unë e thashë që në këtë kampionat nuk ka diferenca të mëdha.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"