Mbyllet faza e parë e Superiores, Tirana dhe Partizani kryesojnë me nga 18 pikë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Tetor 26, 2014 | 19:05

Mbyllet faza e parë e Superiores, Tirana dhe Partizani kryesojnë me nga 18 pikë

Tirana-TeutaPARTIZANI-ELBASANI  1-0
Golat: Racic 42’
Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, E.Pashaj

TEUTA-TIRANA  0-1
Golat: Bakaj 75’
Gjyqtarë: K.Meta, R.Avdo. N.Bregasi

 

Mbyllet faza e parë e kampionatit kombëtar të Superiores. Kampionë simbolikë të këtyre 9 javëve të para, që përbëjnë ¼ e gjithë garës, janë dy skuadrat kryeqytetase: Partizani i Shpëtim Duros dhe Tirana e Gugash Maganit. Kësisoji, kryeqytetaset do ta nisin fazën e dytë si kryesuese, në kuotën e 18 pikëve, duke lënë pas vetes rivalë të tjerë për titull, ku mund të përmendim ndjekësit më të afërt: Kukësi dhe Laci, me nga 16 pikë, por s’mund të lëmë jashtë kësaj “valleje” kampionët e Skënderbeut, por edhe Flamurtarin në kërkim të rrugës së humbur. E gjitha kjo është “vulosur” pas sfidave të kësaj të diele, ku “demat” dhe “zebrat’ kanë fituar minimalisht, respektivisht ndaj Elbasanit të vendit të fundit në “Qemal Stafa” dhe Teutës në “Niko Dovana”. Hasan Lika dhe të tijtë janë munduar ta superojnë me sukses, sidomos taktikisht, skuadrën 24 herë kampione të vendit, me lojtarë të spikatur në gjirin e tyre. Njëri prej tyre, Elis Bakaj, ka prishur ekuilibrat e gjithckaje ka ndodhur në qytetin bregdetar, me atë gol trepikësh, që i jep fitoren pas dy viteve Tiranës në një fushë të tillë.
Partizani-Elbasani – Tifozat e Partizanit kanë dhuruar emocione kombëtare, teksa kanë shpalosur flamurin kuqezi, edhe atë të të ashtuquajturës “Shqipëri e madhe”, që u valëvit me dron në stadiumin e Beogradit, kur luajti kombëtarja. Pra, janë lënë mënjanë, si të thuash, simbolet e klubit të tyre, dhe janë përqafuar simbolet kombëtare, si pjesë e një reagimi mbarëkombëtar pas dhunës ndaj lojtarëve të kombëtares sonë në kryeqytetin serb dhe vendimit skandaloz të UEFA-s, që barazoi viktimën me agresorin, duke ia dhënë tri pikët në tavolinë Serbisë. Dhe për koincidencë, kur ky spektakël kombëtar ndodhte në shkallët e “Qemal Stafës”, një lojtar serb në fushë shënon gol në minutën e 42-të, duke zhbllokuar shifrat në favor të Partizanit dhe dhënë 3 pikët e cmuara të tijve. Stefan Racic qetëson trajnerin Duro dhe “demat” me golin e katërt personal në këtë kampionat, ndërkohë që më herët, në minutën e 26-të, Vila do të gabonte nga pika e bardhë. Duket se penalltitë janë një makth për të kuqtë, sepse nuk janë treguar të saktë. Nexhipi në Fier dhe Vila në kryeqytet, dy lojtarë të spikatur të 15 herë kampionëve të vendit, duket se e kanë humbur tashmë shansin për të ekzekutuar nga pika e bardhë më tej. Emiljano Vila ka qenë sërish, si në Shkodër, njeriu i rasteve të humbura, teksa në pjesën e dytë nuk ka shënuar dot i vetëm me portierin Kotorri.  Për pasojë, Duro e ka zëvendësuar për t’i dhënë mundësinë Shabanit dhe Osmanajt në dhjetë minutat e fundit të sfidës në detyrat ofensive.
Verdheblutë kanë qëndruar pa u mposhtur thuajse tërë pjesën e parë, duke luajtur mirë në fazën defensive, por mesfusha dhe sulmi nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Kjo evidentohet edhe në mungesën e reagimit pas disavantazhit, cka e lë Elbasanin jo vetëm në vendin e fundit në mbyllje të fazës së parë, me vetëm 3 pikë, por edhe kandidat kryesor për t’u kthyer andej nga erdhi, në Kategorinë e Parë, në fund të kampionatit. Sidoqoftë, kur mbeten të luhen edhe tri faza, pozicionet aktuale të të kuqve, në krye, dhe të elbasanasve, në fund, mund të revizionohen. Kjo varet nga kundërshtarët e tjerë, por edhe përmirësimet apo modifikimet në vijimësi, sidomos në merkaton e janarit, kur mund të bëhen përforcime.
Teuta-Tirana – Në Durrës është zhvilluar një betejë e vërtetë, një luftë burrërore mes lojtarëve të dyja skuadrave. Si Teuta, edhe Tirana, nuk kanë kursyer asgjë nga vetja në funksion të fitores. Bardheblutë për të mos u ndalur në “revanin” si kryesues, dickaje që ia kanë arritur në minutën e 78-të me Elis Bakajn, ndërsa durrsakët për të marrë maksimumin në fushën e tyre. Kësaj here kanë dështuar, edhe pse janë përballur denjësisht me kundërshtarin. Kujtojmë se fitorja e fundit e Tiranës ndaj Teutës datonte më 10 shkurt 2012, kur ekipi drejtohej nga Hulian Rubio, ndërkohë durrsakët kishin në krye të pankinës Gugash Maganin, trajnerin aktual të 24 herë kampionëve të vendit. Asokohe, bardheblutë fitonin në Durrës me shifrat 1-2, falë golit të Bekim Balës dhe autogolit të Shaqir Stafës. Por, që prej atij sezoni, kryeqytetasit nuk ia kishin dalë dot më as në “Niko Dovana” e as në kryeqytet kundrejt “djemve të detit”, teksa në 5 ndeshje të zhvilluara, kishin barazuar 4 dhe humbur 1. Kjo e diel e 26 tetorit e ka prishur këtë “magji”, teksa goli i Bakajt e ka mbajtur në krye Tiranën dhe ka përmbyllur “agjërimin” jo pak të gjatë të kryeqytetasve ndaj “djemve të detit”.

 

 






www.minuta90.com