Mbledhje urgjente te Flamurtari, Çela “zbarkon” në Vlorë/ 3 dëshirat e merkatos ia rrëmbeu Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2023 | 0:07

Mbledhje urgjente te Flamurtari, Çela “zbarkon” në Vlorë/ 3 dëshirat e merkatos ia rrëmbeu Elbasani

Emiljano Çela zbarkon në Vlorë. Deri këtu, nuk ka ndonjë çudi të madhe. Në fund të fundit, jemi duke folur për trajnerin e Flamurtarit. Qëllimi i vizitës ka qenë krejt tjetër në fakt dhe “Panorama Sport” zbulon arsyen.

Cela

Memalioti ka zhvilluar një takim me drejtuesit më të lartë të klubit, ku është diskutuar gjerësisht për merkaton dhe ecurinë e deritanishme të saj. E ndërsa është përcaktuar 10 korriku si dita e nisjes së përgatitjeve për sezonin 2023-2024, ka ankth edhe për ngecjen e disa “operacioneve” në merkato. Më konkretisht jemi duke folur për Elbasanin, që u ka rrëmbyer tri dëshira nga duart kuqezinjve. Hektor Idrizaj, Bedri Greca dhe Armando Rami ishin në listën e vlonjatëve, por firmosën te verdheblutë.

Për këtë shkak, edhe mbledhja ishte urgjente. Ka qenë vetë presidenti që ka kërkuar llogari në lidhje me ecurinë e ndërtimit të ekipit. Ai pret që lojtarët, të cilët do të vijnë në ekip, të ndiejnë, mbi të gjitha, peshën e fanellës. Për ta lehtësuar teknikun, i ka kujtuar edhe një herë pjesën që të mos kursehet. Gazeta mëson se Sinan Idrizi i ka folur edhe me batuta Emiljano Çelës, si për t’i treguar se ku ka ardhur:

“E di ku ke ardhur? Kjo është foleja e grerëzave… Ndaj kujdes, puno dhe trego veten tënde. Te Flamurtari gjërat dhe rezultatet merren në fushë. Po nuk pate rezultate këtu të vërsulen në fyt. Vazhdo punën në merkato. Afro lojtarë që të jenë me këmbë në tokë dhe të dinë ku po vijnë. Duam punëtorë dhe energjikë. Filozofinë tënde tregoje në skuadër. Mos u kurse për financat”.

Nga ana e tij, trajneri ka siguruar Idrizin që po afron lojtarë, të cilët do t’i përgjigjen mentalitetit të Flamurtarit dhe të tifozëve të Vlorës. “Jemi duke punuar. Brenda kësaj jave skuadrën shpresojmë që ta kemi të plotësuar me lojtarë, të cilët t’i bëjnë punë skuadrës dhe t’u përshtaten objektivave tanë”, mësohet se u ka thënë trajneri drejtuesve të klubit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL