Lushnja ia nis nga puna, rikthehet Magani. Priten surpriza në ditët në vijim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2019 | 12:26

Lushnja ia nis nga puna, rikthehet Magani. Priten surpriza në ditët në vijim…

Lushnjarët, nën drejtimin e trajnerit Ilir Gjyla, zbritën dje në fushë për të nisur përgatitjet e sezonit 2019-2020. Në stadiumin “Roza Haxhiu” ishin të pranishëm 15 futbollistë, mes tyre edhe mbrojtësi Endri Magani, i cili ka qenë pjesë e verdhejeshilëve në sezonet 2016-2018. Ai ka rënë dakord me klubin lushnjar dhe ka firmosur kontratën për sezonin e ri. Grupi i futbollistëve udhëhiqej në stërvitje nga kapiteni Fatjon Sefa.

Magani

Pritej edhe elbasanasi Klajdi Broshka, por për arsye familjare e ka shtyrë prezantimin për ditën e hënë. Lushnja pret të tjera afrime në ditët në vazhdim, pasi trajneri Gjyla ka kërkuar 5- 6 blerje dhe presidenca pretendon që skuadra të rikthehet në Superiore.

Trajneri Ilir Gjyla, i cili pak ditë më parë u konfirmua nga presidenti Tushe, për “Panorama Sport” u shpreh: “Është e vërtetë që më është dhënë dorë e lirë për të ndërtuar skuadrën. Së shpejti mendoj se do të mblidhemi dhe do të diskutojmë për detaje të tjera. Filluam nga puna sot (dje) dhe po shikojmë lojtarët. Ka disa që janë të përgatitur, janë stërvitur në mënyrë individuale, disa të tjerë jo. Megjithatë, kohë kemi.

Presidenca ka pretendime, patjetër, por edhe nëse nuk ka presidenca, kemi vetë ne si profesionistë. Ajo që na ngroh është ardhja e futbollistëve. Për shembull, ka firmosur Magani. Prisnim Broshkën, por nuk erdhi. Më telefonoi dhe ka një problem familjar deri të shtunën. Mendoj se do të jetë të hënën me ne. Ndoshta që nesër do të kemi dy-tre emra të tjerë, do të jenë në dispozicionin tonë. Mendoj se do të bëjmë një skuadër më të mirë, më kompetitive se viti që kaloi. Është shpejt për të folur se çfarë, është dita e parë e stërvitjes.

Lojtaret e pranishem ne stervitje

Një nga arsyet që e fillojmë stërvitjen kaq shpejt është konsolidimi i skuadrës. Në momentin që ke pretendime, duhet ta konsolidosh skuadrën. Nuk mund të jesh me fjalë pretendent. Do të bësh skuadrën, pa të jesh pretendentë. Për skuadrën e vjetshme pati shumë pak nga ata që besuan se mund t’i rezistonte Kategorisë së Parë, por arritëm të bënim më të mirën e mundshme.

Me atë grup që kishim morëm një rezultat superpozitiv, një rezultat të shkëlqyer. Megjithatë, duke pasur parasysh që jemi Lushnja, egon time dhe të stafit, do të kërkojmë më të mirën këtë sezon”. Përveç Endi Maganit, edhe lojtarët kryesorë që u stërvitën dje në “Roza Haxhiu” kanë firmosur kontratat e reja me Bashkinë e Lushnjës. Nga sot pritet që me Lushnjën të bashkohen të tjerë lojtarë të rinj.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"