“Luftëtari të mos shthuret”, ish-trajneri gjirokastrit: Duhet të bëjnë kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2020 | 20:48

“Luftëtari të mos shthuret”, ish-trajneri gjirokastrit: Duhet të bëjnë kthesën

Luftëtari do të presë Vllazninë nesër, në një ndeshje që, sipas Theodhori Kallucit, luhet për hiçgjë. Me gjirokastritët e rënë nga kategoria dhe shkodranët që nuk i shpëtojnë dot “play out”-it, rezultati nuk i bën punë askujt. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi pret vetëm një gjë nga bluzinjtë në këtë 90-minutësh.
Kalluci
Ai kërkon që të paktën të mos shthuren dhe të mbajnë presionin e kundërshtarit. “Cilido që të jetë verdikti i Luftëtari-Vllaznia, asnjë ekipi nuk i bën punë. Luftëtari minimumi që duhet bëjë në këtë ndeshje është që të mos shthuret taktikisht dhe të mbajë presionin e kundërshtarit që do kërkojë maksimumin. Gjirokastritët janë demotivuar, ndaj edhe po pësojnë humbje kaq të thella. Por sidoqoftë, kjo gjë është për të ardhur keq. Nuk është fajtore vetëm mbrojtja kur pëson gola shumë, janë të gjithë bashkë. Futbolli është lojë grupi dhe jo individi. Ata s’kanë motiv dhe ndaj mungojnë rezultatet pozitive. Të njëjtën gjë po bën edhe Vllaznia javët e fundit. Shkodranët e dinë që nuk i shpëtojnë dot ‘play out’-it dhe nga takimi në takim humbin terren. Parë në këtë aspekt, përballjen e së dielës e shoh larg çdo presioni. Por për Luftëtarin, duhet të jetë ndeshje për të bërë kthesën”, tha fillimisht Kalluci.
bylis tirana
Ish-trajneri nuk kishte si të mos prekte edhe skenat që pa në Bylisi-Tirana, ndërsa e quan të njollosur tashmë kampionatin shqiptar. “Nuk arrij ta kuptoj atë ndeshje të luajtur në Ballsh. Nuk është vetëm Tirana e njollosur, por i gjithë futbolli shqiptar. Tirana bën çfarë të dojë tashmë që po luhet edhe pa tifozë. Ndërprerja e kampionatit ia prishi bukurinë garës”, përfundoi ai.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"