Likën e kënaq edhe barazimi, Luftëtari bën llogari europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2018 | 11:09

Likën e kënaq edhe barazimi, Luftëtari bën llogari europiane

“Nuk është më ëndërr”. Te Luftë- tari janë gati për të zyrtarizuar kualifikimin në Ligën e Europës si vendi i tretë në kampionatin e sezonit aktual 2017-2018. Një ditë para nisjes për në Kukës, trajneri Hasan Lika i kishte idetë e qarta.

Lika
Kur duhen edhe tri javë nga përfundimi i kampionatit, gjirokastritët janë shumë pranë blindimit të vendit të tretë dhe sot në Kukës kënaqen edhe me një pikë. “Natyrisht që objektivi ynë është përfaqësimin në Europë. Kemi bërë mirë javë pas jave, prandaj dhe jemi me meritë në këto pozita. Falë punës sistematike të grupit dhe përkushtimit të gjithë aktorëve dhe faktorëve sportivë në Gjirokastër, po shkojmë drejt realizimit të objektivit. Megjithatë, janë edhe tri ndeshje për t’u luajtur, ndaj duhet të ruajmë përqendrimin deri në përballjen e fundit. Edhe pse luajmë me Kukësin, që thuajse e ka siguruar vendin e dytë, ne do të futemi në fushë për rezultat maksimal. E dimë forcën e kundërshtarit dhe një pikë ndaj Kukësit natyrisht që mund të quhet rezultat pozitiv. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se në fushë do të hyjmë për rezultat minimal.

Kemi kaluar pritshmëritë e fillimsezonit, por tashmë duhet të tregohemi po aq produktiv”, ka thënë Lika në konferencën për shtyp para nisjes për në Kukës. I pyetur nëse ka dilema për formacionin, trajneri bluzi sqaroi: “Do të luajnë pa dyshim me më të mirët. Lojtarët kanë treguar motiv, përkushtim dhe seriozitet. Janë psikologjikisht të qetë dhe të aftë për të përballuar Kukësin”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"