Liga e Konferencës/ Ballkani për formalitet, Struga tenton sot përmbysjen në Islandë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2023 | 8:38

Liga e Konferencës/ Ballkani për formalitet, Struga tenton sot përmbysjen në Islandë

Përveç Partizanit, sot në fushë do të zbresin për ndeshjet e kthimit të fazës “play off” të Ligës së Konferencës, Ballkani i Ilir Dajës dhe Struga e Shpëtim Duros. Kampionët e Kosovës kanë fituar 4-1 ndeshjen e parë ndaj bjellorusëve të BATE Borisovit dhe sot në orën 20:00 në fushën neutrale të stadiumin “Mezokovesdi” në Hungari, do të kërkojnë të mbrojnë rezultatin dhe pse jo të fitojnë sërish.

STRUGA BALLKANI

Skuadra e Dajës është me një këmbë në grupe për herë të dytë radhazi, ndërsa fryma optimiste është përcjellë edhe nga klubi në postimet në rrjetet sociale. “Do të zhvillojmë 90 minutat më të rëndësishme të krejt fushatës europiane. Çdo gjë është gati në kampin tonë, prandaj sot do ta japim çdo gjë të mundshme nga vetja, për t’ia arritur qëllimit. Na priftë e mbara!”, shkruhej në faqen zyrtare të Ballkanit.

DEKLARATA – Humbja 1-0 në ndeshjen e parë ndaj islandezëve të Breidablikut nuk e tremb Strugën e Shpëtim Duros, që sot në orën 18:45 në Reikjavik, zbret në fushë me synimin e vetëm: përmbysjen e rezultatit. Trajneri tiranas ka folur në prag të kësaj përballjeje, duke theksuar se të besuarit e tij do të japin gjithçka për kualifikimin.

“Rezultati i ndeshjes së parë është në favor të kundërshtarit, por është thjesht një humbje minimale. Unë kam besim se skuadra do të japë maksimumin për të kaluar më tej, pasi i kemi të gjitha mundësitë. Kemi dy mungesa të rëndësishme në formacion si Radeski dhe Zguro, që kanë kontribuar për arritjet e skuadrës deri në këto momente. Do të mundohemi të marrim masat për t’i zëvendësuar. Morali është i lartë, kam biseduar me futbollistët dhe janë të zhgënjyer për rezultatin e ndeshjes së parë”, ka thënë trajneri Duro.

20:00 BATE Borisov – Ballkani (1-4)

18:45 Breidablik – Struga (1-0)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"