Levandovski shkatërron Realin e Madridit me katër gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2013 | 23:21

Levandovski shkatërron Realin e Madridit me katër gola

Borusia-Real 4-1Gjermani-Spanjë 8-1. Ky është produkti i gjysmëfilaneve të para të Ligës së Kampioneve. Si me porosi, Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit realizojnë nga katër gola secili në portat e kundërshtarëve iberikë, duke u dhënë leksione futbolli, në cdo drejtim. Pa kaluar 24 orë nga jehona e asaj fitoreje të bujshme të Bajernit të Mynihut ndaj Barcelonës, në Gjermani ka ndodhur një tjetër mrekulli, që ka lidhje sërish me futbollin e këtij vendi. Nuk mund të flitet më për rastësi, por për një dominim të qartë të futbollit gjerman në rang klubesh mbi atë spanjoll. Fati e solli që në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve të kishim dy ballafaqime gjermano-spanjolle, në “aktin e parë” të të cilave janë tejkaluar cdolloj pritshmërie. Bavarezët dhe Dortmundi kanë arritur të shënojnë jo pak, por nga katër gola në portat e gjigandëve të La Liga, respektivisht ndaj Barcelonës dhe Realit të Madridit. Duke përvijuar në horizont, kësisoji, një finale gjermane në “Uembli”. Në ndryshim nga katalanasit, “Los Blancos” kanë arritur të realizojnë të ashtuquajturin gol të nderit në “Signal Iduna Park”, falë një gafe amatoreske të mbrojtësit vendës Mats Humels, që i dhuron topin kundërshtarit në zonën e vet dhe Ronaldo nuk e ka fare të vështirë të konkludojë golin e 11-të personal në këtë edicion të Champions-it. Por ky moment nuk është asgjë para uraganit të Borusias së Dortmundit, para një nate të paharrueshme në tërë jetën e vet të sulmuesit polak Robert Levandovski, i cili ka shënuar katër gola. Gjithcka ka ardhur si rrjedhojë e lojës së zhvilluar në fushën e lojës, ku të besuarit e Jurgen Klop janë zotër të gjithckaje, ushtrojnë presing asfiksues për madrilenët në cdo cep të fushës, ndërsa e qarkullojnë topin në stilin alla-Barcelona. Borusia i jep kësisoji një mësim tjetër se si luhet futbolli sulmues dhe rezultativ Realit të Madridit, pasi e kishte mundur atë edhe në fazën e grupeve, me rezultatin 2-1. Tashmë disfata për skuadrën e Mourinjos është e madhe, aq sa përmbysja duket thuajse një mision i pamundur. Megjithatë, për kualifikimin mund të flitet vetëm pas gjysmëfinales së kthimit, që do të luhet të martën e javës së ardhshme në “Bernabeu”. Teoricienët e vetëshpallur mbretër të futbollit, përfshirë këtu edhe Mourinjon, morën një grusht të fortë nga Borusia e Dortmundit. Të gjithë menduan se skuadra e Klopit do të zhbalancohej nga lajmi se Mario Gëtze do të transferohet te rivalët e Bajernit të Mynihut, por ishte Robert Levandovski, qendërsulmuesi polak, ai që u vu në qendër të gjithckaje me pokerin e golave dhe e cliroi skuadrën nga ngarkesat psikologjike të cfarëdolloji. Intensiteti dhe ritmi i lojës së Dortmundit na kujtoi shumë shpejt atë që bëri Bajerni ndaj katalanasve në “Allianz Arena”. Goli i parë u shënua në minutën e 7-të, kur Levandovski u zhyt me këmbë dhe e dërgoi pasimin e zgjuar të Gëtzes në portën madrilene. Gëzimi dukej se ishte duke u shtuar për vendësit, pas një veprimi të Rojs në zonën e Realit të Madridit, ku u pengua nga mbrojtësit miq, por arbitri Kuipers nuk vërshëlleu për penallti. Pastaj doli në skenë i zakonshmi për Realin e Madridit, Kristiano Ronaldo. Ishte minuta e 42-të, kur portugezi mori një pasim nga Higuain, me argjentinasin e asistuar në mënyrë të pafalshme nga Humels, dhe barazoi shifrat në 1-1. Me këtë barazim dhe një atmosferë të ftohtë në “Signal Iduna Park” shkuan skuadrat në dhomat e zhveshjes. Madje u duk se Reali i Madridit mund ta ndryshonte ritmin e lojës në 45 minutat e dyta. Por, ndodhi ajo që rrallëkush mund ta kishte menduar: Tri herë të tjera shënoi Levandovski, respektivisht në minutat e 50-të, 55-të dhe 66-të. Në njërën prej tyre nga pika e bardhë e penalltisë. Ekipi gjerman i dha një mësim të futbollit sulmues dhe rezultativ Mourinjos, që edhe pse e kishte orientuar skuadrën e vet në detyra difensive nuk shmangu dot pokerin e polakut Levandovski dhe një humbje që dhemb shumë, që vë seriozisht në pikëpyetje kualifikimin në finalen dhe…titullin e dhjetë në Ligën e Kampioneve.

Borussia Dortmund's Lewandowski celebrates scoring fourth goal against Real Madrid in Champions League semi-final first leg soccer match in DortmundHeroi “Leva”: Ishte si një ëndërr
Robert Levandovski është pa diskutim “mbreti” i fitores së Dortmundit kundër Realit, me katër golat e shënuar. Në fakt, ai ka shkruar emrin e tij në listën e rekordeve; i pari futbollist që realizon “poker” në një ndeshje gjysmëfinale dhe i pari që arrin t’i shënojë më shumë se tre gola Realit të Madridit në një ndeshje të Champions- it përgjatë gjithë historisë. Në fakt, statistikat e polakut janë mbresëlënëse, sepse në kompeticionin europian e ka gjetur rrugën e rrjetës 10 herë nga 18 gjuajtje që ka bërë gjithsej në kuadrat.
Fitore mbresëlënëse dhe katër gola. E prisnit?
Sigurisht që e prisja të fitonim, pasi ishim përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje. Por, që të shënoja katër gola as që e kisha ëndërruar. E pabesueshme! Jam me të vërtetë shumë i lumtur. Gjithsesi, për mua nuk ka shumë rëndësi sasia e golave që shënova, sesa fakti që arritëm një rezultat vërtet pozitiv.
Cili është sekreti i dominimit të Dortmundit ndaj Realit?
Ne luajtëm me zemër dhe nuk e ulëm ritmin për asnjë moment. Mendoj se gjithçka shkoi siç e kishim planifikuar, duke bllokuar aksionet e kundërshtarit nëpërmjet presingut dhe duke kundërsulmuar me shpejtësi.
A ishte kjo fitore një “shuplakë” për të gjithë ata që nuk besuan te Borusia?
Në fakt, ishte normale që Reali të cilësohej si favorit për t’u kualifikuar në finale. Janë një klub i madh dhe me eksperiencë. Për këtë arsye, shumë pak besonim se do arrinim deri në gjysmëfinale dhe aq më tepër të eliminonim edhe madrilenët.
Mendoni se tashmë e keni siguruar kualifikimin për në finale?
Absolutisht jo. Kemi përballë Realin e Madridit dhe do ishte çmenduri që t’i nënvlerësoje. Ndeshjen e kthimit e luajmë në transfertë dhe mendoj se do e kemi akoma më të vështirë. Do na duhet që të ruajmë avantazhin e krijuar dhe të bëjmë një punë të madhe në fushë.
Emri juaj është përfolur për një transferim te Bajerni. Sa e vërtetë është kjo?
Nuk kam kohë dhe dëshirë të flas apo të mendoj për të ardhmen time. Objektivi kryesor që kam për momentin është të siguroj finalen e Ligës së Kampioneve me Dortmundin. Ka kohë për të menduar mbi të ardhmen time. Në media mund të thuhet çdo gjë, por kjo nuk nënkupton se është e vërtetë, apo se ka rëndësi për momentin. Çdo gjë duhet bërë në kohën e vet.

Klop“Jemi si Robin Hudi, u vjedhim skenën të pasurve”
Jurgen Klop është një nga heronjtë e fitores së Dortmundit, pasi ka bërë një punë mbresëlënëse. Megjithatë, ai nuk beson se fitorja 4-1 është e mjaftueshme për të menduar se e kanë siguruar kualifikimin. “Jam shumë i kënaqur nga shfaqja e dhuruar. Ishte futboll i pastër dhe i jashtëzakonshëm. Të dyja skuadrat luajtën me ritëm të lartë, por ne ishim superiorë dhe dominuam në fushë. Që të fitosh me Realin e Madridit, duhet të bësh një ndeshje të shkëlqyer dhe ne e bëmë një gjë të tillë. Në fakt, ne jemi bërë si Robin Hudi, i cili u vjedh skenën të pasurve”, – deklaroi trajneri gjerman. “Unë kam mjaftueshëm eksperiencë dhe e di që euforia mund të na kushtojë shtrenjtë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë ndeshjen e kthimit dhe të mendojmë se jemi në finale. Do të jetë mjaft e vështirë në Madrid dhe gjërat mund të na shkojnë keq nëse hyjmë të pamotivuar në fushë. Duhet të jemi tepër të kujdesshëm me reagimin tonë”, – shtoi ai. Në fund, i bëri një koment reagimit të tifozëve me Gëcen: “Mario bëri një ndeshje shumë të mirë dhe jam për krenar për të. Arriti ta administrojë shkëlqyeshëm presionin e krijuar. Gjithsesi, dua të falënderoj edhe tifozët që e menaxhuan mirë situatën”.

José MourinhoMurinjo: E merituan fitoren, përmbysja s’është e pamundur
Zhoze Murinjo i ka kursyer ironitë apo justifikimet pas humbjes kundër Borusias së Dortmundit, duke përgëzuar rivalët gjermanë për paraqitjen e zhvilluar. “Fitoi skuadra më e mirë. E merituan plotësisht këtë rezultat, sepse ishin superiorë në fushën e lojës. Kur ndodh që të humbasim padrejtësisht, nuk nguroj ta them një gjë të tillë. Por, sot (dje) ne zhgënjyem me paraqitjen tonë”, – tha portugezi. “Dortmundi arriti të fitojë çdo dyluftim për topin e parë ose të dytë. Ata ishin më të saktë në ushtrimin e presingut dhe mbi të gjitha bënë diferencën në duelet një për një. Rezultati e tregon qartë superioritetin e tyre”, – shtoi ai. Sa i përket ndeshjes së kthimit, Murinjo u shpreh: “Është shumë e vështirë që ta përmbysim, megjithatë është detyra jonë që ta provojmë e të shpresojmë. Mund të bëjmë një paraqitje më të mirë. Asgjë nuk është e pamundur në futboll”.
Çelsi – Në fakt, media gjermane ka bërë me dije se trajneri i Realit do largohet nga detyra në muajin qershor dhe do zyrtarizojë rikthimin te Çelsi. Mësohet se goditja e tij e parë do jetë Radamel Falkao.

S.Ramos jep zemër: Do e përmbysim
Serxhio Ramos e kritikon skuadrën për reagimin në fushën e lojës, por njëkohësisht i jep zemër për duelin e kthimit. “Na mungoi përqendrimi dhe reagimi në fushë. Të gjithë ishim dobët, duke e filluar kritikën nga vetja. Borusia arriti të na nënshtrojë dhe të luajë ashtu siç e kishte programuar. Kjo është arsyeja që pësuam një humbje kaq të thellë, – deklaroi mbrojtësi. – Sidoqoftë, ne nuk dorëzohemi për asnjë arsye. Do rregullojmë gabimet e vogla dhe në fushën tonë do kërkojmë ta përmbysim. Unë kam besim se mund t’ia dalim mbanë. Nuk është e pamundur dhe ne i kemi të gjitha aftësitë, mjafton që të luajmë në perfeksion”.

Gyndogan: Perfekte nëse fitonim 4-0
Ilkaj Gyndogan mendon se goli i pësuar nuk ishte i merituar, gjithsesi ndihet i lumtur për fitoren. “Ishte një ndeshje me të vërtetë shumë e mirë, në të cilën mendoj se kemi realizuar çdo detyrë të trajnerit në perfeksion. Do kishte qenë perfekte nëse fitonim 4-0, meqë goli i tyre nuk erdhi për shkak të ndonjë merite të veçantë”, – tha Gyndogan.

Butragenjo: Një humbje shumë e rëndë
“Ishte me të vërtetë një humbje tepër e rëndë. Askush nuk e priste një gjë të tillë. E kuptova që në minutat e para që Borusia do dominonte dhe mund ta fitonte ndeshjen, por jo me një rezultat të tillë. Gjithsesi, kanë mbetur edhe 90 minuta dhe në ndeshjen e kthimit mund të jetë radha e Realit që të fitojë bindshëm”, – u shpreh Emilio Butragenjo.

Modriç: E shlyejmë gjithçka në Madrid
Luka Modriç ishte surpriza e formacionit, duke e nisur ndeshjen si titullar. “E patëm shumë të vështirë, sepse Borusia është një skuadër mjaft e përgatitur fizikisht. Arritën të përballonin me sukses ritmin tonë. Gjithsesi, gjithçka mund ta shlyejmë në Madrid. Përderisa një gjë të tillë e bëri Dortmundi në shtëpi, nuk ka arsye pse të mos besoj se ne mund të bëjmë akoma më mirë në Madrid”, – theksoi Modriç.

“Në Madrid na pret një uragan”
Mats Humels zbret me këmbë në tokë shokët e skuadrës, duke menduar që tani për ndeshjen e kthimit. “Kemi zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer dhe një fitore tepër të rëndësishme. Kemi mundur Realin e Madridit me tre gola diferencë. Megjithatë, nuk duhet të mendojmë se kemi siguruar finalen e Champions-it. Në Madrid në pret një uragan. Do kemi përballë një Real Madrid akoma më të motivuar, të nevrikosur, i cili do kërkojë të përmbysë gjithçka. Duhet të festojmë vetëm pas ndeshjes së kthimit”, – u shpreh Humels, i cili ishte edhe autori i gafës që solli golin e shënuar nga madrilenët. “Për fat të mirë, ai moment nuk ndikoi në fitoren tonë. Skuadra arriti të dominojë në pjesën e dytë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"