Leksione nga një serb: Tirana të mbajë Ze Marian, ju tregoj presidentin më të mirë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2018 | 23:03

Leksione nga një serb: Tirana të mbajë Ze Marian, ju tregoj presidentin më të mirë në Superiore

Kampionat, Kupë dhe Superkupë të fituar në Shqipëri dhe shumë arsye që e mbajnë me kujtime pozitive nga vendi ynë. Ivan Gvozdenoviç ka vijuar karrierën në Jordani, në skuadrën ku aktivizohet edhe Alban Meha.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i Tiranës, Skënderbeut dhe Kukësit që provoi edhe karrierën e zëvendëstrajnerit në dy prej tyre, komenton titullin dhe dënimin e korçarëve, ambiciet dhe arritjet e Kukësit, si dhe Tiranën e trajnerin Ze Maria. Është diplomat në përgjigjen për të përzgjedhur futbollistin më të mirë të kampionatit, por e bën me lehtësi kur vjen puna te presidenti…

gvozdenovic

Ivan, gjendeni në vend të dytë, si është futbolli në Jordani?

Kur erdha, skuadra ishte në vend të katërt e tashmë në të dytin. Jemi në gjysmëfinalet e Kupës së Azisë. Besoj që rezultatet tregojnë se po shkon mirë. E duan shumë futbollin këtu. Ka cilësi dhe rivalitet.

Në ekip keni Alban Mehën. Çfarë keni biseduar me të rreth Shqipërisë?

Në fakt, jo shumë, për të mos thënë asgjë. Ne flasim për futbollin këtu dhe për ekipin tonë. Meha është një njeri shumë pozitiv dhe një futbollist i mirë. Ka bërë punë të mirë në skuadër dhe na ka ndihmuar.

E ndiqni kampionatin shqiptar?

Patjetër që po! Kam shumë miq në Shqipëri dhe e ndjek edhe prej tyre.

Tirana, Kukësi apo Skënderbeu, me cilën doni ta nisim?

(Qesh…) Janë e shkuara ime në Shqipëri. Kam respekt për të tria.

Skënderbeu fitoi titullin pa e diskutuar, me gjithë dënimin nga UEFA?

E kam lexuar si çështje dhe nuk ka shumë për të thënë. Më vjen vërtet shumë keq për Skënderbeun si klub dhe për fansat. Për fat të keq, është një lajm që nuk i bën mirë as futbollit shqiptar në tërësi.

Lojtarët ruajtën përqendrimin në kampionat…

Kanë bërë punën e tyre dhe është një tregues i profesionalizmit të atij grupi. Është një skuadër e mirë dhe i uroj për titullin.

Kukësi tentoi ta rivalizonte. Si konsiderohet ky sezon në vend të 2-të?

Pozitiv, edhe pse Kukësi kërkon të jetë gjithmonë kampion. Por duke parë që Skënderbeu ishte shumë i fortë, vendi i dytë është mirë. Uroj që të kenë sukses në Europë.

Gvozdenociv

Ngjitja e Tiranës, meritë e trajnerit apo e kontingjentit?

Fillimisht, jam shumë i lumtur që Tirana rikthehet, pasi e ka vendin gjithmonë në Superiore për vetë faktin që është një ekip i madh dhe një emër i madh. Sipas meje, Ze Maria ka bërë një punë shumë të mirë së bashku me të gjithë lojtarët. Veçse urime për rikthimin.

Pas Tiranës rrezikon Vllaznia. Pse ndodh kjo me klubet e mëdha?

Nuk mund të thuhet kjo gjë, pasi kërkon shumë argumente dhe analiza, përveçse njohje shumë të mirë të situatave që kanë ekipet. Dhe unë nuk e kam diçka të tillë. Ajo që mund të them, është se futbolli në Shqipëri është i mirë dhe nuk është aspak e lehtë të përballosh elitën. Ekipet kanë lojtarë të mirë, dhe të duhet të luftosh deri në fund për të arritur objektivat. Asnjë ekip nuk e ka të lehtë një fitore, pavarësisht emrit dhe pavarësisht cilin ka përballë…

Çfarë ju mungon nga Shqipëria?

Futbolli, miqtë dhe sidomos jeta në Shqipëri.

Çfarë diference ka Jordania nga Shqipëria?

Jordania është vend i mirë, kryeqyteti është i madh me rreth 3 milionë banorë. Por, ka shumë trafik, dhe pak kohë për miqtë apo për kafenë. Kjo është ajo që bën diferencë. Gjithsesi, janë shumë miqësorë, si në Shqipëri. Por, jetesa është shumë herë më e shtrenjtë. Mjaft t’ju them që për dy kafe, pagesa është 10 euro (qesh…). Ushqimi është i mirë, edhe pse i ndryshëm nga Shqipëria.

Cilin futbollist shqiptar do të veçonit nga Shqipëria?

Është e pamundur ta bëj. Ka shumë dhe kam shumë miq. Përveç kësaj, për mua rëndësi ka grupi dhe jo një individ.

Në rregull, po grup, cilin veçoni?

Kam luajtur me tri skuadrat më të mira në Shqipëri dhe kam fituar gjithçka: Kampionatin, Kupën dhe Superkupën. Me Tiranën ka qenë ekip me shumë emra cilësorë dhe fituam Kupën. Më tej, Skënderbeu ishte vërtet i fortë. Gjithashtu, Kukësi. Do t’i zgjidhja të tria (qesh…)

Shumë diplomat. Po nga presidentët kë do të veçonit për të punuar?

Halili, Takaj dhe Gjici kanë qenë shumë të mirë për të punuar. Megjithatë, zgjedh Agim Zeqon.

Nëse ju telefonojnë për t’u kthyer në Shqipëri, si do përgjigjeni?

Sigurisht që jam i gatshëm të flas dhe të rikthehem. Gjithçka varet nga projekti i klubit që më kontakton. Kam kujtime pozitive

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"